Media italiane “Il Fatto Quotidiano”: Teksa ziejnë protestat kundër tij, Rama jep 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, ndërsa pensionistët jetojnë me 110 euro në muaj

Jul 9, 2026 | 20:24

Media italiane Il Fatto Quotidiano i ka kushtuar një artikull debatit që ka shpërthyer në Shqipëri pas vendimit të qeverisë për të akorduar 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit për koncertin e reperit amerikan Kanye West në Tiranë.

konceri rama kanye west

Në artikull theksohet se vendimi ka nxitur reagime të forta publike dhe ka shtuar zemërimin në një kohë kur vendi po përjeton protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Sipas medias italiane, vetë Rama ka pranuar se ndërhyrja financiare ishte bërë për të shmangur anulimin e koncertit.

“Ne u detyruam të financonim 4 milionë euro në minutën e fundit për koncertin e Kanye West, përndryshe do të ishte anuluar”, citon Il Fatto Quotidiano deklaratën e kryeministrit shqiptar, i cili ka argumentuar se vendimi ishte marrë për të “shpëtuar imazhin e Shqipërisë” pas shitjeve të dobëta të biletave.

Biletat e shtrenjta dhe fondet publike në qendër të debatit

Artikulli nënvizon se koncerti i Kanye West, i planifikuar për 11 korrik në Tiranë, nuk ka arritur interesin e pritur nga publiku, ndërsa vetëm pak ditë para zhvillimit të tij mijëra bileta rezultonin ende të pashitura.

Një nga arsyet, sipas medias italiane, lidhet me çmimin e lartë të biletave, që varion nga 292 deri në 339 euro, në një vend ku paga mesatare mujore llogaritet rreth 400 euro.

Por ajo që ka shkaktuar reagimin më të madh, shkruan Il Fatto Quotidiano, është fakti se qeveria vendosi të përdorë fonde publike për të mbështetur eventin, pasi më herët kishte deklaruar se koncerti do të financohej tërësisht nga organizatorët privatë.

Në artikull kujtohet se, në muajin prill, Rama kishte garantuar se shteti do të ofronte vetëm mbështetje logjistike, siguri dhe mikpritje, ndërsa më 6 korrik qeveria miratoi një akt normativ që akordoi 400 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro, nga fondi rezervë i shtetit për financimin e koncertit.

“Pensionistët jetojnë me 110 euro në muaj”

Media italiane pasqyron edhe reagimet e qytetarëve shqiptarë në rrjetet sociale, ku shumë prej tyre kanë kritikuar përdorimin e parave publike për një koncert, ndërsa vendi përballet me probleme sociale dhe ekonomike.

“Pensionistët jetojnë me 110 euro në muaj, spitaleve u mungojnë pajisjet dhe mjekët, por qeveria gjeti para në minutën e fundit për një koncert. Po bëjmë shaka?”, citohet në artikull reagimi i një qytetareje shqiptare.

Po ashtu, gazetarja Alice Ophelia shprehet se, nëse qeveria synon të përmirësojë imazhin e Shqipërisë, fondet duhet të orientohen drejt problemeve reale të vendit.

Sipas saj, Shqipëria përballet me mungesë të menaxhimit të mbetjeve, infrastrukturë problematike dhe çështje të tjera që kërkojnë investime më urgjente sesa organizimi i një koncerti.

Kritika edhe për stadiumin dhe zgjedhjen e artistit

Në analizën e saj, Il Fatto Quotidiano ndalet edhe te ndërtimi i stadiumit të përkohshëm “Eagle Stadium”, i ngritur mes Tiranës dhe Durrësit vetëm për koncertin e Kanye West, me një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh dhe që pritet të çmontohet menjëherë pas eventit.

Media italiane rikujton gjithashtu se Kanye West ka qenë në qendër të polemikave ndërkombëtare për deklaratat e tij antisemite dhe qëndrimet ekstremiste, duke sjellë si shembull edhe anulimin ose kundërshtimin e eventeve të lidhura me artistin në vende të ndryshme, përfshirë Italinë.

Megjithatë, sipas artikullit, kryeministri Rama vijon të mbrojë organizimin e koncertit, duke argumentuar se ai do të ketë ndikim pozitiv në turizëm, ekonomi dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, me një përfitim të pritshëm prej rreth 100 milionë eurosh.

Sipas Il Fatto Quotidiano, e gjithë kjo po ndodh në një periudhë tensionesh politike dhe protestash kundër qeverisë, ndërsa debati për përdorimin e fondeve publike vijon të dominojë diskutimin në Shqipëri.

Artikulli i Il Fatto Quotidiano: Albania, il concerto di Kanye West è un flop: pochi biglietti venduti (troppo cari), Edi Rama stanzia 4 milioni per non farlo saltare. E scoppia la protesta

© Panorama.al

Te lidhura