Masimo Gajani përkrah bashkëpatriotin e tij në krye të skuadrës kombëtare.
“Dua t’ju njoh personalisht, uroj të kesh sukses në Shqipëri”
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Masimo Gajani, i ka dërguar një letër të hapur bashkëpatriotit të tij, Xhiani de Biazi, duke i uruar atij për postin e trajnerit të Kombëtares shqiptare, të marrë zyrtarisht vetëm më 19 dhjetor të vitit të shkuar. Duke qenë një fans i teknikut aktual të kuqezinjve, ndaj të cilit nuk kursen plot elozhe, ambasadori përveç urimeve kërkon që ta njohë edhe personalisht. “Doja që t’ju uroja për punën e re që sapo keni marrë në drejtim të Kombëtares shqiptare. Kjo natyrisht është në sajë të karrierës suaj brilante dhe meritave që keni marrë në fushën e lojës. Jam i sigurt se emërimi juaj në këtë post tregon edhe një herë raportin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë. Do më pëlqente që kur ju të kishit mundësi, t’ju njihja personalisht për të shkëmbyer edhe disa ide. Jam i bindur se emërimi juaj në krye të kësaj kombëtareje do ta ngrejë edhe më lart futbollin shqiptar, ndaj uroj që 2012-ta të jetë i qetë dhe plot suksese”, thuhet në letrën e ambasadorit për trajnerin kuqezi. Sakaq, duhet thënë se edhe ambasadori Masimo Gajani është i emëruar rishtazi në Shqipëri. Ai paraqiti zyrtarisht letrat kredenciale presidentit Bamir Topi vetëm në javën e parë të muajit dhjetor. Gajani, ekspert i njohur i çështjeve europiane, ka një eksperiencë të pasur pranë institucioneve diplomatike italiane, ndërkohë që jashtë vendit ai ka pasur disa funksione pranë Përfaqësisë së Përhershme të Italisë pranë BE-së në Bruksel dhe në Uashington. Ai ka shërbyer pranë Departamentit të Politikave Europiane në Këshillin e Ministrave të Italisë dhe ka drejtuar Drejtorinë e Departamentit si dhe Sekretarinë e Komitetit Ndërministror për Çështjet Komunitare.
© Panorama.alItaliani, zbor e debutim me Gjeorgjinë
Trajneri i ri i Kombëtares, Xhani de Biazi, do ta nisë me një zbor disaditor me futbollistë të kampionatit shqiptar aventurën e tij në krye të ekipit tonë përfaqësues. Grumbullimi do të nisë më 21 janar në Durrës në hotel “Adriatik” dhe De Biazi do të ketë në dispozicion 23 futbollistët më të spikatur të Superiores. Ndërkohë, duke qenë se ai vetë nuk e njeh akoma skuadrën shqiptare, kuptohet që listën ia kanë bërë nëpunësit e FSHF-së, më konkretisht, Drejtoria Teknike e Ekipeve Përfaqësuese. Ndërkohë, debutimi zyrtar i tij në krye të Kombëtares do të bëhet në ndeshjen miqësore që është programuar në muajin shkurt kundër Gjeorgjisë.











