Predha që goditi Aleks Nikën, të vrarin e katërt më 21 janar në Tiranë, është e dëmtuar në një masë të konsiderueshme.Konstatimi vjen nga ekspertët që kanë marrë në dorëzim plumbin që i mori jetën 36-vjeçarit nga Lezha, pas kthimit të predhës nga Turqia rreth dhjetë ditë më parë. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, predha e gjetur në trupin e Aleks Nikës është dërguar për ekspertizë menjëherë pas kthimit nga Turqia.
I riu nga Lezha, që u plagos rëndë më 21 janar rreth orës 14:45, gjeti vdekjen dy javë më pas në një spital në Turqi, ku u dërgua për kurim. Atje mjekët nxorën plumbin nga trupi, por predha u mbajt për procedura burokratike deri në ditët e para të muajit prill 2011. Prokuroria, e cila e kishte kërkuar predhën për efekt ekspertimi, sapo e mori atë në dorëzim, e dërgoi për ekspertizë. Verifikimi i Policisë Shkencore do të bënte një krahasim të plumbit me 75 copë automatikë dhe rreth 60 armë pistoleta, të gjitha 9 mm, të sekuestruara te Garda e Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit. Burimet nga hetimi i çështjes thonë se deri tani nuk ka pasur rezultat për përputhjen e predhës me ndonjë nga armët e Gardës. Shkak duket se ka qenë fakti se predha është dëmtuar në vjaskat e saj, elementi i vetëm dallues që shërben për ekspertimin në fjalë. Bazuar në vjaskat (gjurmët) e lëna në predhë nga pjesa e brendshme e tytës së armës në momentin e qitjes, bëhet edhe identifikimi i automatikut apo pistoletës që ka kryer qitjen. Në lidhje me dëmtimet e predhës hetuesit kanë dy versione, por që asnjëri prej tyre nuk është konfirmuar ende. Varianti i parë është një rikoshetë e plumbit në ambient, para se të godiste viktimën dhe versioni i dytë është dëmtimi i plumbit në kockat e 36-vjeçarit nga Lezha, pasi nga ekzaminimet del se predha i kishte prekur atij një pjesë të kafkës së kokës.
Akuza
Nga katër persona të vrarë më 21 janar 2011 në Tiranë, ekspertizat e predhave të armëve kanë identifikuar vetëm një efektiv të Gardës që provohet se ka kryer vrasje. Arma e Agim Llupos, një automatik MP 5, model turk, është përputhur me predhën që është gjetur në trupin e Ziver Veizit. Për tri viktimat e tjera nuk është arritur të faktohet me ekspertizë arma e vrasjes, pasi predhat nuk përputhen.
Hetimi
Prokuroria ka shtyrë një eksperiment të parashikuar për t’u zhvilluar në vendin ku ndodhën vrasjet e katër personave më 21 janar. Shtyrja është bërë me qëllim përfundimin e ekzaminimeve dhe ekspertizave për katër viktimat, në mënyrë që eksperimenti të zhvillohet më pas për secilin prej tyre. Ky veprim hetimor ka
për qëllim që të saktësojë vendin dhe projeksionin nga i cili janë qëlluar me armë viktimat.











