Ambasadorët e huaj kërkojnë nga KQZ të ketë një standard për ankimimet. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i shoqëruar nga ambasadori i BE-së, Etore Sequi dhe ai i OSBE-së, Volfarth, zhvilluan dje një takim me krerët e KQZ-së, duke kërkuar të dinë më shumë në lidhje me shpalljen e fituesit në kryeqytet. Burime pranë takimit bëjnë me dije se ambasadorët i kërkuan krerëve të KQZ-së të zbatojnë një standard për fletët e kontestuara, si për opozitën ashtu edhe për maxhorancën. Takimi, i cili u zhvillua në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u bë edhe në praninë të nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi. Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, ndërsa temë bisede kanë qenë zgjedhjet dhe përfundimi i tyre. Ky takim u bë një orë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të niste mbledhjen e pasdites, ku do të shqyrtohej edhe rezultati i Tiranës. Që nga nisja e procesit, ambasadorët kanë kërkuar respektimin e vullnetit të qytetarëve, një proces korrekt dhe mbylljen e rezultateve sa më shpejt. Vetë ambasadori amerikan, Arvizu, gjatë një konference të improvizuar në Vendin e Numërimit të Votave në Njësinë Nr. 5, duke iu referuar kontestimeve, kërkoi që çdo votë të respektohet. “Sërish, nuk jam komisioner dhe nuk më takon mua, por pyes nëse kjo do të ishte një arsye e vlefshme për t’i quajtur të pavlefshme këto vota? Pra, e rëndësishme është që të plotësojmë dëshirën e çdo qytetari në fletët e votimit dhe ta mbyllim këtë proces”, është shprehur ambasadori amerikan.











