Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim një ditë më parë, Adriatik Lapajn, Endri Shabanin, dhe Pano Sakon, pjesë të Koalicionit “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, i cili garon në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.

Lajmin për takimin e ka dhënë Lapaj, teksa ka publikuar edhe disa foto nga takimi me Kurtin.
“Sot, me Endrin dhe Panon, takuam Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Lapaj në një postim në rrjetet sociale, ndërsa shton se a kërkuar nga Kurti bashkëpunim edhe më të madh me Shqipërinë!
“Në vazhdim, na mbetet të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë!”, shprehet ai.
Postimi i plotë:
Sot, me Endrin dhe Panon, takuam Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ashtu si rezultoi nga certifikimi i KQZ -së në Kosovë, Lëvizja VetëVendosje u rendit forcë e parë. E uruam Kryeministrin Kurti për rezultatin dhe i kërkuam bashkëpunim edhe më të madh me Shqipërinë tonë të përbashkët!
Kryeministri na informoi për bashkëpunimin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë këtu marrëveshjet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, nga zbatimi i të cilave po përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët.
Në vazhdim, na mbetet të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë!
© Panorama.al











