
Lihet në gjendje të lirë 34-vjeçari Mikel Z., i akuzuar për ngacmimin seksual të dy mbesave të tij, 6 dhe 4-vjeçare.Në seancën për dhënien e sigurisë ndaj 34-vjeçarit, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për shkak të mungesës së provave, të cilat vërtetojnë ngacmimin seksual të të miturave.
Në këto kushte, edhe gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke dhënë vendimin për detyrim paraqitjeje të të akuzuarit. Për shkak të cenimit të moralit, seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa është vendosur lënia e lirë e tij. Pas denoncimit të rastit ndaj dy vajzave është kryer ekspertiza, e cila ka vërtetuar se me to nuk janë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa nga kontakti i vajzave me psikologen është arritur në përfundimin se xhaxhai ka kryer veprime të turpshme para dy vajzave. Prokuroria ka vendosur ta lerë të lirë xhaxhain, pasi thjesht takimi i psikologes me vajzat ka qenë i pamjaftueshëm për akuzimin dhe lënien e tij në burg.
Historia u bë e njohur pak ditë më parë nga nëna e vajzave, e cila denoncoi rastin e ngacmimit të vajzave nga kunati i saj. Sipas versionit të nënës, historia zë fill 4 vite më parë, kur vajza e madhe, vetëm 2 vjeçe, është ngacmuar seksualisht nga xhaxhai, i cili ia ka argumentuar vajzës si një lojë. Ngacmimet kanë vijuar më tej edhe me vajzën e vogël të familjes, sot 4 vjeçe, ndërsa nëna 26-vjeçare ka deklaruar se nuk gjente as mbështetjen e bashkëshortit. Sipas gruas, ai ka qenë dyshues për këto ngacmime, madje ka keqtrajtuar edhe bashkëshorten për të mos i përmendur më ato akuza. Pasi është përballur për 4 vjet me ngacmimin e vajzave, nëna ka ngritur denoncimin, ndërsa është marrë në mbrojtje edhe nga policia e Korçës. Sipas të dhënave, së bashku me dy vajzat e saj të mitura ajo është strehuar në një prej fondacioneve bamirëse në qytet pasi ndaj saj për vite me radhë është ushtruar dhunë. Arrestimi i xhaxhait të të miturave u bë të enjten e shkuar, pasi sipas nënës së vajzës, ai i ngacmonte seksualisht, duke i tërhequr në një lojë doktorash poshtë batanijes. Pavarësisht arrestimit, nëna e 34-vjeçarit reagoi, duke e hedhur poshtë akuzën dhe denoncuar nusen e djalit tjetër për veprime imorale. Pritet që hetimet në vazhdim të zbardhin dhe të vërtetën me këtë rast të nisur për abuzime seksuale me të mitura.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











