Alibeaj: Duhet kandidat politik, mundësisht konsensual

Jun 10, 2012 | 12:07
Enkelejd Alibeaj

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje se kandidati i ri për postin e Presidentit do të jetë një figurë politike. Pas tërheqjes nga gara të kandidatit jozyrtar të maxhorancës, demokrati Enkelejd Alibeaj tha për “Ora Nevvs” se përzgjedhja e të njëjtit profil si ai i Zaganjorit për postin e Presidentit do të ishte një fyerje për maxhorancën. Sipas tij, kryetari i opozitës nuk dha arsye të qenësishme për të hedhur poshtë emrin e Zaganjorit, dhe si e tillë demokratët theksojnë se vendit tashmë i duhet një kandidat politik. “Unë mendoj që Presidenti i Republikës, siç është vizatuar nga Kushtetuta, ka dy lloj kompetencash, ato juridike-gjyqësore dhe së dyti ai duhet të dalë si një figurë politike për raste decizive për vendin. Deri më sot ka vuajtur në të qenit një figurë e moderuar politike, për këtë jam i mendimit që duhet të jetë figurë politike e testuar dhe e stazhinuar. Për sa kohë Rama s`dha asnjë arsye në kundërshtimin e figurës së Zaganjorit, do të ishte fyerje të nxirrnim një figurë që të kishte të njëjtin ngjyrim me atë të Zaganjorit. Të qenit politik, por jo ekstremisht politik, do të ishte më e arsyeshme. Mundësitë dhe hapësirat janë, kohë për t’u dhënë hapësirë tekave dhe mosbesimit të Ramës nuk kemi. Posti i Presidentit mund të ishte një post pensionisti, nuk mund të rrimë në këtë çështje kur kemi angazhime më të mëdha përpara”, pohoi Alibeaj. Ndërkaq, deputeti demokrat e ka vlerësuar lëvizjen e Zaganjorit si një akt të pastër presidencial, një lëvizje në funksion të pajtimit të gjakrave, duke u sakrifikuar vetë. “Zoti Rama së bashku me minorancën synojnë të prodhojnë një President që të mos ketë mbështetjen e të gjithë spektrit politik, për të pasur një mundësi për ta anatemuar më pas, ndoshta duke hedhur dhe vallen për mosmarrjen e statusit në vjeshtë”, theksoi Alibeaj.

© Panorama.al

Te lidhura