
Apeli prishi dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë me burgim të përjetshëm për disa vrasje e bandë kriminale
Gjykata e Lartë: Të rishqyrtohet dosja e kapos të bandës së Lushnjës
Aldo Bare, i akuzuari i Prokurorisë si “kreu” i “bandës së Lushnjës”, do të rigjykohet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Pas dy vendimesh gjyqësore, një vendimi me “burg përjetë” në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda e një vendimi të Apelit për rigjykim në Shkallën e Parë, “beteja” e Bares me Drejtësinë do të vijojë në Apelin e Krimeve. Një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë vendosi dy ditë më parë prishjen e vendimit të Apelit për Krimet e Rënda të 3 tetorit 2011 ndaj Bares dhe kthimin e dosjes në këtë Gjykatë për rigjykim. Burime pranë Gjykatës së Lartë konfirmuan se Kolegji Penal shpalli vetëm dispozitivin e vendimit. Argumentet e Gjykatës për këtë vendim do të mësohen pas zbardhjes së plotë të tij. Në këtë mënyrë, dosja e Bares do të shqyrtohet edhe njëherë nga një pesëshe e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Ishte kjo Gjykatë, që më 3 tetor 2011 prishi vendimin e datës 28 shkurt 2011 të Shkallës së Parë. Nga Shkalla e Parë për Krimet e Rënda, Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u deklarua i fajshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave edhe “krijim të organizatës kriminale” dhe “vrasje me paramendim”. Më 3 tetor 2011, Apeli e prishi këtë vendim për shkak të shkeljeve të rënda procedurale dhe e ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë.
REKURSI
Vendimit të Gjykatës së Apelit, që ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë Baren, iu bë rekurs në Gjykatën e Lartë si nga mbrojtja e Bares, ashtu edhe nga organi i akuzës. Avokati i Bares në rekursin e tij drejtuar togave të zeza të Gjykatës së Lartë pretendoi pushimin e çështjes ndaj klientit të tij për shkelje procedurale. Sipas avokatit, ndaj klientit të tij ishte kryer një proces i parregullt ligjor. Në argumentet e radhitura në rekurs, mbrojtësi pretendonte se Bares nuk i ishte komunikuar akuza në kohën që ndodhej në Turqi, pas arrestimit. Njëkohësisht, mbrojtësi i Bares pretendonte se Prokuroria kishte kryer veprime hetimore jashtë afateve të lejuara kohore. “Në përfundim, kërkojnë nga Gjykata e Lartë që të vendosë pushimin e çështjes për Aldo Baren (Alfred Shkurti) dhe urdhërimin e lirimit të tij të menjëhershëm”, thuhej në rekursin e avokatit Meçi. Nga ana e saj,në rekursin e vendimit të Apelit për Krimet e Rënda ndaj Bares prokuroria kërkonte kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda me një trupë tjetër gjyqtarësh.
Pas ekstradimit nga Turqia
Aldo Bare u dënua me burg përjetë te Krimet e Rënda
TIRANE – Më 28 mars 2011, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda mbylli gjykimin ndaj Aldo Bares dhe e deklaroi fajtor për një sërë veprash të rënda penale, përfshi atë të “vrasjes me paramendim”. Bare u gjykua pas ekstradimit nga Turqia dhe u dënua me një burgim të përjetshëm, nga disa të tillë të kërkuar nga Prokuroria në fazën e konkluzioneve përfundimtare të akuzës. Ndërsa për veprat e tjera ai u dënua me një total prej 146 vitesh heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, përfundimisht ai u dënua me burgim të përjetshëm. Ngjarjet për të cilat u dënua Bare janë shënuar në periudhën 1998-2005. Gjykimi i Aldo Bares në Gjykatën për Krimet e Rënda nisi më 21 korrik të vitit 2009, pak pasi ai u ekstradua nga Turqia, ku u arrestua në vitin 2006. Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” të shtetasit Genci Kashari, “vrasjes me paramendim”, të mbetur në tentativë, të shtetasit Artur Daja, “vrasjes me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, “vrasjes me paramendim” të shtetasit Nimet Zeneli, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “shkatërrimit të pronës me zjarr”, të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu, “krijimit të organizatës kriminale” dhe “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











