Aleatët bomba edhe pranë rezidencës së liderit libanez

Mar 21, 2011 | 9:44

Pas bombardimeve të para të koalicionit perëndimor kundër Libisë, qeveria e Geddafi-t ka deklaruar dje armëpushimin e saj të dytë.Ata thanë se vendi po përballet me një “agresion barbar” dhe u kanë dhënë urdhër forcave të tyre të armatosura të mos qëllojnë. Qeveria e Geddafi-t i ka kërkuar popullit libian që të bashkohet në një “marsh paqësor” simbolik nga Tripoli në Benghazi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka ngritur dyshime mbi kohëzgjatjen e armëpushimit të kësaj radhe. Megjithëkëtë, një shpërthim i madh u dëgjua në Tripoli, si një raketë anti-avionësh, vetëm një orë pas shpalljes së armëpushimit. Korrespondentët e huaj thonë se nuk dihet se nga cila palë erdhi ai shpërthim. “Sky” raportoi se një re e madhe tymi po dilte nga një zonë pranë rezidencës së Geddafi-t në Tripoli. Kryeministri britanik, David Kameron, mblodhi dje këshillin e tij të sigurisë “Kobra” për të diskutuar mbi Libinë. Pas takimit, në mbrëmje ata deklaruan se do të vëzhgojnë situatën dhe respektimin e armëpushimit. Aktualisht nuk ka asnjë plan të ri të bërë publik mbi rrjedhën e veprimeve nga koalicioni perëndimor. Avionët luftarakë francezë nuk kanë hasur në rezistencë gjatë përforcimit të zonës së ndalim-fluturimit të dielën paradite, sipas një zëdhënësi të Ministrisë britanike të Mbrojtjes. 15 avionë luftarakë francezë kanë patrulluar qiellin mbi Libi, por ata nuk i qëlluan asnjë mjeti ajror apo tokësor, pasi nuk kanë hasur në asnjë lloj rezistence. Pak pas fillimit të sulmeve ajrore mbi Libi, kryeministri Sali Berisha, ofroi ndihmën e Shqipërisë për të lehtësuar veprimet e koalicionit ndërkombëtar. “Shqipëria mbetet e gatshme t’i ofrojë lehtësitë e nevojshme koalicionit ndërkombëtar në misionin e tij shumë të rëndësishëm për lirinë, paqen, dhe stabilitetin në Mesdhe”, thuhet në deklaratën e tij.
Katari, vendi i parë nga anëtarët e Ligës Arabe, u bashkua dje me forcat e koalicionit. Ky vend dërgoi katër avionët luftarakë, sipas Ministrisë franceze të Mbrojtjes, cituar nga AFP-ja. Qipro është deklaruar kundër përdorimit të bazave britanike në ishull për të përforcuar zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi, por nuk ka fuqi për ta ndaluar përfshirjen e tyre. Britania ka dy baza sovrane ushtarake në Qipro. Edhe Turqia është shprehur kundër kësaj ndërhyrjeje, duke i kërkuar NATO-s që të rishikojë planin e saj për sulmin në Libi. Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, tha se ai shpresonte që nuk do të jetë i nevojshëm një aksion afatgjatë ushtarak. “Nëse Libia do të kishte nisur procesin e ndryshimeve njëlloj si Tunizia dhe Egjipti, nuk do të kishte paguar këtë çmim”, tha ai në Arabinë Saudite. Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, e ka dënuar “bombardimet diskriminuese” nga SHBA-ja dhe aleatët e saj në Libi, duke deklaruar se SHBA-ja kërkon naftën libiane. Ai paralajmëroi Obamën të mos tentojë një ndërhyrje të tillë në vendin e tij. Ndërkohë, në SHBA republikanët kanë kërkuar nga Presidenti Obama të sqarojë qartësisht popullin se çfarë është misioni amerikan në Libi. Si komandant i forcave të armatosura. Gjatë ditës së djeshme Presidenti amerikan tha se misioni i SHBA-së në Libi do të zgjasë vetëm për pak ditë dhe më pas komanda do t’i kalojë një prej forcave të tjera të koalicionit drejtues, ku përfshihet Franca, Britania, Italia, Kanadaja. Irani ka paralajmëruar Libinë kundër synimeve të “kolonizimit” të Perëndimit, duke thënë se ato janë të motivuara nga nafta. Teherani e kishte mbështetur rebelimin kundër Geddafi-t, duke e cilësuar atë si një pjesë të “zgjimit islamik” në të gjithë rajonin arab. Me gjithë këtë, Irani shprehu dyshime mbi ndërhyrjen ushtarake në Libi. “Qëllimet e veprimeve të vendeve dominuese në pushtimin e vendeve të sunduara janë gjithmonë të dyshimta”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast.

Tërbimi i Geddafi-t: Ju pret një luftë e gjatë

Lideri libian, Moammar Geddafi, i ka cilësuar vendet e koalicionit që bombarduan vendin e tij si “terroristë” të dielën, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë nisur mandatin e miratuar në Këshillin e Sigurimit për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit për të mbrojtur civilët libianë nga lideri i tyre. Geddafi tha se bombardimet ishin një përballje e re mes popullit libian dhe “nazistëve të rinj” dhe ka premtuar se do të ketë një “luftë të gjatë”. “Ju keni provuar përpara botës se nuk jeni njerëz të civilizuar, se ju jeni terroristë, kafshë që sulmoni një komb të sigurt që nuk ka bërë asgjë kundër jush”, tha Geddafi, në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror libian. Geddafi nuk është paraqitur fizikisht gjatë fjalimit, për të mos dhënë detaje se ku ndodhej ai aktualisht. Gjatë fjalës së Geddafit, televizioni shtetëror libian ka transmetuar pamje të një grushti të artë që shtypte një avion model që lexonte “USA”, një monument në Tripoli që i dedikohej bombardimeve amerikane mbi Libinë në vitin 1986, në të cilin një avion amerikan u rrëzua. Në të njëjtën kohë që Geddafi fliste, forcat e regjimit të tij po shkatërronin qytetin Misrata, duke përdorur tanke, artileri dhe topa. Geddafi u ka thënë forcave të koalicionit se në tokën e Libisë do të gjejnë ferrin. Një telefonatë në televizionin “Al Jaseera” dëshmonte se forcat e Geddafi-t kanë shkatërruar gjithçka që i ka dalë para në qytetin Misrata dhe se sulmi ende vazhdon në të gjithë qytetet ku janë vendosur bazat e rebelëve. Geddafi tha gjatë fjalimit televiziv se i ka hapur të gjitha depot e armëve dhe se njerëzit tashmë janë të gjithë të armatosur me automatikë, mortarë e bomba. Një ditë më parë ai i bëri thirrje botës për të ndërhyrë kundër forcave të Perëndimit që po sulmonin vendin e tij. Geddafi e quajti koalicionin që ndërhyri në Libi, “një agresion kolonial kryqëzate, që mund të provokojë një tjetër luftë kryqëzatash në shkallë të gjerë”. Televizioni libian ka transmetuar të dielën pamje të njerëzve që kishin dalë në mbrojtje të Geddafi-t. Njerëzit marshonin në rrugët e Tripolit dhe qytete të tjera. Gratë bërtisnin, burrat mbanin në duar flamuj dhe foto të liderit libian, Geddafi, duke brohoritur: “Zoti, Muammar dhe Libia, kaq ka!”

Kritikat e Ligës Arabe

Kreu i Ligës Arabe ka kritikuar bombardimet e ndërkombëtarëve në Libi, duke thënë se ato kanë shkaktuar vdekjen e civilëve. Mbështetja e Ligës Arabe për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi javën e kaluar, ndihmoi për të kapërcyer dyshimin e Perëndimit për ndërhyrje ushtarake në Libi. OKB-ja autorizoi jo vetëm një zonë ndalim-fluturimi, por edhe “të gjitha masat nevojshme” për të mbrojtur civilët. Amr Moussa tha se operacionet ushtarake kanë shkuar përtej asaj që mbështeti Liga Arabe. Moussa u tha reporterëve të dielën se “ajo që ndodhi ndryshoi nga objektivat e zonës së ndalim-fluturimit”. Ai tha se Liga Arabe kërkonte mbrojtjen e civilëve, dhe jo vrasjen e më shumë prej tyre. Ka raportuar se 48 njerëz kanë humbur jetën, përfshirë edhe civilë.

Frattini: Çdo mjet për të liruar “Asso 22”

Qeveria italiane tha se do të përdorë “çdo mjet të mundshëm për të liruar rimorkiatorin “Asso 22”, të kapur nga forcat libiane në portin e Tripolit. Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, tha për AP-në se “tani ata po e çojnë në bazën e një rafinerie Eni. Nuk e dimë se cilat janë synimet e tyre, por nuk mund të përjashtojmë se bëhet fjalë për konfiskim, meqë është ende një situatë konfuze. Forcat e koalicionit po përdorin shtatë nga bazat ajrore të Italisë për sulmet e tyre drejt Libisë, ndërsa Italia ka ofruar katër anti-radarë “Tornado” dhe katër avionë sulmi për të marrë pjesë në bombardime.

© Panorama.al

Te lidhura