Gjykata e Tiranës ka dënuar për shpifje aktoren Egla Ceno, e cila akuzoi publikisht moderatorin Saimir Kodra për ngacmim seksual.
Sipas vendimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale shpalli të pafajshëm moderatorin, ndërsa aktorja është dënuar me publikimin e vendimit gjyqësor.
Publikimi i vendimit gjyqësor do të bëhet vetë Egla Ceno me shpenzimet e saj brenda 15 ditëve nga dita që vendimi merr formë të prerë.
Po ashtu, sipas Gjykatës, publikimi i vendimit do të bëhet tërësisht dhe do të qëndrojë për tri ditë në Gazetën “Panorama”, në versionin print dhe online të saj.
NJOFTIM PËR SHTYP
Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të kërkesës penale me palë: viktimë akuzuese Saimir Kodra, e akuzuar Egla Ceno ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aktet dhe provat të administruara në kuadër të këtij gjykimi penal, ka dëgjuar palët në pretendimet e tyre përfundimtare, në emër të Republikës,
VENDOSI :
- Pushimin e akuzës për kryerjen e veprës penale të “Fyerja”, parashikuar nga neni 119/2 i K.Penal, në ngarkim të të akuzuarës Egla. Ceno., pasi ndjekja penale për këtë vepër nuk mund të vazhdojë në referencë të nenit 328, pika 1, gërma ‘d’ dhe 387 të K.Pr.Penale.
- Deklarimin fajtor të të akuzuarës Egla Ceno., për veprën penale të “Shpifja” e parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, në dëm të viktimës akuzuese Saimir Kodra dhe në bazë të neneve 30, paragrafi II dhe 43 të K.Penal, dënimin e saj me dënimin plotësues për publikimin e vendimit gjyqësor.
- Publikimi i vendimit gjyqësor do të bëhet nga e akuzuara Egla Ceno me shpenzimet e saj brenda 15 ditëve nga dita që vendimi merr formë të prerë.
- Publikimi i vendimit do të bëhet tërësisht dhe do të qendrojë për tri ditë në Gazetën “Panorama”, në versionin print dhe online të saj.
- Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të akuzuarës.
- Kundër vendimit lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
U shpall sot në Tiranë, me datë 21.10.2025.
DEKLARATAT E EGLA CENOS
Aktorja Egla Ceno, deklaroi në “Big Brother VIP”, se i kanë kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune 25 vite më parë, ku përmendi emrin e moderatorit Saimir Kodra.
“Puna nuk mbaron, do të marrin në punë tjetër nuk do jesh ti e dëmtuara se nuk ke bërë asgjë të keqe. I the një derri mu hiq qafe, e the me vend dhe në vendin e duhur. Ishte një zotëri tjetër që kishte një radio s’po ja them emrin se nuk ekziston më. Unë hyra atje dhe punova, po në radio si zonjë. Më ka trajtuar me një rrogë fantastike në atë periudhë nuk e di si ta merrja.
Isha “Happy”, paguaja qeranë, haja ndonjë darkë jashtë. Por duhet të them gjërat vijnë. Nuk duhet të dalin më me zë dhe figurë në ekran, ma kanë bërë mua, ja kanë bërë shumë të tjerave pas meje, ndoshta e bën akoma dhe ti del në ekran me emër. Po moj, Kodra ka qenë, ai që bën atë gjënë programin. Se nuk e kam fare problem, ai ka qenë. Zero, se kam fare problem ta them. Duhet me dalë me emra të përveçëm se ndryshe je duke bërë “ham, ham” kot,” tha Egla Ceno.
Kjo deklaratë e aktores bërI që moderatori Saimir Kodra të reagojë ashpër, duke paralajmëruar padi për shpifje. Ai deklaroi asokohe se Egla duhet të paraqesë provat për të gjitha akuzat që ka bërë.
“Do të bëj një reagim të shkurtër, se zonja që ka bërë deklaratën ka kaluar kompetencat duke përmendur një person që nuk është aty. Aty zihen për flokësh, shahen pse më përmend babën që është jashtë. E vetmja përgjigje kësaj aktore të dobët, e këtij skenari po aq të dobët të ndërtuar do i përgjigjet ajo vetë në Gjykatë. Kjo deklaratë e saj është në Gjykatën Penale, ajo Ceno ka barrën e provës që të vërtetojë që këtu e 25 vite më parë i paskam kërkuar afera seksuale në këmbim të një vendi pune.
Kësaj zonjës dhe aktores së dobët, pas 25 vitesh i del detyra që ta vërtetojë në Gjykatë. Kam qenë dhe do të jem krah femrave që dhunohen, molestohen, me fakte dhe me prova si gjithmonë. Unë s’di të kem punuar ndonjëherë as shefi i burimeve njerëzore që të punësoja njerëz, as recepsionist. Kam qenë moderator i thjeshtë i një emisioni që quhej “Radio Mania”. Është vënë në mes dinjiteti njerëzor. Kjo është një çështje penale për zonjën, por edhe për televizionin ku ajo e ka thënë atë deklaratë,” tha Kodra.
Disa ditë pas deklaratës së saj, Egla Ceno pa reagimin e Saimir Kodrës teksa ishte në BBV, duke u shprehur se mban përgjegjësi për ato që ka dhënë dhe që ka kaluar, por shprehet se për këtë nuk ka prova.
“Unë e ftoj Samirin të qetësohet me prononcimin që bën. Pa kaluar ne skenarë, regjisorë, aktorë etj. Unë nuk flas me skenarin e dikujt që të them një gjë kaq të vërtete saqë e kam kaluar nën lëkurën time. Marr përgjegjësi për gjerat që them. Mirë se të vijë gjykata. Unë sigurisht nuk do kem prova materiale, sepse një event i ndodhur para 25 vitesh i paregjistruar, kërkesë pune në një studio radio. Nuk ka prova, unë nuk kam shkuar aty për të regjistruar. Mund të bëj një gjë tjetër, që do ta mendoj mirë para se ta them. Unë jam përgjegjëse për atë që them”, tha Egla Ceno.
© Panorama.al











