Ish-kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku do të zhvillohet seanca paraprake ndaj tij. Kokoneshi është marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Në të njëjtën çështje janë marrë të pandehur edhe Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo, për të njëjtën vepër penale.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, zyrtarët e Bashkisë Divjakë dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurave për dhënien me qira të disa pasurive, të cilat janë përdorur për ndërtimin e impianteve diellore me afat shfrytëzimi 10-vjeçar.
Sipas akuzës, këto sipërfaqe toke rezultonin të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) si tokë bujqësore.
Procedimi penal nisi fillimisht nga ish-Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, pas hetimeve për dy kontrata të lidhura nga Bashkia Divjakë për dhënien me qira të një sipërfaqe prej 67 hektarësh tokë, me objekt të investimit “ndërtim i impianteve diellore”.
Më pas, çështja kaloi në Prokurorinë e Posaçme, si organi kompetent për hetimin e zyrtarëve.
© Panorama.al












