Ambasadorët amerikanë dhe politikanët shqiptarë

May 2, 2011 | 12:34

ALFRED ÇAKO

Eshtë e kuptueshme që politikat e SHBA në të gjitha rajonet, pra edhe në Ballkan, janë të mirëkoordinuara dhe përpiqen të ndërtojnë dora-dorës panoramën e axhendës, që për vendet e popujt e tjerë mund të jenë një ‘puzzle’.  Fundin e lojës e di gjithmonë vetëm Elita; edhe ambasadorët njohin ndoshta vetëm një segment që ata duhet të përshkojnë. Me gjithë ngjyrat optimiste, ende nuk dihet saktësisht axhenda dhe projekti përfundimtar i Elitës për jetën e ardhme politike të shqiptarëve në rajon dhe axhenda për problemin çam. Në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë duket sikur ka një enigmë në sjelljen e amerikanëve, pavarësisht se Presidenti L.Xhonson e krahasoi njëherë Greqinë me milingonën, para ambasadorit grek në SHBA. Elita rrëzoi perandorët dhe monarkët me tharmin e nacionalizmit, por tash ajo synon një perandori të përbotshme dhe i urren dasitë etnike, politike e fetare.
Pas Kongresit të Lushnjës, i pari ministër i plotfuqishëm i SHBA në Shqipëri ishte z.U.Grant-Smith, i cili u emërua në shtator 1922, në kohën e qeverisë së I.Vrionit; më pas, deri në shtator 1939 kanë qenë përkatësisht, Z.Ch.Hart (1925-1929), Z.H.Bernstein (1930-1933), Z.P.Wheeler (1933-1934), Z.H.Grant (1935- 1939). Mbas përfundimit të luftës së 1812-s me Anglinë, SHBA ishte vetëm një fuqi rajonale. Por në fund të Luftës së Parë Botërore, e ndikuar nga CFR, J.Schiff dhe lordi A.Milner i Tryezës së Rrumbullakët të Londrës, SHBA do të provohej si fuqi e madhe botërore. Hyrja në Luftë kishte ndodhur pas goditjes nga një nëndetëse gjermane më 1917, të anijes amerikane Luzitania, njëlloj si ndodhi dhe me goditjen nga japonezët në Perl Harbor më 1942. Por Kongresi, pas L.I.Botërore, vendosi ta fuste SHBA në guaskën e izolacionizmit. Kjo bëri që të ruhej midis dy luftërave në Ballkan, imazhi i superfuqisë britanike; kjo zgjidhi edhe fatin e betejës për pushtet midis zogistave dhe fanolistave në fund të vitit 1924. Noli dhe Gurakuqi kishin dalë shpesh herë në parlament kundër koncensioneve të shfrytëzimit të naftës ndaj Anglo-Persian Oil, në favor të amerikanes Standart Oil ose në krah të API-t. Në SHBA, “Peshkopi i kuq” do të gjendej vazhdimisht, pas vitit 1932, nën vëzhgimin e pandërprerë të shërbimeve sekrete. Me gjithë simpatinë e amerikanëve, ambasadori Grant-Smith nuk kishte guxuar ta ndihmonte qeverinë gjashtëmujore të Nolit, duke e hedhur atë në prehrin e pashpresë të ‘hazretit Lenin’ dhe në fitoren e Zogut vendosen stërlinat angleze. Gjatë periudhës së z.Grant-Smith, vlen për t’u shënuar një moment i errët në rastin e një incidenti të rëndë në zonën e Mamurrasit, ku u vranë dy turistë amerikanë, incident i cili ende ka mbetur i pasqaruar. Me sa duket, përfundimi i luftës Zog-Noli u përcaktua nga ndarja e tortës shqiptare të naftës mes Elitës (tortë e cila mendohej gabimisht se do të ishte më e madhe dhe më e shijshme), ose mes dy kompanive të naftës që i përkisnin asaj.
Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA u rivendosën pas 52 vjet ndërprerjesh, më 15 mars 1991 dhe Ambasada me arkitekturë italiane e stilit kolonial e ndërtuar në vitet ’20 – për herë të parë në Europë nga SHBA – u rihap nga K.Hill, si i ngarkuar me punë ad interim. Po rikujtojmë 8 ambasadorët amerikanë të këtyre 20 viteve të fundit, të cilët janë përkatësisht: W.Rajerson (1991-1994); J.Lake (1994-1996); M.Lino (1996-1999); J.Limprecht (1999-vdiq më 19 maj 2002); J.Jeffrey (2002-2004); M.Rice (2004-2007); J.Withers II (2007-2010)  dhe ambasadori në detyrë, A.Arvizu, i cili është emëruar në nëntor 2010. Ky i fundit së bashku me Z.Rajerson, Znjsh.Lino dhe Z.Limprecht kanë qenë ndoshta ambasadorët më të kontestuar nga ana e politikës shqiptare. SHBA nuk e priste në fillim te viteve ’90 dashurinë e patrazuar të shqiptarëve për të. Kjo dashuri ishte e lidhur kryesisht me imazhin e sjellë nga emigrantët në Shqipëri para Luftës së Dytë si dhe me respektin e krijuar për ndihmën e dhënë Shqipërisë në të dy Konferencat e Paqes. Madje ndihma e SHBA për të ruajtur kufijtë e Shqipërisë së 1913-s nga pretendimet e Greqisë, është më e madhe pas Luftës së Dytë (me ekipin e këshilltarëve I.Bowman, H.F.Armstrong, S.Welles, N. H. Davis, Xh. T. Shotwell,  L. Pasvolsky, Jon J. McCloy, A. Hiss dhe D.White) se sa ndihma e madhe e dhënë nga 14 parimet e CFR dhe enturazhi i Presidentit Uillson në Paris (grupi amerikan – E.House  B.Baruch, vëllezërit Dulles, A.Harriman etj,), lordi A.Milner, lordi Astor etj. Gjithashtu, SHBA dhanë në Shqipëri një kontribut të ethshëm në kohën e Luftës së Dytë. Një grup shumë aktiv i OSS (paraardhësja e CIA) ishte pozicionuar në Karaburun, i mbështetur nga nacionalistët e Ballit të fshatit Dukat. Dihet se të gjithë amerikanët do të largoheshin më 1947, pak pas zgjedhjeve farsë në Shqipëri. Më pas, SHBA krijuan me emigrantët politikë në prag të viteve ’50 Komitetin Shqipëria e Lirë dhe kishin kryer me të një aktivitet të paqëlluar diversionist e të dekonspiruar gjatë viteve ’50, duke i përdorur rekrutët shqiptarë, me dashje ose pa dashje, si kavie laboratori për t’i bërë presion ekuilibrues ish-BS. Por duke u kthyer te Z.Rajerson, ky do të mbështetej nga vizita e një zyrtari të lartë të SHBA, J.Baker, ish-sekretari i Shtetit. Vizita e tij e parë ditën e Kurban-Bajramit në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë fliste simbolikisht për një grishje të çuditshme të shqiptarëve në përqafimin e islamit. Kjo ofertë për riislamizim ndoshta kishte dhe ka lidhje me një strategji afatgjatë amerikane, që miqësinë me shqiptarët ta shfrytëzojë për t’u treguar vendeve të islamit ku ka naftë se, problemi i SHBA nuk është me islamin, por me terroristët; ose ka gjasa se SHBA po fillonte një axhendë strategjike të fuqizimit të islamit në Ballkan dhe të rritjes së trysnisë së tij ndaj botës së krishterë ortodokse dhe jugut të Europës Perëndimore, si në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm. Me këtë axhendë mund të ketë lidhje sot edhe rënia aktuale e Greqisë dhe fluturimi ekonomik i Turqisë. Madje në një vizitë gjysmë zyrtare të ideologut kryesor demokrat, z.Brzezinski, ky e kishte lënë të habitur z.P.Arbnori, kryetar i Kuvendit, kur e kishte pyetur se si do të reagonte Shqipëria kundër Greqisë, nëse kjo radikalizohej kundër çlirimit të Kosovës. Z.Rajerson u kontestua nga ish-komunistët e PPSH dhe z.Nano, çka i kushtoi atij disa vite burg deri në pranverë të vitit 1997, pas shpërthimit të burgjeve. Në kohën e z.Rajerson ishte vendosur edhe embargoja e naftës ndaj ish-Jugosllavisë të gjendur në luftërat e republikave për territoret dhe ky moment u pa si një rast i mirë që Shqipëria të ndihmohej e ta thyente këtë embargo për përfitim ekonomik; palët do të lodheshin në luftë e pastaj do të uleshin si pula të lagura (në Dejton). Këtë periudhë e dëshmon rritja e nivelit ekonomik në zonën e Malësisë së Madhe dhe ndërtimi i banesave moderne të kësaj treve të ngritura brenda 3-4 vjetësh. Nuk dihet roli i Rajersonit në çështjen e incidentit tragjik të Peshkopisë. Pas largimit të ambasadorit Zimerman dhe ndërprerjes së aktivitetit të Ambasadës së SHBA në Beograd, hierarkët e politikës ballkanike dëshironin të ruanin statukuonë. Problemet e vetme me një ambasador amerikan në Shqipëri në këto 20 vjet me politikanët e maxhorancës duket se kanë ndodhur në kohën e shërbimit të znj.M.Lino, kohë kur filloi rënia e lirë e shtetit shqiptar në fillim të vitit 1997. Znj.Lino vepronte me shumë diplomaci dhe ajo nuk ishte asnjëherë e drejtpërdrejtë në ato që dëshironte të shprehte. Mbrapa buzëqeshjes së saj rrinte e padukshme mbështetja ose ironia dhe cinizmi. Atëbotë, me qëllim që të ndryshonte planin e lojës së Elitës me qeverinë Meksi, Presidenti Berisha ftoi mikun e tij Rugova që ta nxiste për të filluar rezistencën e nxehtë ndaj serbëve; Rugova, që e dinte më mirë axhendën amerikane të Kosovës, nuk pranoi. Z.Berisha u përpoq të përdorte në këtë sens edhe politikanë të tjerë kosovarë si A.Demaçin apo ushtarakë si T.Berisha, për t’ua lënë amerikanëve Kosovën si patate të nxehtë në dorë. Znj.Lino dështoi më 1997 ta ndalte hovin e Nanos për t’u bërë kryeministër, hov i cili u bë nul pas rrezikut për eliminim fizik të tij me rastin e vrasjes së A.Hajdarit në shtator 1998. Nano shkoi si djali plangprishës te ‘armiku’ i tij i dikurshëm, K.Hill, në Maqedoni, me kular në qafë. Shprehjet e tij për Kosovën në takimet me Miloshevicin, në një kohë që NATO po ngrohte motorët e avionëve për zgjidhjen forcërisht të çështjes së saj, e kishin shqetësuar Elitën. Në skenë u ftua një kryeministër i ri, Z.Majko, pa lidhje me të kaluarën dhe që do të shërbente pa e kuptuar si një ‘frontman’ i Elitës në dobi të çështjes shqiptare. Duhet theksuar fakti se në dy momentet kruciale të shqiptarëve – çlirimi ushtarak i Kosovës dhe vitet e integrimit euroatlantik në NATO dhe BE – klasa politike shqiptare, pozitë-opozitë ka qenë e përçarë. Z.Limpreh ishte një ambasador shumë i drejtpërdrejtë (nursëz e më pak elegant se Arvizu), cinik me opozitën dhe liderin e saj Berisha. Madje ai filloi ta paraqiste z.Berisha si një mbështetës të terroristëve islamikë, gjatë kohës që kishte qenë President, çka bëri që z.Berisha dhe ish-ambasadori ynë në Washington, i ndjeri L.Dilja, të takonin përfaqësues më të lartë rajonalë të SHBA nga Vjena, duke pretenduar për një sinqeritet të tyre në bashkëpunimin me SHBA në vitet 1992-1997, si dhe duke kërkuar më tepër ndershmëri në deklarimet publike të z.Limpreht. Pas vizitës së Baker në Shqipëri, nuk mund të mos përmenden edhe dy vizita të tjera të zyrtarëve të lartë amerikanë: ajo e drejtorit të CIA, Porter Goss, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005, si edhe vizita e ish-Presidentit Bush më 10 qershor të vitit 2007, në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në strukturat e NATO. Vizita e drejtorit të CIA mund të ketë lidhje me largimin e butë të PS dhe z.Nano nga qeveria. Ndërsa vizita e Presidentit Bush (bonesman) shënon kulmin e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve tanë. Por e çuditshme kishte qenë edhe një vizitë e shkurtër private e Bushit plak & K.Pawell, në verën e v.1996 në Vlorë – kur PD sapo kishte filluar t’i rrëshqiste toka nën këmbë – vizitë e cila mund të ketë lidhje me një shpjegim të situatës dhe një premtim për rikthim të Berishës. Me sa duket në SHBA, ‘bonesman-ët’ e Jeillit kanë qenë mbështetësit kryesorë të Shqipërisë. Presidenti Bush u prit në Rinas nga Z.B.Topi, z.B.Blushi dhe z.L.Basha. Z.Topi sot është President; z.Basha është kandidat për kryebashkiak e mëtonjës si suksesori kryesor i Berishës në PD – në rast të kësaj fitoreje. Pas një shërbimi relativisht të pakontestuar nga palët ndaj z.Jeffrey (i dyshimtë është kontributi i tij për sjelljen e greko-amerikanit famëkeq, N.Gaxojani, në dhjetor 2002, çka solli rehabilitimin grek të Berishës në zgjedhjet e 2005) dhe znj.Ries, ambasadori J.Withers II dukej si mik me opozitën dhe z.Rama për dhjetëra çështje të parëndësishme, por në fakt ai për gjërat kryesore dhe vendimet e rëndësishme para fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme më 2009 si dhe në certifikimin e këtyre zgjedhjeve në favor të Berishës, ka luajtur një rol parësor. Por ky realitet me dy standarde dhe përkëdhelja e opozitës nga ana e z.Withers (nuk dihet roli i këtij ambasadori në rastin e marrëveshjes së ujërave me Greqinë), mund ta ketë lodhur SHBA, e cila dëshiron stabilitet në Shqipëri, duke bërë një ndërrim marrshi në formë me anën e z.Arvizu, por jo në përmbajtje. Duket se çështja për të ardhmen e E.Ramës shtrohet midis ‘bonesman-ëve’ të Jeillit, nga njëra anë, dhe anëtarit të Komitetit të 300-ve, Xh.Sorrosit (ashtu si në rastin Zog-Noli). Pas kundërshtimeve të vazhdueshme të z.Rama në lidhje me bizneset e ‘bonesman-ëve’ të Skull and Bones, si në rastin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës nga kompania Bechtel e D.Çenit, rasti i trajtimit të çështjes së Gërdecit, ku ka qenë i përfshirë indirekt Pentagoni dhe D.Ramsfeld, rasti i interpretimit të fundit tragjik të z. K.Trebicka, rasti i goditjes së bizneseve shqiptarë të këshilltarit amerikan të z.Berisha, T.J.Ridge (Fazlliçit), rasti diletant i inxhinieringut drejt dhunës së turmave më 21 janar si dhe konfrontimi i hapur me z.Arvizu, situata e z.Rama duket si e pashpresë. Në politikë nuk ka politikan-ante. Shprehja e z.Arvizu me rastin e tërheqjes së z.Berisha nga organizimi i një mitingu blu se “ai ishte sjellë si një burrë shteti”, natyrisht që nuk kishte lidhje me rastin në fjalë, por me mbështetjen amerikane ndaj sjelljes së tij të fortë e të paprecedent në historinë tone, më 21 janar; për këtë mjafton të shihni kuptimin e termit “burrë shteti” në përcaktimin e teoricienit të shquar Klausevic në librin e tij “Mbi Luftën”. Në rast të këtij skenari, në se pas zgjedhjeve z.Rama do të vazhdojë të sillet ashpër kundër këshillave të Elitës nën garancinë e rojeve të tij personale shtathedhur, ka gjasa që ky veprim do të ishte një gabim, po të kihen parasysh raste të ngjashme si ai i Aldo Moros në Itali, të cilit njeriu i CFR, H.Kisingeri, ja gjeti ilaçin me kohortat e Liçio Gelit.

© Panorama.al

Te lidhura