Bëhuni bionde platin. Për vajzat që duan të bien në sy, të guxojnë me te kuqen. Dhe një lajm i keq për brunet, ndryshoni ngjyrë, ose jeni jashtë mode këtë verë!
Janë një çift që janë dashuruar nga ngjyrat. Ai, stilisti i vetëm i flokëve në Tiranë, që provat me nuancat e reja i bën mbi kokën e tij, para se t’i përdorë te klientet femra, por edhe meshkuj. Ajo, grimiere e talentuar që i merr ato në dorë për t’i shndërruar totalisht, pasi bashkëshorti i saj i ka transformuar në flokë. Quhen Aleksi dhe Silva, të marrosur pas njëri-tjetrit siç thonë dhe po kaq, edhe pas profesionit. Së bashku kanë një sallon bukurie në rrugën “Myslym Shyri”, por edhe një vajzë, Mishelën 1-vjeçare. Shpesh e marrin edhe atë në punë, pasi sezoni i verës është më i ngjeshuri me punë. “Sigurisht, edhe me para”, thotë Silva, ndërsa Aleksi shton duke qeshur: “Kjo e di më mirë, se mban kuletën”. Por me klientët, duket se janë të zotë të dy, sidomos me këngëtaret, dy prej të cilave i gjejmë aty: Valbona Mema dhe Anjeza Shahinin…
Aleks, duket se këngëtaret janë të tërhequra nga ty?
Shtttt, mos të dëgjojë Silva (qesh). Nuk tërhiqen prej meje, por nga salloni ynë. Unë si stilist flokësh dhe Silva si grimiere bëjmë një punë të mirë në ekip, cilësi por edhe shpejtësi njëkohësisht, duke mos i lënë të presin gjatë. Por është e vërtetë, më së shumti këtu vijnë këngëtaret, se njëra ka sjellë tjetrën e kështu janë bërë shumë.
Për shembull?

Aleksi: Valbonën e Anjezën i sheh vetë. Është Aurela Gaçe, Marjola, shpesh Zajmina, etj. Nga Kosova më vijnë shumë, si: Valza Bajra, Shota Baraliu, Fjolla Morina, Dafina Dauti etj.
Cila prej këtyre ka më shumë teka?
Aleksi: Përveç herës së parë kur më kanë ardhur në sallon, asnjëra nuk ka teka. Madje lënë gjithçka në dorën time. Bëjnë atë që u sugjeroj unë.
Dhe çfarë u ke sugjeruar për këtë sezon. Cila ngjyrë është në modë?
Aleksi: Bionde, në nuancat platin. Jo të gjitha femrave ju shkon dhe është një ngjyrë e vështirë, kështu që duhet patur kujdes në zgjedhje. Kjo ngjyrë tenton të oksidohet dhe nuk duhet të japë efektin e flokut të djegur.
Atëherë, një Tiranë me bionde këtë verë?
Aleksi: Edhe e kuqja. Sigurisht është një “ever green”, e cila nuk e humb asnjëherë bukurinë e saj. Sidomos nëse ngjyra është shumë e thellë, kjo do t’ju tregonte edhe më të bukur.
Po femrat që nuk duan të jenë as bionde, as të kuqe, çfarë mund të zgjedhin?
Aleksi: Gështenjën e thjeshtë. Mund të luajnë me disa nuanca brenda saj, por vetë asnjëherë të zeza për këtë verë.
Po tjetër, çfarë është “e ndaluar” me flokët këtë verë?
Aleksi: Flokët me fije, mbi të gjitha ato që bëhen me shirita. Nuk janë aspak në modë dhe tentojnë t’i tregojnë më të moshuara se ç’janë.
Çfarë modeli flokësh do të sugjeronit?
Aleksi: Do të sugjeroja gërshetin. Mund të bëhet te flokët e gjata, por mund të rregullohet edhe me flokë të shkurtra (si edhe mund të vendoset gërsheti artificial). Nuk ka rëndësi lloji i flokut, të holla, të dendura, të drejta, me dredha, efekti gërshet do të dalë elektrizues.
A nuk është i lodhshëm?
Aleksi: Gërsheti mund të jetë i trashë ose i hollë, vetëm një i madh ose disa të vegjël, i thjeshtë ose i komplikuar, i lëmuar ose i shpupuritur, por jo i lodhshëm. Nuk kërkon kurrfarë shkathtësie të veçantë, ndërkaq krijon një pamje të thjeshtë, por shumë seksi. Ndërsa flokët që i bëni gërshet, mund të kapen të gjitha dhe të ngrihen, ose të jenë gjysmë të lëshuara.
Po përveç gërshetit?
Aleksi: Flokët me tallaze, si me dredha natyrale. Ka dhe procedurë të thjeshtë. Gjeni një lidhëz flokësh, mbështillni disa tufa dhe lërini për disa sekonda. Lëshoni tufat dhe flokët përnjëherë do të bëhen të bujshme dhe me tallaze. Pamje sensuale dhe seksi!
Gërshet dhe tallaze. Po femrat me flokë të shkurtër, çfarë të bëjnë?

Aleksi: Flokët e shkurtër duan një fytyrë të përsosur. Ato që nuk e kanë këtë fytyrë, le të rrinë të paktën te flokët deri te shpatullat. Me atë gjatësi bëhen të dyja, dhe gërshetat dhe tallazet.
Nga flokët te grimi. Çfarë është në modë?
Silva: Grim i lehtë ditor me një buzëkuq të zjarrtë, si shkëlqim të artë për sytë. Ky kombinim vjen për shkak se tashmë lëkura është nxirë nga rrezet verore.
Po për femrat që i kanë kaluar të 40-tat?
Silva: Rregulli i artë: Këto femra të harrojnë kontrastet! Për vetullat të përdorin lapsa në ngjyrë kafe ose gri, të cilat kombinohen me nuancën e flokut. Buzkuqi ideal është me ngjyrë të çelur, pa gloss, me një përjashtim kur është i kuq. Nëse një e kuqe e fortë duket vulgare për një femër nën 35 vjeç, duket se është krijuar enkas për një zonjë elegante mbi të 40-at. Kushti i vetëm: mos ta aplikojnë asnjëherë pa e shoqëruar me një krem pudër të mirë dhe një pudër me efekt hidratant.
Po për sytë?
Silva: Makiazhi i syve duhet realizuar me shumë kujdes dhe këtu hyjnë në punë lapsat rezistente. Mos të përdorin tush, pasi është shumë e vështirë të korrigjohet, nëse nuk është një dorë profesionale. Lapsi duhet të zgjidhet në nuancën e ullirit, gri mesatare dhe do të përdoret për qepallën e sipërme. Duhen eliminuar ngjyrat rozë e fortë, portokalli elektrizuese, e kuqe e pastër. Në përgjithësi duhet të evitohen produktet shumë të thata (pudra, fardi i fytyrës nën formën e pudrës), pasi kanë tendencën të nxjerrin në evidencë rrudhat.
Këshilla nga Aleksi
Që të jeni të sigurta se flokët tuaja do të jenë të freskëta dhe të shëndosha, pas të gjitha këtyre argëtimeve verore, investoni në produktet kozmetike, të cilat do të neutralizojnë efektin e dëmshëm të kripës, klorit dhe diellit. Për njomje do të kujdesen përbërësit e preparateve, si vaji i bajames së ëmbël dhe provitamina B5, ndërsa me lagështi do t’i furnizojnë elementet e rëndësishme, si ekstrakti i farave të lulediellit. Gjatë verës, flokët nuk duhet t’i lani më shpesh se dy herë në javë, me kusht që të pastroheni me ujë pas çdo larjeje në det ose në pishinë.
Kurseni flokët nga modelet e flokëve dhe lini të lëshuara që edhe ato ta shijojnë periudhën me relaksuese të vitit. Sa për ngjyrat, biondet do të vazhdojnë të jenë në modë, ndërsa do të luhet edhe me nuancat e së kuqes. “Uraganët” Lady Gaga dhe Rihana nuk ndalen edhe në këtë fushë.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











