
Aleatët e PS, pjesë e koalicionit zgjedhor “Aleanca për të ardhmen” kanë hedhur akuza ndaj kryesocialistit për zgjedhjet e 8 majit 2011 dhe reformën zgjedhore. Në një takim të përcaktuar më parë nga kryesocialisti, dje në mesditë, rreth 10 kryetarë partish, të cilësuar të vogla, të cilat në zgjedhjet e 8 majit nuk arritën as 1 për qind, akuzuan Ramën se nuk i ka ndihmuar ata në zgjedhje në ruajtjen e votës, por dhe në ndarjen e financave zgjedhore. Fillimisht Rama e ka cilësuar këtë takim si një takim për të hedhur disa mendime për reformën zgjedhore dhe angazhimin e PS për të mbrojtur interesat e tyre në Komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore ku dy partitë e mëdha, PS dhe PD, përbëjnë shumicën. Në takim ishte dhe Ndre Legisi, sekretari socialist për Koalicionet. Por aleatët e vegjël të PS-së kanë adresuar kritika të forta ndaj kreut të saj. Kryetari i Partisë së Pensionistëve shqiptarë, Selami Jeminsheri, e ka akuzuar Ramën se bashkë me Berishën kanë shkatërruar sistemin politik dhe atë zgjedhor në Shqipëri. Ai ka kërkuar që PS të dalë e qartë para publikut me projekt konkret se si të luftohet korrupsioni në administratë, në Gjyqësor, në Arsim në mënyrë që t’u tregojnë shqiptarëve se janë ndryshe nga PD. Gjithashtu, Jeminsheri ka adresuar kritika dhe për mënyrën e padrejtë të ndarjes së financave zgjedhore, ku dy partitë e mëdha marrin pothuaj të gjithë fondin, në kurriz, sipas tij, të partive të vogla. Po ashtu, në këtë takim, edhe kreu i Partisë Toleranca e Re e Shqipërisë, Avdi Keci, që përfaqëson interesat e komunitetit egjiptian, ka kërkuar një shpërndarje më realiste të fondeve financiare për partitë e koalicioneve. Të gjitha partitë kanë mbështetur propozimin e bërë dhe nga partitë e tjera aleate për korrektim të sistemit zgjedhor. Në përfundim të takimit, kreu i G99-s, Ervin Mete, tha për mediat se pjesë e diskutimeve ka qenë reforma zgjedhore, por edhe rakordimi i një programi të përbashkët politik. “Nuk ishte takim ngushtësisht vetëm për çështjen e reformës zgjedhore. Ishte një takim me partitë aleate për të konsoliduar më tej bashkëpunimin, për të diskutuar për strategjinë për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh kreu i G99-s.
Sot, takim për 21 janarin
Kreu socialist ka planifikuar një takim me aleatët e tjerë të PS, PSD, PDS, PDK, PSV ‘91, PLiDr, PBDNJ etj., me të cilët do të përcaktojë strategjinë se si do të dalë opozita e bashkuar në homazhet e 21 janarit në nderim të katër viktimave që humbën jetën një vit më parë. Ndërkohë, strukturat e PS janë lajmëruar që homazhet të bëhen të qeta, me njerëz të përzgjedhur ku të respektohen ritet dhe traditat familjare.
© Panorama.alRrogat e arsimtarëve përplasin Berishën me Ramën
Politikat arsimore dhe rritja e rrogave në këtë sektor përplasin sërish në distancë Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama. Në mesditë, kreu i Ekzekutivit u shpreh se maxhoranca arriti të dyfishojë rrogat e arsimtarëve. “Në përpjekjen tonë të madhe gjatë këtyre viteve, duke e përcaktuar arsimin si një ndër, ose si përparësinë më madhore, duke përcaktuar garën e dijes garë kryesore në këtë vend, ne, me një vendosmëri, por jo pa vështirësi, ia dolëm që një hark kohor të shkurtër të dyfishojmë dhe mbidyfishojmë rrogat e arsimtarëve”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “politika e vendosjes së mësuesit në epiqendër dora-dorës me konsolidimin e saj u shoqërua edhe me ndryshime të thella dhe rrënjësore të sistemit arsimor. Tani nuk ka më largime nga ky sistem, por është e kundërta. Ka kërkesa të shumta për punësim në këtë sistem të vajzave dhe djemve të arsimuar”. I menjëhershëm ishte reagimi i Ramës, i cili përmes “Twitter”-it iu përgjigj Kryeministrit duke thënë se falë këtyre politikave ekonomike, mësuesit paguajnë më shumë taksa se kreu i qeverisë. “Mësuesit paguajnë më shumë taksa se Kryeministri, blejnë më pak se më parë dhe dëgjojnë përralla që s’kanë lidhje me realitetin e jetës së tyre. Programi ynë i ri ul taksat për mësuesit, korrupsionin e paaftësinë e zëvendëson me transparencën e meritën, arsimin shqiptar e bën europian”, shkroi Rama në “Twitter”. Por, sipas Berishës, “Rama këtë problemin e taksës progresive nuk e ka për gjë tjetër veçse për atë grupin e biznesmenëve të tij, që tani nuk e sponsorizojnë më qëkur iku nga Bashkia. Tani edhe drekat që shtron, rroftë Gjushi, se nuk i afrohen më as Fideli dhe as ata të tjerët, të cilët nuk japin më asnjë kacidhe, sepse nuk ka më leje duke bllokuar lejet e të tjerëve. Por kjo nuk mund të na udhëheqë ne. Politika nuk bëhet me inate, as me kundërshtira”.












