
Prokuroria e akuzon se nuk mori masat e nevojshme në përputhje me ligjin për tubimet
Deputeti i PS: Ishte rutinë, protesta u organizua nga PS
Ish-kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, ka konsumuar veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe ma-nifestime të paligjshme, në cilësinë e personit që ka marrë përsipër zhvillimin normal të protestës sipas Prokurorisë. “Në kushtet kur deputeti Besnik Baraj është përfaqësues i subjektit politik që mori përsipër zhvillimin normal të një tubimi paqësor dhe për shkak të mosmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me ligjin për tubimet, shpërfillje, e cila ndikoi në degradimin e protestës në akte të dhunshme, janë fakte të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ai ka konsumuar elemente të veprës penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tij”, thuhet në letrën e Prokurorisë drejtuar Kuvendit. Në shpjegimet që ka dhënë në organin e akuzës, Baraj ka thënë se ka qenë larg Kryeministrisë kur kanë nisur përplasjet mes protestuesve dhe policisë.
Deklarata e Barajt në Prokurori
Pyetje: Në DPQ Tiranë është sekuestruar një shkresë e Asamblesë së PS-së Tiranë me nr.2 prot, datë 19.01.2011, e cila është nënshkruar nga ana juaj. Çfarë mund të na thoni rreth këtij fakti, cili ka qenë qëllimi i kësaj shkrese?
Përgjigje: Në këta pesë vjet që unë jam në drejtim të PS Tiranë, komunikimi me Policinë është bërë prej meje duke pasur si objektiv informimin, sqarimin madje jo vetëm nëpërmjet shkresave, por edhe nëpërmjet takimeve ku unë kam qenë i hapur dhe i predispozuar për transparencë dhe bashkëpunim, të cilin e kam gjetur dhe tek ata. Ky njoftim është rutinë dhe është bërë sa herë është mbajtur tubim në Tiranë, pavarësisht se në të kontribuojnë dhe qarqe të tjera, të cilat mbulohen nga deputetët respektivë.
Pyetje: Njoftimi juaj është bërë mbështetur në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’, neni 5 i të cilit përcakton se njoftimi i Policisë së Shtetit bëhet detyrimisht nga organizatori dhe drejtuesi i tubimit jo më vonë se tri ditë nga zhvillimi i tij. Përse i jeni drejtuar ju Policisë, ndërkohë që pak më parë keni shpjeguar se organizimi i tubimit bëhet nga PS në rang kombëtar?
Përgjigje: Është një praktikë në organizimin e tubimeve kudo ku ato zhvillohen, qoftë edhe në nivel kombëtar, që kërkesën formale ta bëjë kreu i partisë, ku do të mbahet tubimi, për rastin konkret, e kam bërë unë, si kreu i PS-së, dega Tiranë. Ndërkohë, përgjegjësinë në organizim e kanë forumet drejtuese të partisë të ndarë sipas organizimit elektoral. Për shembull, unë mbuloj Njësinë Bashkiake Nr. 2 për qytetin e Tiranës dhe merrem me organizimin e partisë dhe tubimeve për këtë njësi, sikurse deputetët e tjerë të qytetit të Tiranës mbulojnë njësitë e tjera. Si përfundim, në organizimin e mitingut kanë marrë pjesë deputetët dhe forumet drejtuese të partisë sipas zonave.
Pyetje: Në vështrim të ligjit të sipërcituar, detyrimi për të njoftuar Policinë për zhvillimin e tubimit i takon organizatorit dhe drejtuesit të tij. A e keni parasysh që nëpërmjet njoftimit të bërë ju merrnit përsipër edhe rolin e organizatorit e drejtuesit?
Përgjigje: Jo, në asnjë rast nuk mendoj që kur një forcë politike organizon një miting, mund të marrë këtë rol qoftë edhe kryetari i saj, ne u bëmë si interlokutorë me Policinë dhe morëm përsipër organizimin e mitingut pikërisht për të kontrolluar maksimalisht dhe për të shmangur përplasjen me policinë. Pasi tubimi, për shkak të problematikave polivalente sociale, nëse nuk do të merrnim ne këtë rol, do të bëhej në mënyrë spontane dhe probabiliteti për të pasur më shumë viktima do të ishte më i lartë. Falë rolit të deputetëve, mendoj se përplasja dhe tragjedia ngeli në këto nivele.
Pyetje: Ligji në fjalë parashikon detyra dhe detyrime të qarta për organizatorin, drejtuesin dhe personat pjesëmarrës në to. A i kishit parasysh këto detyrime në momentin e njoftimit të Policisë së Shtetit?
Përgjigje: Po, dhe ka qenë kjo arsyeja që në një shkresë i kam cituar Policisë se drejtues i mitingut do të ishte PSSH dhe forumet drejtuese të saj, ku thelbin e përbëjnë deputetët e PS dhe se çdonjëri prej tyre ishte përgjegjës për organizimin e zonës së vet elektorale.
Pyetje: Ju tregohet një shkresë e Asamblesë socialiste, Bashkia Tiranë me nr. 3 prot, datë 20.01.2011. A është kjo shkresa që cituat më parë?
Përgjigje: Po, kjo është shkresa e cituar më sipër.
Pyetje: Çfarë keni pasur parasysh kur keni përmendur në pikën një të kësaj shkrese se “drejtues i tubimit është PS dhe forumet e saj”?
Përgjigje: Këtu kam parasysh Asamblenë e përgjithshme Kombëtare, ku rolin më të rëndësishëm e kanë luajtur deputetët dhe kryetarët e PS në qarqe. Dua të shtoj se në komunikim verbal me krerët e Policisë Tiranë i kam informuar konkretisht për deputetët përkatës që do të kryesonin çdo vend grumbullimin, së bashku me skicën dhe telefonat e tyre.
Pyetje: A keni dijeni se cili apo cilët persona do të mbanin kontakte me drejtuesit e Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të tubimit dhe në ç’mënyrë do të realizohej ky komunikim, para dhe gjatë tij?
Përgjigje: Siç e sqarova më sipër, gjatë komunikimit verbal me Policinë e Shtetit, unë ju tregova deputetët përgjegjës për çdo grupim, që në rast nevoje të komunikonin ndërmjet tyre, ndërkohë, me sa më thanë, pas tubimit ata kanë tentuar të lidhen me mua, por nuk e di se çfarë arsye, ndoshta nga interferenca e mundshme në atë zonë, nuk arrinin të lidheshin. Sidoqoftë, unë kam komunikuar me pjesë të efektivave gjatë tubimit dhe jam përpjekur të ul tensionin qoftë te policia, qoftë te demonstruesit.
Pyetje: Me shkresën nr. 430/6 prot, datë 19.01.2011, DPQ Tiranë i ka sjellë në vëmendje KPSSH, Edi Rama, faktin që për tubimin e datës 21.01.2011 ishte i nevojshëm dërgimi i njoftimit me shkrim. A mund të na shpjegoni rrethanat pse njoftimi është bërë nga ana juaj, ndërkohë që edhe vetë keni pranuar që organizator i tubimit është PSSH dhe forumet e saj?
Përgjigje: U njoha me shkresën e mësipërme dhe dua të theksoj se nuk kam pasur ndonjë dijeni për këtë shkresë. Unë e kam bërë njoftimin në polici si çdo njoftim i këtyre 20 viteve, pasi njoftimet për tubimet në Tiranë i bën Dega e PS Tiranë, edhe pse kanë pasur karakter kombëtar. Kryetari i PS-së më pak pyetur nëse e kam bërë njoftimin, të cilit i jam përgjigjur në mënyrë pohuese. Ka shumë të ngjarë që shkresa ime të jetë nisur në të njëjtën kohë që dhe policia ka nisur shkresën që cituat në pyetje.
Pyetje: Shkresa juaj e prot nr. 3, datë 20.01.2011 është në përgjigje të shkresës së DPQ Tiranë, nr. 430/14 prot, datë 20.01.2011. Mund të më shpjegoni arsyet përse nuk keni përshkruar në këtë shkresë se cilët do të ishin ndihmësit për mbarëvajtjen e tubimit, të cilët njëkohësisht do të ishin pajisur me shenja dalluese?
Përgjigje: Theksova më lart se përgjegjës për çdo vendgrumbullim ishin deputetët respektivë, të cilët janë publikisht të njohur dhe mendojmë se nuk ka nevojë për shenja dalluese. Ndërkohë, se cilët ishin këta deputetë, e kam konsumuar verbalisht me drejtuesit e Policisë së Shtetit.
Pyetje: A mund të na thoni se në momentet e para të fillimit të demonstratës demonstruesit që ndodheshin përballë selisë së Kryeministrisë nga cili qark i Shqipërisë ishin?
Përgjigje: Siç ndodh në tubimet që bëhen në bulevard, një numër i konsiderueshëm njerëzish vijnë në mënyrë spontane nga drejtime të ndryshme, duke u përpjekur të gjejnë rrugën më të shkurtër. Përballë selisë së Kryeministrisë nuk ka pasur ndonjë grupim homogjen; Aq më tepër, që kur ne mbërritëm te Bashkia, i gjithë bulevardi ishte mbushur me demonstrues dhe ndërkohë ende nga rrethet nuk kishte mbërritur një pjesë e konsiderueshme.
Pyetje: Në njoftimin tuaj për zhvillimin e tubimit bëhet fjalë për ‘një demonstrim popullor paqësor’. Mund të më shpjegoni arsyet përse pjesëmarrësit në këtë tubim kanë qëlluar me gurë, ristela, çadra dhe deri te të quajturat koktej molotov, kundër forcave që përgjigjen për mbarëvajtjen e rendit publik dhe sigurinë e objekteve shtetërore të rëndësisë së veçantë (Kryeministrisë)?
Përgjigje: Mendoj se u vu re kjo sjellje për arsye të provokimit që kanë bërë vetë forcat e policisë, qoftë nga pikëpamja vizuale, një numër i madh forcash, por edhe të ngacmimeve verbale dhe veprimeve fizike nga ana e Policisë. Situata është agravuar kur, pas një konflikti jo aq të dhunshëm, krahasuar me të gjithë ato demonstrata të para në vende të ndryshme, ndërhyri policia me mjete të dhunshme. Demonstruesit nuk kanë pasur gurë me vete, i kanë nxjerrë nga bulevardi pas dhunës së krijuar. Për sa u përket bombave molotov, ato nuk janë shfaqur në fillimet e përplasjes me policinë, sepse nuk i dispononte turma, por ato i kanë përgatitur demonstruesit gjatë demonstratës me benzinë nga makinat, përfshirë edhe makinat e djegura të policisë, duke i shtënë nëpër shishe që nuk mungonin në atë ambient.
Pyetje: A jeni në dijeni të rrethanave se si kanë filluar konfrontimet e para midis Policisë dhe demonstruesve?
Përgjigje: Vizualisht nuk kam parë gjë. Në momentin që kam qenë bashkë me drejtues të tjerë të PS-së, më ka marrë dikush në telefon, ku më informon se ka filluar përplasja e demonstruesve me policinë me çadra dhe mjete policore.
Pyetje: Nga disa pamje filmike që u përkasin momenteve të para, vihet re se në pjesën e demonstruesve të ndodhur përpara Kryeministrisë, persona nga mesi i turmës në formë rryme shtyjnë personat demonstrues të ndodhur në radhët e para përballë forcave të policisë, duke i përplasur këta të fundit me këto forca. A keni dijeni për këtë fakt?
Përgjigje: Nuk kam dijeni për këtë fakt, por mendoj se ky është një fenomen instiktiv në çdo demonstratë, ku pjesa mbrapa shtyn pjesën përpara.
Pyetje: A keni parë momentin se si është hapur porta e hekurit e rrethimit të Kryeministrisë, e cila ndodhet në anë të bulevardit dhe personat që mund ta kenë hapur atë?
Përgjigje: Nuk kam parë një gjë të tillë.
Protestuesit: Në turmë na organizonin
Në kërkesën e Prokurorisë për deputetët zbardhen dëshmitë e të arrestuarve për dhunën më 21 janar
“Një person kokëqethur na thoshte ‘vazhdoni sulmin, ose ju vrava”

Në kërkesën e Prok-urorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve, zbardhen dëshmitë e të arrestuarve gjatë protestës së 21 janarit.
Gjin Ndreu, anëtar i PS-së nga Shkodra, me gjendje gjyqësore të paverifikuar, i dyshuar për veprën penale “të shkatërrimit të pronës”, ka pohuar se është lajmëruar në telefon nga kryetarja e PS së këtij qyteti, Keti Bazhdari, e cila e ka lajmëruar për të marrë pjesë në protestën e datës 21 janar 2011 për të rrëzuar qeverinë. Ai ka pohuar se ka qëlluar policinë me shkop dhe qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë.
Lavdim Balla, lindur në Librazhd, banues në Çermë të Lushnjës, me katër klasë shkollë, me gjendje gjyqësore të paverifikuar, dyshohet për veprën penale “shkatërrim prone” dhe “goditje për shkak të detyrës”. Në Tiranë ka mbërritur rreth orës 13:00 të datës 21 janar 2011 dhe ka pohuar se gjatë protestës ka qëndruar te Piramida, ku janë djegur dhe disa makina. Sqaron se aty ka gjetur një këllëf, brenda të cilit ka qenë një krehër pistolete me disa fishekë dhe e ka futur në xhep. Ai pranon faktin se ka qëlluar disa herë me gurë drejt policisë në kohën që edhe të tjerët po gjuanin në drejtim të tyre. Ai deklaron se në turmë kishte njerëz që organizonin duke na thënë që të qëllonim me gurë, por unë nuk i njihja këta persona.
Jetmir Prenga, nga Lezha, me arsim 4-vjeçar, është ndaluar për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Sipas tij, në protestën e 21 janarit policia ka përdorur bomba gazi dhe më pas ai është larguar për t’u kthyer sërish dhe bashkë me të tjerë ka nxjerrë gurë nga bulevardi dhe i ka hedhur në drejtim të forcave ushtarake që ndodheshin brenda territorit të Kryeministrisë. Më pas ka shkuar dhe i ka rënë me shkelm portës së Kryeministrisë, por nuk është futur brenda. Ai sqaron se për protestën, shoku i tij, emrin e të cilit nuk e jep, do t’i jepte 1000 lekë, kurse sipas tij, laçianët kishin marrë nga 6 mijë lekë.
Brahim Elezi, nga Levan i Fierit, i arrestuar për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr e kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë. Nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen e datës 21 janar 2011, në pamjet filmime shfaqet duke kthyer një makinë policie.
Igers Vangjeli, nga Librazhdi, deklaron se më 21 janar ka ardhur në Tiranë me furgonë të rastit, ndërsa është njoftuar nga televizioni për organizimin e protestës. Ai ka deklaruar se gjatë protestës ka tentuar t’i dërgojë një SMS deputetit Taulant Balla për t’u afirmuar si simpatizant i Partisë Socialiste, por në asnjë moment nuk është urdhëruar nga deputeti për të kryer akte dhune ndaj policisë apo pronës. Deklaron se ka marrë pjesë dhe në protesta të organizuara më parë.
Fatbardh Shata, nga Librazhdi, ka ardhur në Tiranë me autobusë të vënë në dispozicion nga deputeti i zonës, Taulant Balla, fakt të cilin e ka mësuar kur ka zbritur në Tiranë dhe i ka dhënë lekët shoferit për udhëtimin, ku i ka thënë se lekët edhe për të tjerët i ka paguar deputeti i zonës, Taulant Balla. Në deklarimin që ka dhënë përpara oficeres gjyqësore, Fatbardh Shata sqaron se për protestën është njoftuar nga deputeti Taulant Balla dhe ish-kryetari i komunës Gostimë, Agim Hoxha. Ai deklaron se vetë nuk është paguar nga ndonjë person për të marrë pjesë në protestë, por ka dëgjuar se nga biseda që kanë bërë me njëri-tjetrin shtetasit Kujtim dhe Elvis Zharri, këta të fundit janë paguar me nga 30 mijë lekë të rinj nga deputeti Taulant Balla dhe ish-kryetari i komunës, Agim Hoxha.
Enis Mata është shprehur se gjatë kohës që protestuesit e kanë përplasur me kordonin e policisë, këta të fundit e kanë qëlluar me shkopinj gome dhe për këtë arsye ai ka marrë një çadër e me të ka qëlluar në drejtim të policisë. Në kohën që policia përdori gaz, është larguar nga protesta dhe me makinat e rastit është kthyer në Dibër. Ai sqaron se gjatë protestës ka parë një protestues kokëqethur, i gjatë, që mbante veshur një xhaketë të zezë dhe këmishë të bardhë dhe i thoshte turmës së protestuesve “vazhdoni sulmin ose ju vrava”, por se kush ishte ky person dhe nga ishte, ai sqaron se nuk e kishte parë më parë.
Lin Ndreu është njoftuar për protestën përmes mediave dhe ka udhëtuar për në Tiranë me një autobus, i cili ishte vënë në dispozicion të protestuesve falas, por se kush i paguante lekët, nuk ka pasur dijeni. Rrugës për në Tiranë, protestues të tjerë që ishin me të në autobus i kanë dhënë për të pirë alkool, raki, dhe se gjatë protestës ka qenë në gjendje të dehur. Nuk mban mend se çfarë veprimesh ka kryer në protestë.
Jetmir Prenga ka ardhur nga Lezha në protestë me autobusë që ishin vënë falas. Ka qenë në rreshtin e parë të turmës dhe në kohën që protestuesit e kanë shtyrë në drejtim të policisë, kanë filluar përleshjet, ndërsa ai ka gjuajtur mbi policinë me pankartën që mbante në dorë. Ai deklaron se nuk është paguar nga asnjë person për pjesëmarrje në protestë, por deklaron se në Lezhë është takuar me një person, të cilin e kishte njohur në një protestë të mëparshme. Ai i kishte thënë se ishte paguar nga deputeti Kadeli me një mijë lekë, por nuk ka pranuar vetë që të marrë asnjë lek, edhe pse personi i ka ofruar ndërmjetësim. I kam thënë se në protestë po shkonte me dëshirën e vet.
Viktor Çërvenaku, kryetar i komunës Frakull në Fier, ka deklaruar se është njoftuar për protestën nga mediat dhe nga kryetari i PS-së së Fierit. Në kohën kur policia ka hedhur gazin lotsjellës, është larguar duke dalë tek ura e Lanës. Ka marrë në telefon kunatin e tij, shtetasin Qemal Hasani, dhe i ka thënë se në “protestë ke dhe djalin”, Anxhelo Çervenakun. Në kohën që ka qenë duke kërkuar djalin e tij, është qëlluar me armë zjarri dhe në ato çaste, në krahët e tij është vrarë Hekuran Deda. Kur filloi breshëria e armëve, që vinte nga brenda Kryeministrisë, pikërisht në ato çaste është vrarë Hekuran Deda. Kur ka parë që ka rënë Hekurani, ka kërkuar ndihmë që të vinte ndonjë ambulancë, por ka parë se personi ishte i vdekur dhe se kishte marrë një plagë prapa kokës. Më pas, grupe protestuesish e kanë marrë personin e vdekur në krahë dhe janë larguar, ndërkohë ai vetë është larguar nga protesta. Nuk ka kryer akte dhune.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











