Aktivisti Andi Tepelena, ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, për hetimin ndaj profileve online që, sipas tij, po dëmtojnë turizmin duke lënë review negative te bizneset, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të kontrolluar opinionin publik.
Ai i bëri thirrje drejtuesit të Policisë që në vend që të bëj këto thirrje qesharake, të merret edhe me sulmet e patronazhistëve ndaj qytetarëve dhe aktivistëve në rrjetet sociale.
“Unë doja t’i thoja drejtorit të policisë, në vend që të bësh këto thirrje qesharake, sepse po kthehesh në një lloj komunisti dixhital, si ai i George Orwell-it te “1984”, do të bëje mirë t’u bësh thirrje patronazhistëve, ushtrisë së patronazhistëve që fshihen në ato bodrumet e minjve dhe u sulen qytetarëve dhe aktivistëve. Atyre bëju këtë thirrje. Sepse të bësh sikur zëvendëson rolin e Google-it, të ndërhysh në Facebook për review-t dhe komentet negative, është ndër gjërat më qesharake”, tha ai.
Më tej, aktivisti e cilësoi si të rrezikshme ndërhyrjen e institucioneve në hapësirën online, duke e krahasuar me metodat e vjetra të shërbimit të shtetit.
“Kjo është një shenjë e rrezikshme që regjimi, në këto momente, po bën çmos të ndërsejë policinë kundër opinionit të lirë dhe shprehjes së lirë. Ky është një rikthim te metodat e vjetra të shërbimit të shtetit. Dikur përdornin spiunët, tani përdorin këtë lloj terrorizmi digjital”, tha ai.
Aktivisti Andi Tepelena: Sot dëgjuam deklaratën e drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili thoshte se do të shpallin në kërkim, apo ku ta di unë, profile të cilat, sipas tij, ndërhyjnë në turizëm. Sipas tij, këta janë armiq që duan të dëmtojnë turizmin dhe ekonominë shqiptare.
Unë doja t’i thoja drejtorit të policisë, në vend që të bësh këto thirrje qesharake, sepse po kthehesh në një lloj komunisti dixhital, si ai i George Orwell-it te “1984”, do të bëje mirë t’u bësh thirrje patronazhistëve, ushtrisë së patronazhistëve që fshihen në ato bodrumet e minjve dhe u sulen qytetarëve dhe aktivistëve.
Atyre bëju këtë thirrje. Sepse të bësh sikur zëvendëson rolin e Google-it, të ndërhysh në Facebook për review-t dhe komentet negative, është ndër gjërat më qesharake.
Kjo është një shenjë e rrezikshme që regjimi, në këto momente, po bën çmos të ndërsejë policinë kundër opinionit të lirë dhe shprehjes së lirë. Ky është një rikthim te metodat e vjetra të shërbimit të shtetit. Dikur përdornin spiunët, tani përdorin këtë lloj terrorizmi digjital.
Ndaj i them drejtorit të policisë, kur ti ende nuk ke zbuluar kush e hoqi flamurin nga ambasada e Izraelit, kush janë agjentët e Iranit, antiamerikanët, rusët e të tjerë, si mund të zbulosh, mor zotëri, ata që qenkan armiqtë tanë dixhitalë që duan të shkatërrojnë turizmin?
Kjo është e turpshme dhe e rrezikshme. Regjimi është në grahmat e fundit dhe po përdor të gjitha metodat për të terrorizuar shprehjen e lirë, qytetarët dhe protestuesit. Por kjo nuk do të funksionojë.
© Panorama.al











