Në tryezën e fundit të partive opozitare krerët e tyre u kanë parashtruar socialistëve propozimet për reformën zgjedhore. Në qendër të këtyre propozimeve qëndron procesi i administrimit të zgjedhjeve dhe sistemi zgjedhor, ku partitë e vogla ndihen të përjashtuara. Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri, të pranishëm në tryezën e opozitës, kanë komentuar opsionet e paraqitura nga aleatët për këtë reformë. Paskal Milo, Nard Ndoka dhe Petro Koçi kërkojnë ndryshim të sistemit aktual zgjedhor. PDS kërkon sistem proporcional kombëtar ose korrektim të sistemit proporcional rajonal. Ndërsa kreu demokristian mësohet se është për një sistem proporcional rajonal me zona më të mëdha zgjedhore, për t’i dhënë një peshë specifike të barabartë votës së qytetarëve në të gjithë vendin. “Ne jemi për sistem proporcional rajonal jo me 12 qarqe, por me 6 qarqe të mëdha. Skema e 12 qarqeve për ne është antikushtetuese, sepse nuk krijon barazinë e votës së çdo qytetari nga njëri qark në tjetrin, por kemi dhe diskriminim të partive nga ky sistem, ku mijëra vota mbeten të pallogaritura. Mund të krijohet një model me 6 zona që të jenë të barabarta, si peshë specifike e votës”, është shprehur Ndoka. Për kreun e PDS-së, përbërja e komisioneve zgjedhore duhet të jetë jo bipartizane dhe jo politike, që nga KQZ-ja e deri te komisionet më të ulëta. Duke folur për mënyrën e votimit, kreu i PDS-së është shprehur për një votim elektronik. Edhe aleati tjetër i PS, Nard Ndoka, kërkon administrim jopolitik të zgjedhjeve, ndërsa shprehet se numërimi i votave duhet të bëhet në çdo qendër votimi. “Administrimi i zgjedhjeve të bëhet jo me përfaqësues partiakë, por me gjykatës, punonjës civilë, duke parë dhe modele të tjera. Duhet të çlirohen zgjedhjet nga përfaqësuesit partiakë”, mësohet të jetë shprehur Ndoka, ndërsa propozon se në votim duhet të identifikohet çdo zgjedhës në mënyrë elektronike, përmes kartës së identitetit. Kreu i Misionit të ODIHR-it të zgjedhjeve të 8 majit, Xhonatan Stonstrit, gjatë një takimi në Tiranë këtë javë kërkoi një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. “Të gjitha palët janë të interesuara të fillojë reforma zgjedhore, kjo të bëhet pa u nxituar dhe të lihet kohë deri te zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ranë dakord që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, ku të jenë të pranishme partitë parlamentare, ato jashtë Parlamentit, si dhe shoqëria civile”, u shpreh Stonstrit.











