
Jeton në Australinë e largët dhe, sa herë që vjen në Tiranë, merr me vete një mik apo mikeshë të huaj, që i kërkon të udhëtojë me të për orë të tëra për të shuar kuriozitetin për këtë vend të vogël. Por eksperienca e këtij udhëtimi me një mik të huaj ka rezultuar disi e hidhur, për faktin se i është dashur që bashkë me mikun e tij t’u japin sqarime policëve të qarkullimit rrugor, ndërsa janë ndaluar pranë ish-Kinostudios në taksinë me të cilën po udhëtonin në fundjavë, për t’u kthyer në shtëpinë e tij. “Ishte ora 02:00 pas mesnate dhe bashkë me mikun tim që nuk është shqiptar po ktheheshim me taksi, kur policët që kishin ngritur postbllok në atë aks rruge, na ndaluam dhe na detyruan të dalim nga taksia, me sjellje arrogante dhe ton fyes”, tregon Alia. Më tej, ai shton se “jemi detyruar të qëndrojmë minuta të tëra duke u sqaruar me ta pasi, përveç sjelljes brutale ndaj nesh, na acaroi fjalori përtokë i tyre. Natyrisht që ligji duhet të zbatohet, por një turist i huaj siç ishte miku im pas asaj skene jam i sigurt që nuk do dëshirojë më të shkelë në Shqipëri”, sqaroi Alessio. Alia udhëton çdo verë në Tiranë ku shijon dhe pushimet, ndërkohë që në Australi momentalisht është dimër. Ai vjen gjithmonë me një projekt artistik, dhe këtë verë ka udhëtuar për xhirimet e klipit të parë të motrës së Aurela Gaçes, klip që pritet të publikohet së shpejti. Alessio është protagonist në klip si imazh, ndërsa për sa i përket jetës së tij private ende nuk bëhet fjalë për ndonjë lidhje të re pas ndarjes nga e dashura australiane.











