Presidenti reagon pas akuzave të ministrit Genc Pollo: I hedhim poshtë me neveri
Pas akuzave një ditë më parë të ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, të publikuara në gazetën “Panorama” në adresë të Bamir Topit për emërimet në sistemin Gjyqësor, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Presidentit të Republikës.
Me anë të një deklarate, institucioni i Presidencës hedh poshtë akuzat e ministrit Pollo duke i kërkuar atij t’i vërtetojë akuzat ose të japë dorëheqjen. Institucioni i Presidentit ka autorizuar zëdhënësin për t’i cilësuar ato si spekulime të motivuara për qëllime politike. “Në gazetën “Panorama”, datë 23 janar 2012, ministri i Inovacionit, z. Pollo, ka adresuar një sërë shpifjesh ndaj Presidentit të Republikës. Në respekt të opinionit publik dhe të etikës institucionale zëdhënësi i Presidentit është i autorizuar të deklarojë se: “Akuzat e ministrit Pollo janë tërësisht të pavërteta, spekulative dhe të motivuara nga qëllime politike të ditës. Zëdhënësi i Presidentit i hedh poshtë ato me neveri, duke i konsideruar të padenja për një zyrtar të shtetit, aq më tepër, një ministër dhe një deputet”, thuhet në reagimin e Presidencës. Më tej, në reagimin e Presidentit Topi thuhet se: “Për fatin e keq, z. Pollo iu bashkua korit vullnetar të baltosjes ndaj institucionit më të lartë të shtetit, duke dëshmuar mungesë përgjegjshmërie dhe etike institucionale. Funksionimi i institucionit të Presidentit nuk ka asnjë lidhje me logjikën e tenderëve teknologjikë apo modelin e abuzimeve me postin dhe përgjegjësinë publike”. DORËHEQJA
Presidenti Bamir Topi ka sfiduar ministrin e Inovacionit që të veprojë në përputhje me ligjet e vendit, duke dërguar në organet e akuzës çdo lloj pretendimi për emërimet abuzive në Drejtësi. Por, në rast të kundërt, për Presidentin, çdo zyrtar duhet t’i përmbahet etikës institucionale, që sipas kreut të shtetit, i detyron zyrtarët të japin dorëheqje në rast të shpifjeve. “Ai është institucioni më i monitoruar nga publiku, nga pushtetet politike në vend, nga media, shoqëria civile dhe njëherësh edhe më i vlerësuar në raportet ndërkombëtare mbi Shqipërinë. Zëdhënësi e fton publikisht ministrin dhe këdo tjetër që ndjek korin e shpifjeve të njëjta, të kryejnë detyrën ligjore për të ndërmarrë veprime ligjore për çdo pretendim që ata kanë, përndryshe, në çdo vend demokratik etika dhe morali institucional do ta kërkonte që zyrtarë të tillë të lënë postin për të cilin është betuar dhe paguhet nga taksapaguesit”, thuhet në reagimin e kreut të shtetit. EMËRIMET
Presidenca ka siguruar se të gjitha emërimet në institucionet e Drejtësisë janë realizuar në përputhje me Kushtetutën e vendit. “I kujtojmë ministrit të Inovacionit dhe çdo zëri tjetër që ai i është bashkuar, se veprimtaria e institucionit të Presidentit dhe e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në çdo hap është mbështetur në zbatimin me korrektesë të Kushtetutës dhe të legjislacionit në çdo fushë të veprimtarisë së tij, përfshirë edhe emërimet në sistemin Gjyqësor”, deklaroi zëdhënësja e Presidentit.
Deklarata e ministrit të Inovacionit, Genc Pollo
Pollo: Topi caktoi hartë çmimesh për emërimet në Gjyqësor
Genc Pollo
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, akuzoi dy ditë më parë gjatë intervistës së dhënë për gazetën “Panorama” Presidentin Bamir Topi për shpërdorimin e detyrës edhe në emërimet e gjyqtarëve kundrejt ryshfeteve. “Ka pasur kritika ndaj z.Topi për qëndrim joluajal ndaj maxhorancës që e emëroi President, për qëndrim antikushtetues, kur u sulmua dhunshëm qeveria, për reduktim të Presidencës në një pedanë për tek një parti minore. Të gjitha këto qëndrojnë. Por, çuditërisht, nuk është përmendur zullumi i kryer, me çka është funksioni kryesor dhe real i Presidentit dhe i KLD-së së kryesuar prej tij: me menaxhimin e pushtetit të tretë. Dhe ky zullum është përcaktimi për herë të parë të hartës së çmimeve për postet e gjyqësorit, d.m.th., të ryshfetit përkatës për çdo emërim në këto poste. Kam biseduar me gjyqtarë, të njohur të mi; njerëz me profesionalizëm e integritet, të cilët plot trishtim më kanë thënë se Gjyqësorit do t’i duhet kohë e përpjekje që të dalë nga bataku ku po e zhysin që nga viti 2007. Për turp të Republikës sonë, një gjë të ngjashme e kanë thënë edhe raportet e Bashkimit Europian”, deklaroi Pollo.
Presidenti i Kroacisë në Tiranë takon krerët e shtetit
Topi-Josipoviç: Shqipëria meriton statusin kandidat për 100-vjetorin
Presidenti Topi me homologun kroat, Josipoviç, dje në Tiranë
Akuzat ePresidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, deklaroi dje në Tiranë se marrja e statusit të vendit kandidat kërkon angazhim të klasës politike për miratimin e reformave. Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Josipoviç u prit nga krerët e lartë të shtetit. Në konferencën e përbashkët me homologun Bamir Topi, kreu i shtetit kroat garantoi mbështetjen për të mundësuar marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. “Për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë do të ishte shumë, shumë mirë, do të ishte një dhuratë shumë e madhe që vendi juaj të fitojë statusin kandidat për në Bashkimin Europian. Sa u përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kroacisë, marrëdhëniet politike, sikurse thatë, janë të shkëlqyeshme, por ka mundësi, ka gjasa që marrëdhëniet ekonomike të jenë shumë më të mira. Unë shpresoj që dy qeveritë tona do të ndërmarrin hapat e para që ky bashkëpunim ekonomik të jetë prezent si në bujqësi, ashtu edhe në turizëm, por edhe në energjetikë dhe në shumë segmente, apo fusha të tjera. Është me shumë rëndësi që të ruajmë dëshirën e popullit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”, theksoi Josipoviç. Nga ana e tij, Presidenti Bamir Topi apeloi ndaj klasës politike për të bërë përpara me reformat, në mënyrë që këtë vit të merret statusi i vendit kandidat. “E vërteta është që ne duhet të bëjmë shumë, por e vërteta është gjithashtu që ne e meritojmë që në këtë vit jubilar të marrim statusin e vendit kandidat, që do të jetë dhe një motivim më shumë për çdo qytetar, por edhe për çdo politikan e për çdo institucion që të jetë shumë rigoroz në plotësimin e atyre detyrimeve”, pohoi Topi. Ndërkaq, Presidenti i Kroacisë është pritur dje nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryefjala e të cilit ishte bashkëpunimi ekonomik. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, Presidenti kroat ka garantuar mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane. Ndërkaq, falë marrëveshjes së nënshkruar dje, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Kroacisë me automjetet e tyre pa pasur nevojën e një patente ndërkombëtare, por me një leje të thjeshtë drejtimi. Pollos, Topi: Ministri të ndjekë rrugën ligjore ose të japë dorëheqjen