Alternativa e trishtimit

Jan 23, 2012 | 9:57

DRITAN YLLI

Edi Rama dhe Partia Socialiste e drejtuar prej tij i humbën zgjedhjet vendore të majit të vitit të shkuar për disa arsye. Parë në retrospektivë, ajo që spikat më shumë si maja e ajsbergut, e kthyer  dhe në filozofi të veprimit politik të PS-së në vitet e fundit, është pa dyshim fushata e trishtueshme, gri dhe e pashpresë që ndërmori kreu i PS në zgjedhjet e 8 Majit. Kjo ndodhi veçanërisht në Tiranë (ku trishtimin e shtonte dhe më shumë fantazma prej “zombie” e sheshit “Skënderbej” në gjendjen që ishte katandisur). Rama e mbështeti fushatën e tij kryesisht te 21 janari, tek “vrasësi” Sali Berisha, tek “i korruptuari” Ilir Meta, te “vrasësi dhe i korruptuari” bashkë Lul Basha, te koalicioni PD-LSI, që edhe pse arritën suksesin e liberalizimit të vizave, ishte i turpshëm etj. etj. Kjo e bëri fushatën e tij jo entuziaste, shumë gri, të trishtë dhe krejtësisht të pashpresë. Krejtësisht në antitezë ishte fushata e kandidatit rival, sikurse e forcave që mbështesnin atë. Basha arriti të organizojë një fushatë të gjallë, plot fantazi në imazh dhe të qartë në angazhimet para qytetarëve, duke krijuar një shpresë dhe pritshmëri pozitive tek secili votues. LSI gjithashtu, pavarësisht se lideri i kësaj force ishte vënë në qendër të disa sulmeve dhe skenarëve, që edhe vetë propaganda naziste e Gëbelsit do ua kishte zili, arriti të transmetonte një alternativë zhvillimi dhe integrimi te qytetarët. LSI kishte në qendër të fushatës së saj punësimin e të rinjve, përmes hapjes së bizneseve të reja. Dhe duke u fokusuar veçanërisht te të rinjtë, aty ku qëndron shpresa dhe garancia për të ardhmen, LSI hodhi poshtë të gjithë parashikimet e zymta, duke u votëbesuar në mënyrë spektakolare nga qytetarët shqiptarë, veçanërisht në kryeqytet. Shkurt, fitoi alternativa e zhvillimit, kundrejt asaj të trishtimit. Thënë ndryshe, fitoi politika proaktive dhe pozitive, kundër asaj reaktive, të zymtë dhe pa të ardhme.
Dy episode aktuale…
Ajo që bie në sy dhe në këtë fillimviti, sikurse ndodhi dhe në fillimvitin e shkuar, lidershipi aktual i opozitës ofron shumë trishtim te shqiptarët. Këtë e bën përmes një politike dhe aksioni politik që ka në qendër elemente që ngjallin pasiguri dhe frikë për të ardhmen e shqiptarëve. Rama flet për Shqipëri ndryshe, një Shqipëri të shpresës dhe ringjalljes dhe ofron një realitet panoramik krejt tjetër. Të rinj që marshojnë me një arkivol në krah, të shoqëruar me leksik të rëndë në pankarta, përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, një ndër veprat simbol të krenarisë dhe bukurisë për gjithë shqiptarët. A ka pamje më të pështirë? A ka situatë më rrëqethëse dhe të trishtuar? Pamje kaq makabre krijojnë një pështirosje të tillë, që nuk mund të shlyhet as me programin më të mirë ekonomik që mund të paraqesë PS-ja. Sigurisht që nuk pritet nga të rinjtë e sotëm të kësaj partie të përshëndesin një vendim të drejtë dhe unanim të Gjykatës për ish-themeluesin e forumit rinor më të lavdishëm në historinë e politikës shqiptare, FRESSH dhe një ndër figurat simbol të krenarisë së kësaj organizate. Nuk e pret askush këtë, sepse tashmë FRESSH është RE:FRESSH. Por, denatyrimi i trishtë i emrit dhe qëllimit të FRESSH-it, duket se do të shkojë në të njëjtin drejtim me aksionet aspak rinore dhe të errëta, të të rinjve “modernë” të PS-së aktuale.
Rama flet për rilindje kombëtare dhe nxit përçarje ndër shqiptarë. Të premten e shkuar nuk u përjetua me dhimbje thjesht 21 janari i vitit të kaluar, ku humbën 4 jetë njerëzish të thjeshtë. Por kishte më tepër se kaq. Arriti të krijonte më shumë trishtim nga disa situata artificiale të mirorganizuara, duke përdorur dhimbjen e natyrshme. Nuk ka shqiptarë të mirë, që të mos ndiejë dhimbje nga humbja e jetës së katër shqiptarëve në 21 janarin e vitit të shkuar. Drejtësia pritet ta thotë fjalën e saj për organizatorët dhe fajtorët. Por natyrisht që nuk ka shqiptarë që të mos trishtohet edhe më shumë, kur shikon se si lidershipi i opozitës përdor një dhimbje të natyrshme të familjarëve të të vrarëve, për t’i ndërsyer në mënyrë të panatyrshme kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës. Kjo është e pafalshme. Është e rrezikshme, sepse përmban në vetvete reminishenca të vjetra të synimeve të armiqve të Shqipërisë, për të ndërsyer shqiptarët kundër shqiptarëve.
Është fakt që Edi Rama po e shndërron PS, pak nga pak, ditë pas dite, aksion pas aksioni, zgjedhje pas zgjedhjesh, jo vetëm në një humbëse sistematike, por dhe në një alternativë të pashpresë, jo vetëm për socialistët shqiptarë, por edhe më gjerë. E shprehur në mënyrë të figurshme, i ka dhënë kësaj force politike shumëçka nga fytyra e tij prej lideri autoritar dhe gjithnjë të ngrysur, me shumë pak buzëqeshje dhe optimizëm. Një forcë e vendosur në opozitë ka detyrimin politik dhe patriotik që të kundërshtojë ato ligje, vendime apo veprime të qeverisë që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Por, qenia në opozitë nuk do të thotë të kundërshtosh apo të mos jesh dakord edhe me vendime apo arritje të qeverisë, që janë në favor të interesit të qytetarëve. Sepse opozita është përfaqësuese e pjesës tjetër të votuesve, ndaj dhe duhet të mbrojë ato vendime që shkojnë për shtat edhe të votuesve të saj. Parë në këtë këndvështrim, s’duhet harruar që PS nën drejtimin e Ramës ka marrë dhe disa kosto të tjera, që do të rëndojnë mbi këtë forcë politike. Fushata e disa eksponentëve të saj kundër liberalizimit të vizave, qëndrimi sistematik kundër rrugës Durrës–Kukës, e pagëzuar me të drejtë si “Rruga e Kombit”. Bllokimet e rrugëve dhe djegia e gomave në arteriet kryesore të vendit, duke ndotur edhe ajrin që shërben për frymëmarrjen e të gjithëve pa dallim, të majtë apo të djathtë. Por, qoftë edhe një dëshpërim në rastin më të keq, apo mungesë entuziazmi në rastin më të mirë, të shifrave pozitive gjatë dy-tri viteve të fundit të performancës së mirë dhe rritjes ekonomike të vendit, kur kemi një situatë pesimiste në vendet e eurozonës, me të cilat Shqipëria ka shkëmbimin më të madh tregtar.
Partia Socialiste, si forca më e madhe e opozitës, përbën një alternativë të natyrshme që nesër të jetë në pushtet për të drejtuar shqiptarët. Por kurrsesi kjo nuk mund të ndodhë përmes një alternative trishtimi, por përmes një alternative zhvillimi dhe integrimi. Dhe natyrisht me një fytyrë jo kaq të ngrysur, të kandidatit për Kryeministër.

© Panorama.al

Te lidhura