Basha me ambasadorët: Administrata, larg politikës

Sep 29, 2011 | 10:55
Sekui dhe Volfarth

Ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së u bëjnë thirrje të zgjedhurve vendorë të bashkëpunojnë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Katër muaj pas zgjedhjeve të 8 majit dhe pas certifikimit të rezultatit përfundimtar, një nismë e Këshillit të Europës ka mbledhur në një takim kryetarët e bashkive të të gjitha njësive të qeverisjes vendore. Në këtë takim ishin të pranishëm ambasadori i BE-së, Etore Sekui, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth dhe ai i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu. Sipas Volfarth, të zgjedhurit vendorë duhet të bashkohen për të lobuar pranë qeverisë për projektet e zonave të tyre. “Juve ju duhet, po ashtu, edhe një organ kombëtar dypalësh proaktiv që mbron interesat vendore dhe që ju mbështet, ndërkohë që ju zgjeroni shërbimet vendore. Pavarësisht përkatësive politike, përpiquni të punoni së bashku për të lobuar pranë qeverisë qendrore për nisma shtetërore që ndikojnë në komunitetet tuaja. Është në interes të komuniteteve tuaja që ju të jeni konstruktivë dhe, ndonjëherë, jopartiakë, për të garantuar se qytetarëve u shërbehet më mirë nga vendime të marra në nivel vendor”, u shpreh Volfarth. Ai bëri thirrje gjithashtu për të ringjallur shoqatën e bashkive. Nga ana e tij, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui, theksoi se pushtetarët e rinj lokalë duhet të bëjnë reformën e decentralizimit. “Duhet të përmirësohet shërbimi publik, ndaj, për këtë arsye, duhet të plotësohen dy kushte: transparenca dhe përgjegjësia. Të plotësohen kushtet e Kopenhagës. Të sapozgjedhurit do t’i inkurajoja që të bëjnë reformën e decentralizimit dhe të bënit më të mirën në punën tuaj. Ju thoni se ‘gur-gur bëhet mur’ dhe unë do të doja që ju të ishit ura”, tha Sekui.
I pranishëm në këtë takim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, foli për një administratë që qëndron larg influencave politike. “Ne po përpiqemi të kthejmë vëmendjen e administratave tona ndaj qytetarëve e interesave të tyre. Ne jemi të bindur dhe më se të qartë, e të vendosur që t’i mbajmë administratat tona sa më larg influencave e vorbullave politike. Jo vetëm kaq, por të krijojmë energji maksimale me të gjithë faktorët politikë në këshillat tanë dhe më gjerë, duke i kthyer ata në faktorë e promotorë të zhvillimit, të konsolidimit të shërbimeve”, u shpreh Basha.

Basha
“Ne jemi të bindur se mandati ynë dhe angazhimi i administratave tona do të jetë një tjetër kontribut thelbësor për shërbime më të mira për qytetarët, për konsolidimin e shtetit ligjor, për konsolidimin e demokracisë në nivel lokal e rajonal, për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje e në veprimtarinë e asambleve e administratave vendore, për integrimin europian të plotë të vendit tonë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij.

Volfarth
“Një shoqatë ofron një forum për krijimin e aleancave përtej partive për çështje me interes të përbashkët, si reformat e planifikimit territorial dhe decentralizimit. Një shoqatë duhet, gjithashtu, të jetë në gjendje të ndërtojë një axhendë legjislative të përvitshme dypalëshe për qeverinë vendore dhe të nxisë koalicione të gjera të nevojshme për kalimin e ligjeve të dobishme në Kuvend dhe për të mos lejuar miratimin e ligjeve që dëmtojnë njerëzit në komunitetet tuja”, theksoi Volfarth.

Sekui
Sipas ambasadorit të Komisionit Europian në Tiranë, të zgjedhurit lokalë duhet të fokusohen te reforma e decentralizimit. “Duhet të përmirësohet shërbimi publik, ndaj, për këtë arsye, duhet të plotësohen dy kushte: transparenca dhe përgjegjësia. Të plotësohen kushtet e Kopenhagës. Të sapozgjedhurit do t’i inkurajoja që të bëjnë reformën e decentralizimit dhe të bënit më të mirën në punën tuaj. Ju thoni se ‘gur-gur bëhet mur’, dhe unë do të doja që ju të ishit ura”, tha Sekui.

© Panorama.al

Te lidhura