Nuk ka kaluar pa probleme miqësorja e djeshme e Hanoverit në Portugali vend në të cilin po zhvillon fazën përgatitore ndaj skuadrës holandeze të Herenvenit. Në mes të ndeshjes, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, lojtar i Hanoverit prej 14 vitesh, është zënë me lojtarin e Herenvenit, Gerald Sibon. Ky i fundit ka ndërhyrë ashpër ndaj Lalës, duke e dëmtuar në kavilje, aq sa në fund të ndeshjes “xhuxhi” kuqezi doli nga fusha me këmbë të fashuar. Sipas informacioneve të marra nga mediat gjermane, Lala i ka kërkuar shpjegime Sibonit, por ky i fundit ka reaguar duke e ofenduar. Kaq është dashur që Lala “të zërë për fyti” lojtarin holandez dhe më pas u desh ndërhyrja e lojtarëve të tjerë për të shuar sherrin. Kujtojmë se disa ditë më parë ishte lojtari shqiptar i Këlnit, Odise Roshi, ai që u përfshi në një incident në ndeshjen Këln-Hanover. Vlonjati pështyu një lojtar të Hanoverit, por më pas kërkoi falje për gjestin.











