Trajneri i Hanover 96, Mirko Slomka, aplikon larmishmëri ushtrimesh në seancat stërvitore me lojtarët e tij. Për pasojë, edhe Altin Lala, ish-kapiteni rekordmen i Shqipërisë për ndeshjet me fanellën kuqezi, ka rastin të dëshmojë aftësitë e tij jo vetëm futbollistike. Një moment të tillë e tregon edhe fotoja, ku shtatshkurtëri shqiptar i Hanoverit dylufton me një femër xhudiste, teksa është në kohën e traningut me skuadrën e tij. Atij i ka rënë për pjesë të ballafaqohet me Vivian Hermann, xhudisten profesioniste gjermane, madje ta mposhtë atë. Trajneri i skuadrës së xhudisteve profesioniste gjermane, Sven Loll, i cili fitoi medalje argjendi në Lojërat Olimpike të Seulit në vitin 1988, vlerësoi: “Altin Lala dhe Manuel Schmiedebach ishin po aq të gjallë e luftarakë në këtë tapet sa edhe në fushën e futbollit. Konstatova se ata kishin talent edhe për xhudon. Nëse do t’i mësonin teknikat e duhura të këtij sporti, suksesi i tyre s’do të vihej në dyshim.
“Është gjithmonë mirë, nëse në stërvitje provon diçka të re dhe të ndryshme nga menyja e zakonshme e futbollit,” – deklaroi Altin Lala pas përfundimit të dyluftimit, dukshëm i djersitur.











