Akuza për plagjiaturë nga Serbia për fituesin, Sejko: Kënga ka motive çame

Dec 24, 2012 | 9:11
Fituesit e cmimit te pare me kengen, ”Identitet”, Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Seko

“Identitet”, e para këngë shqiptare rrok në “Eurosong”

Akuza mbi këngën fituese: Plagjiaturë nga një serbe.

Debat në rrjetet sociale për vjedhje të “Plavi Safir”, kënduar nga Bajaga & Instruktori.

Ende pa shijuar fitoren e vendit të parë dhe gëzimin e rrugëtimit në Eurosong, vërshuan akuzat për plagjiaturë.  Sipas tyre, kënga fituese e edicionit të 51-të të Festivalit të këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, kënduar nga Bledar Sejko e Adrian Lulgjuraj, me muzikë dhe orkestracion të Bledar Sejkos dhe tekst të Eda Sejkos, titulluar “Identitet” qenkërka plagjiaturë e një kënge serbe. Ndërsa fituesit ishin ende në skenën e festivalit, duke festuar vendin e parë, në rrjetet sociale filloi të qarkullojë linku i këngës  me titull “Plavi Safir” të këngëtarëve serbë Bajaga & Instruktori. Kënga daton në vitin 1988 dhe, duke marrë parasysh faktin që pikërisht në këto vite muzika sllave ishte shumë popullore në Shqipëri, pasi vetëm stacionet sllave e italiane mund t’i dëgjoje fshehurazi nën diktaturë, nuk është e çuditshme që Sejko ta ketë dëgjuar më parë këngën e Bajaga & Instruktori. Të vendosura pranë njëra-tjetrës, për dëgjuesin e thjeshtë, ngjashmëria mes dy këngëve është e dukshme. Të dyja këngët janë mbështetur qartësisht në muzikën ballkanike. Kaq ka  mjaftuar që tema më e rrahur dje të ishte pikërisht kënga fituese e Festivalit të RTSH-së, por jo si ndodh rëndom, ku njërës palë i pëlqen e tjetrës jo, por për vjedhje. Ndoshta debati u ndez edhe më shumë prej faktit që paraditen e natës finale juria e festivalit përjashtoi njërën prej këngëve që kishte kualifikuar një natë më parë në tetëmbëdhjetëshe. Kënga e kënduar nga Ani Çuedari, “kompozuar” nga Endri Tola, rezultoi të ishte e vjedhur. Kompozitori kishte shkuar deri në Korenë e Jugut për ta gjetur atë këngë. Por nëse për Endri Tolën nuk i dridhet askujt dora, e fundja një fenomen i tillë nuk është fare i ri, nëse plagjiatura e Bledar Sejkos do të vërtetohej, atëherë do të ishte shumë e rëndë, jo thjesht për festivalin, por më së shumti për artistin, tashmë me një eksperiencë të gjatë në fushën e muzikës.
Të ftuar dje në spektaklin “E diela shqiptare”, nën drejtimin e Ardit Gjebresë, kompozitori Sejko është shprehur se ndihet tërësisht i qetë dhe nuk e kanë shqetësuar akuzat që qarkullojnë. “Që fëmijë i përmbahem një parimi që gjithçka ta bëj vetë, mirë apo keq”, është shprehur Sejko, duke zbërthyer elementet që ka përdorur në këtë këngë, instrumentet bazë të flokut shqiptar, si lodra, tupani, çiftelia, duke i shtuar ison e Jugut dhe thirrjen majë krahut të veriut (hej, hej). “Kjo këngë është identitet”, tha ai. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci, ka bërë një thirrje për të mbështetur këngën shqiptare që do të shkojë në Eurosong, të parën këngë rrok, që tregon evoluimin e muzikës dhe të pjesëmarrësve në Festivalin Europian.

Sejko: Kënga me motive të valleve çame e të Tropojës

Fituesit e edicionit të 51-të të Festivalit në RTSH

Të nesërmen e fitores, kompozitori tregon si e krijoi këngën.
“Pse të mos themi që kompozitori serb ka vjedhur 3 notat e para të këngës së Vaçes, “Kur bie fyelli e çiftelia”
“Identitet” është e para këngë rrok që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian, që në vitin 2013 do të zhvillohet në Malmo të Suedisë. Kënga u shpall fituese e edicionit të 51-të të Këngës në RTSH, e cila u mbyll mbrëmjen e së shtunës në Pallatin e Kongreseve. Por siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, menjëherë pas shpalljes së këngës fituese, filloi të qarkullonte “lajmi” i plagjiaturës nga një këngë serbe e vitit 1988. Sigurisht kjo akuzë është mësuar shumë shpejt nga autori i këngës Bledar Sejko, i cili dje ka shpejtuar të sqarojë pozicionin e tij dhe të “zbërthejë” këngën, për gjithë miqtë e tij në rrjetin social facebook. Pas tentativave të dështuara për të kontaktuar me kompozitorin Sejko, po i referohemi sqarimit të tij të postuar në facebook. Kompozitori, këngëtari dhe kitaristi i njohur ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe është shprehur shumë i kënaqur për faktin që pas vitesh mungese në këtë festival, ai kthehet fitues:
“Ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që më keni uruar, jam jashtëzakonisht i lumtur që pas shumë vitesh të miat në muzikë, vlerësohem për herë të parë me çmim të parë. Realisht, për shumë faktorë prisja çmim, por jo të parin. Pjesëmarrja ime si konkurrent në Festivalin e madh për herë të fundit ka qenë në vitin 1992 me “Thunder Way”, “Legjenda e Heroit”, ku na vlerësuan me vendin e fundit. Mendoj se i detyrohem dhe asaj pjese të publikut që nuk e ka pëlqyer këngën ose që mendon që unë e kam vjedhur atë, që të bej disa sqarime jo për të vendosur nderin tim në vend si muzikant, por sepse mendoj që puna nuk mbaroi me Festivalin, pasi tani na pret edhe një betejë tjetër, Eurosongu, ku do të na duhet ndihma e të gjithë shqiptarëve dhe këto publikime nuk i bëjnë mirë këtij qëllimi të përbashkët.

Për këtë më duhet të them:
1) Për motivet e këngës jam mbështetur në folklorin shqiptar dhe më saktësisht në atë të valleve të Tropojës, të valleve çame dhe disa krahinave të Jugut, gjë që duket qartë nga prezenca e lodrave (daulleve), çiftelisë, zëvendësuar me kitarën, isos së Jugut, zëvendësuar me sektorin e violinave dhe thirrjet e Veriut “hej”, përshtatur për korin.
2) Kam dëgjuar këngën serbe, të cilën disa shqiptarë po publikojnë: “Plavi safir” 1988 dhe ju them nga njohuritë e mia si kompozitor, që kënga ka një intro, një strofë, një bridge, një refren dhe një mbyllje. Kënga ime nuk ka asnjë nga këto komponentë të ngjashëm me këtë këngë, përveç 3 notave të intros, të cilat me kombinim përsërisin njëra-tjetrën. Ose më saktë, këta shqiptarë duhet më mirë të thoshin që kompozitori serb ka vjedhur 3 notat e para të këngës “Kur bie fyelli e çiftelia”, të kënduar nga këngëtarja jonë e madhe Vaçe Zela.
Ju falënderoj pa fund të gjithëve për mbështetjen dhe uroj ta kemi nga të gjithë shqiptarët nëpër botë këtë mbështetje, në mënyrë që vendi ynë, edhe pse i vogël, të përfaqësohet sa më denjësisht në Eurosong”.

Shpëtim Saraçi: Akuzat për plagjiaturë, histori ballkanike

Drejtori artistik i festivalit, Shpëtim Saraçi

Drejtori artistik i Festivalit shprehet i qetë: Kënga shihet në kompleks
“Kjo është histori ballkanike”, thotë kompozitori Shpëtim Saraçi, i cili vetëm prej pak orësh ka mbyllur misionin e tij si drejtori artistik i edicionit të 51-të të Festivalit të këngës në RTSH. I kontaktuar dje për zërat që qarkullojnë mbi të dytën “plagjiaturë” në këtë edicion, Saraçi thotë se tashmë kjo është një histori e njohur, çdo këngë fituese ose është kontestuar, ose është akuzuar për plagjiaturë. Ai solli shembullin e këngës serbe “Lane moje” të Zhelko Joksimoviç, e cila në vitin 2004 u akuzua pikërisht në Festivalin Europian për plagjiaturë, megjithatë nuk u vërtetua e nuk u skualifikua. Për të vijuar më tej me këngën e Ardit Gjebresë, kënduar nga Juliana Pasha. “Pretendimet që kjo këngë ishte e vjedhur nga Britney Spears, erdhën qysh para natës finale, kur juria ishte në detyrë. Janë krahasuar të dyja këngët, nuk u vërtetua dhe kënga vijoi rrugën e saj. Sa i takon këngës fituese të këtij festivali, ajo është e shkruar në tonalitet modal, është e mbështetur në etnos e, si e tillë, rruga nëpër të cilën ajo ecën është e njohur. Përse nuk themi se janë plagjiaturë të gjitha këngët labe apo jaret shkodrane? E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me të gjitha baladat. Megjithatë, një këngë shihet në kompleksitet në gjithë strukturën e saj, në orkestrim, interpretim etj”, thotë Saraçi. Duke e njohur kompozitorin e këngës, Saraçi thotë se është e pamundur që Sejko të ketë ngritur këngën e tij mbi një temë të gatshme. “Ai është unik. Është e pamundur që të gjesh një kitarist të dytë si ai. Është një personalitet i veçantë”, thotë ai. Megjithatë, nëse kjo zhurmë do të zgjasë, atëherë çështja do të marrë rrugë ligjore. “Tashmë festivali ka mbaruar, juria nuk funksionon më, madje edhe unë e kam mbyllur detyrën time. Nëse pretendimet janë të vërteta, atëherë duhet të ngrihet një komision, duhet ngritur një padi dhe çështja do të vazhdojë në rrugë ligjore e me gjasë mund të vazhdojë me vite”, thotë Saraçi, duke i mëshuar faktit se akuza të tilla dhe kontestimet janë të njohura. “Kujtoni këngën e Rona Nishliut, të cilën e bënë ‘copë’ një vit më parë, e cila arriti të renditej e pesta në Eurovizion dhe të shkëlqente sërish natën finale të këtij festivali”. Ai personalisht shprehet se nuk është aspak i shqetësuar, madje i kënaqur me nivelin që arriti ky edicion në të gjithë komponentët e tij.

Lulgjuraj: E pranova bashkëpunimin pa dëgjuar këngën
Kohëve të fundit, emri i Adrian Lulgjurajt ka filluar të lakohet shpesh në rrethet e këngëtarëve, në jetën e natës apo edhe në festivale. Pas fitores së çmimit “Best male” në edicionin e fundit të “TopFest” dhe më pas daljes te “Voice of Albania” si asistent i Elton Dedës, Lulgjuraj, djali nga Ulqini, nuk është më i panjohur. Por tashmë ai ka arritur një tjetër sukses, duke fituar çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, në duet me Bledar Sejkon. “E njoh herët Bledarin, kemi pasur raste edhe të performojmë bashkë. Ai i njihte mundësitë e mia vokale dhe më bëri një ftesë. Kur më njoftoi për këngën, kam pranuar menjëherë, pa e dëgjuar ende dhe dola me sukses. Përgjithësisht unë jam skeptik dhe nuk pranoj çdo këngë, por kësaj here i thashë Bledit: pranoj me kënaqësi, çfarëdo të jetë e kudo të jetë. E parandieja që do të shkoja diku. Kjo këngë titullohet ‘Identitet’ dhe shtrihet më gjerë se vetë kënga, kudo që janë shqiptarët”, u shpreh dje Lulgjuraj në “Klan”.

 Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko – Identitet

Bajaga & Instruktori- PLAVI SAFIR 1988

Plagjiatura koreane e “Më lër një ëndërr”
Ka ndodhur edhe në edicione të tjera, por në faza seleksionuese, që një këngë të jetë përjashtuar për shkak se është vërtetuar që ka qenë plagjiaturë. Madje ka ndodhur edhe me emra të njohur të këngës. Sigurisht që ka ndodhur edhe në festivale të tjera, si në “Kënga Magjike”. Por në edicionin e fundit të Festivalit të RTSH-së, skualifikimi ndodhi paraditen e finales, kur kënga në fjalë ishte kualifikuar nga juria. Pas një shkrese nga drejtori artistik i Festivalit, ku denoncohej plagjiatura, juria e përbërë nga shtatë anëtarë, pasi dëgjoi dy variantet, vendosi që kënga “Më lër një ëndërr” me muzikë dhe orkestrim të Arion Mukës (Endri Tola), kënduar nga Ani Çuedari, të përjashtohet nga finalja. Kënga sipas verifikimeve që bëhen lehtësisht edhe në YouTube, është kopjuar nga këngëtarja J-Min nga Koreja e Jugut. Drejtori artistik i festivalit, Shpëtim Saraçi, thotë se këngën origjinale ia kishin dërguar pikërisht atij dhe u pa se kënga shqip ishte një plagjiaturë e pastër.

Floriana Garo: Një ëndërr që m’u realizua
Pavarësisht se shumë u treguan skeptikë kur mësuan se “vajza e motit”, misi Floriana Garo do të drejtonte Festivalin e RTSH-së, ajo ia doli edhe pse me zë të ngjirur. “Qysh fëmijë e kam pasur ëndërr të drejtoja Festivalin e RTSH-së dhe, kur ky rast m’u dha, thashë: me zë apo pa zë, unë do ta drejtoj këtë Festival dhe jam shumë e lumtur”, është shprehur ajo.

Enkel Demi: E kërkoja festivalin prej 6 vitesh
“Kisha 6 vjet që çdo tetor i lutesha atij burrit (Petrit Becit) që të ma linte mua drejtimin e Festivalit, por ai më thoshte: Jo se ti je i ‘Klanit’. Kur ika nga ‘Klani’ ai ma bëri si dhuratë”, kështu u shpreh dje me të qeshur Enkel Demi, prezantuesi i edicionit të 51-të të Këngës në RTSH, duke shtuar se e kishte ëndërr të prezantonte në një skenë të madhe, çka në të vërtetë i futi frikën mëngjesin e së enjtes, teksa në mbrëmje pritej të ngrihej sipari. “Si mund ta drejtoj këtë Festival para një spektatori, ku 1500 nga 2000 mendojnë se e drejtojnë më mirë se unë?!”

Beci: Edicioni më i mirë në historinë e Festivalit
“Ky është edicioni më i mirë në 51 festivale të këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar”. Kështu u shpreh dje, në studion e spektaklit “E diela shqiptare”, drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci. Sipas tij, për këtë festival kanë punuar 170 profesionistë vetëm në Pallatin e Kongreseve, pa numëruar punonjësit e Radio-Televizionit, si dhe 450 artistë, të cilët krijuan për këtë edicion. Ai e quajti festivalin më të mirë në të gjithë komponentët e tij, ku u bashkuan cilësia e audios me figurën. Ai i njohu meritat drejtorit artistik Shpëtim Saraçi, i cili qysh dy vjet më parë i tha se kishte ardhur koha që e gjithë orkestra e RTSH-së të interpretonte “live”. “E provuam një vit më parë, ku dolëm jo keq. Arritëm një nivel cilësor sa i përket audios në sallë, por këtë vit pati përmirësim edhe në figurë”, tha Beci, pa harruar të përshëndesë dy këngëtarët fitues për “këngën e mrekullueshme”, edhe pse shtoi se puna më e vështirë për ta vjen paskëtaj me prezantimin në Eurosong.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura