Aldo Bare, replika mes prokurorisë e avokatit në Apel

Sep 27, 2011 | 11:46

TIRANE – Argumente pro dhe kundër dënimit përjetë të Aldo Bares, caktuar nga Krimet e Rënda në mars 2011, u dëgjuan dje nga një trupë gjykuese e Apelit të kësaj gjykate. Apeli i Krimeve të Rënda mori në shqyrtim dje ankimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda, si dhe të mbrojtjes së Aldo Bares, të cilësuar si kreu i bandës së Lushnjës. Përfaqësuesi i Prokurorisë në proces u shpreh se Gjykata për Krimet e Rënda ishte gabuar kur kishte dhënë dënim me 25 vjet burg për Baren, për akuzën e vrasjes së shtetasve Nimet Zeneli dhe Masar Aliu. Sipas prokurorit, Shkalla e Parë nuk ka analizuar si duhet rrezikshmërinë e lartë të veprës penale. “Për të njëjtën vepër penale, dy bashkëpunëtorë të Bares janë dënuar me burgim përjetë dhe është provuar se Bare kishte rol primar dhe të padiskutueshëm në organizimin e organizatës kriminale”, u shpreh prokurori. Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të të pandehurit Bare kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për klientin e tyre, si edhe deklarimin e tij të pafajshëm. Avokati Vladimir Meçi u shpreh se vrasja e Xhevat Demirit, për të cilën klienti i tij u dënua përjetë, nuk ishte e provuar nga ana e prokurorisë. “Nga akuza nuk është provuar ekzistenca e veprës penale. Nuk është provuar emri i Xhevat Demirit. Nuk është provuar dërgimi i tij në spital. Nuk është provuar vdekja e tij me certifikatë vdekjeje. Nuk është provuar këqyrja e kufomës së tij”, u shpreh avokati. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata e shtyu seancën për më 3 tetor, ku pritet të shpallet dhe vendimi përfundimtar.               ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura