Librat e trashëguar të familjes, që gjendeshin përherë rreth e përqark shtëpisë, e kanë bërë efektin e tyre. Në breza, qysh prej Petro Nini Luarasit, një prej paraardhësve të Albana Uçit e, deri më sot, kultura akademike është trashëguar. E, si për ta vërtetuar këtë, ajo nxjerr në dritë fjalorin e “vonuar” në ndihmesë të gjuhës gjermane.
Thonë që gjuhët e huaja janë çështje dhuntie, si çdo gjë tjetër tek e fundit. Po duhet të jetë një pohim lehtësisht i mohueshëm në kohët e sotme që është e rrallë të gjesh dikë që të mos njohë të paktën italishten (prej vitesh edhe mamatë që nuk ia thoshin shumë për këto punë, ta kthejnë përgjigjen spanjisht). Sidoqoftë, shkojmë përtej komunikimit të zakonshëm (nuk mungojnë as çudirat që sheh në televizion të ndonjë italishteje me tentativa grekofile). Gjuha e avancuar kërkon domosdo përkushtim, i cili përvetësohet me kohën. E, sidomos nëse flasim për një gjuhë ushtarake, urdhëruese, siç është gjermanishtja. Albana Uçi, sado që vonoi për ta nxjerrë në dritë, arriti të botonte kontributin e saj për këtë gjuhë, atë që është i ndryshëm nga të tjerët. “Sekretet e lidhjeve të qëndrueshme të foljeve me parafjalë në gjuhën gjermane” ishin synimi i saj prej vitesh, sado që koha që u kushtonte fëmijëve nuk linte hapësira për t’i kushtuar kohë ekstra pjesës profesionale. Sepse angazhimin akademik Albana nuk e ka lënë ndonjëherë, qysh kur ka nisur të jetë pjesë e katedrës së gjuhëve të huaja në Universitetin Politeknik. E, nuk kishte sesi, përderisa e gjithë familja e saj ndër breza nuk është ndarë ndonjëherë nga librat. Mjafton të përmendim të atin e saj, Prof. Alfred Uçin, për t’u futur edhe më në thellësi në një nga propaganduesit e ideve qendrore të Rilindjes për liri, mësuesi e publicisti i helmuar nga xhonturqit, Petro Nini Luarasi. Ky emër mjafton për këdo që ta aktivizojë pak fantazinë se me sa libra mund të kenë qenë të rrethuar Uçët në shtëpi. Prandaj, edhe Albana, sado që për disa kohë u shkëput nga intensiteti i të studiuarit për t’ia ushqyer fëmijëve, nuk mundi të mos rikthehej. Tashmë, me një botim të sajin.
Kah emrit tuaj, shoh edhe dy të tjerë në kopertinë të librit…
Po, kam bashkëpunuar me profesorin tim Josif Kole, madje kam qenë pikërisht duke biseduar me të, ndaj ka marrë formë edhe ideja e këtij libri. Profesori jeton në Gjermani prej kohësh, ndërsa emri tjetër, siç mund ta dalloni edhe nga mbiemri, është i vajzës së profesorit, e cila për fat të keq nuk jeton më, por ka dhënë ndihmesën e saj në realizimin e këtij libri.
Përpara librit e përpara shumë viteve, si ka lindur marrëdhënia juaj me gjermanishten, nuk është gjuhë shumë komune e as e lehtë. Madje, as femërore nuk tingëllon…
Po ju them që jo gjithnjë e kishim vetë në dorë se çfarë të zgjidhnim. Megjithatë, nuk është fare e rastësishme, gjyshi im ka qenë në kampet naziste të përqendrimit dhe fliste shumë mirë gjermanisht. Në mënyrë të vetvetishme të afërmit ndikojnë në zgjedhjet e jetës.
Megjithatë, babai nuk ka ndikuar apo jo, meqenëse terreni i tij është estetika e filozofia…
Mund të mos ketë ndikuar në mënyrë direkte në përzgjedhjen e degës së studimeve, por ka ndikuar në gjithë gjërat e tjera e në gjithë ecurinë time akademike. Ka qenë përherë shumë merakli ndaj fëmijëve, gjë që e ka bërë edhe me mua, madje edhe ma ka trashëguar, sepse edhe unë me fëmijët kam qenë e “çmendur”, e fiksuar deri në detaje që t’i bëja ta donin shkollën. Ende edhe sot, im atë më thotë “unë të kam rritur me dashurinë time”. Ende edhe sot ne ulemi çdo ditë njëri me tjetrin për të gjerbur kafen e mëngjesit. Të gjitha këto, njëfarësoj ndikime janë apo jo?!
Janë. Po me fëmijët tuaj, i gjithë ky që po e quajmë proces në vite, ishte po aq i realizueshëm sa ç’ishte i babait me ju?
Tani ndihem e lumtur, sepse fëmijët ma kanë shpërblyer, por më është dashur shumë punë për t’ia dalë, sepse nuk e kanë pasur fort me qejf studimin. Ndërsa unë cenoja kohën time, atë që ishte pasioni im, libri, për t’u marrë me librat e tyre.
Ndoshta duhet t’i linit më të lirë që t’i gjenin vetë pasionet e tyre, mbase zgjidhnin tjetër gjë…
Nuk besoj t’u kem lënë mangët as argëtimet e tjera. Mua më pëlqen dhe dua të bëj aq shumë gjëra, përveçse të studioj. Për shembull, i bie pianos sa herë kam kohë, më çlodh. Luaj tenis, po sa herë mundem. Dhe jo vetëm, por sporte të ndryshme. Këto gjëra i kanë mësuar edhe ata, nuk i kam lënë t’u mungojë fryma. E përderisa në studime kanë marrë profil ekonomik, besoj që tabloja është disi e kompletuar.
T’i rikthehemi edhe një herë librit, na bëni një përmbledhje të shkurtër të përmbajtjes…
Libri u referohet atyre që duan ta përvetësojnë mirë këtë gjuhë të huaj, pra ata që janë në nivelin mbi mesatar. Është e domosdoshme të njihen mirë dhe rrjedhimisht të përdoren drejt lidhjet e qëndrueshme a të detyrueshme të foljeve të kësaj gjuhe me parafjalë të caktuara, sado vështirësi që mund të dalin për përvetësimin dhe përdorimin drejt të këtyre lidhjeve. Nevojën e pashmangshme të zotërimit të këtyre lidhjeve, sado i vështirë të jetë ky zotërim, e ndien menjëherë kushdo që kërkon të njohë e të përdorë si duhet gjermanishten.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











