
TIRANE- Aleanca Kuq e Zi denoncoi dje veprimet e fshehta që sipas saj po bëhen në Përmet, për të shkatërruar Pallatin e Kulturës dhe bustin e Naim Frashërit, me qëllim ngritjen në vend të tyre të kishës ortodokse. “Po gërmohet brenda godinës për ta rrëzuar. Punimet po kryhen nën kujdesin e priftit të kishës ortodokse në Përmet. Gërmimi po bëhet pa leje dhe organet e pushtetit vendor nuk reagojnë ose janë bërë pjesë e këtij skandali. Po veprohet njëlloj si me varrezat e Kosinës. Ka të dhëna të dokumentuara se gërmimi bëhet natën dhe dheu nxirret me karroca dore, duke u hedhur direkt mbi makinë për ta transportuar gjetkë. Ka zëra që thonë se gërmimi po bëhet për ta shembur godinën, ndonëse ka dhe të tjerë që pohojnë se brenda Pallatit të Kulturës do të ndërtohet një kishë, duke e bërë fakt tjetërsimin e këtij institucioni kulturor”, thuhej në deklaratën e Aleancës. Sipas saj, në vitin ’97, përfaqësues të kishës shfaqën pretendimin për të marrë pronësinë mbi Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”. Por, Bashkia nuk pranoi tjetërsimin. Palët ranë dakord që zgjidhja të bëhej nga organet e drejtësisë. Të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Kushtetuesen kanë vendosur që Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, t’i shërbejë kulturës së atij qyteti dhe të mos i kalojë kishës. “Kryepeshkopi Anastas Janullatos, pas vendimit nuk pranoi të largonte njerëzit e tij që kanë zaptuar Pallatin e Kulturës. Madje ka kërkuar hapur të sfidojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që të bëhet patjetër kisha në vend të tij. Nuk është fjala se Janullatos nuk gjen dot vend tjetër për të ndërtuar kishë në Përmet, ku aktualisht janë tri të tilla, por kërkon të shkatërrojë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”. Të largojë bustin e Naimit, këtij burri të madh për kombin shqiptar, i cili është arkitekti i gjuhës shqipe, profeti ynë”, thuhej më tej në deklaratë.











