Eagle dhe Albtelecom kanë rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e tyre me bursa për studentët shqiptarë, kjo në vijim të nismës së marrë dy vjet më parë, e cila edhe pse ende e re, po kthehet në traditë. Me rastin e festave të fundvitit, drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile, Orhan Coskun, priti në zyrën e tij 20 nxënës dhe studentë, të cilët përfitojnë bursë nga të dyja kompanitë në kuadër të projekteve sociale në mbështetje të arsimit. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile, Orhan Coskun, u shpreh i kënaqur për suksesin e arritur nga nxënësit. “Deri më tani kemi investuar më shumë se 150 milionë euro në modernizimin e teknologjisë së të dy kompanive, me qëllim ofrimin e shërbimeve bashkëkohore dhe lehtësimin e komunikimit të gjithë shqiptarëve, por investimi më i rëndësishëm dhe më me vlerë për ne është mbështetja e studentëve me bursa përmes projekteve sociale”, u shpreh ai. Po kështu ai ritheksoi edhe një herë se dy kompanitë do të vazhdojnë të mbështesin arsimin shqiptar dhe veçanërisht shtresat në nevojë përmes projekteve të veçanta.











