
“Kanë përfituar 14 mijë familje, rivlerësimi 700 milionë USD”.
Qeveria do të zgjasë edhe dy muaj periudhën e faljes për regjistrimin e banesave. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar demokrat. Sipas tij, ky proces ka ecur shumë mirë, por për shkak të dyndjeve në ditët e fundit të afatit të përcaktuar me ligj, është parë e arsyeshme zgjatja e kësaj periudhe edhe me rreth 60 ditë të tjera. “Dua t’ju informoj se qeveria do të sjellë brenda pak ditëve te ju një akt normativ me të cilin do të shtyjmë edhe dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave në tërësi dhe të ndonjë pasurie tjetër, për arsye se ky proces i faljeve ka ecur në mënyrë të shkëlqyer. Por, siç e kemi ne, që shumë presim deri para fundit apo fundin, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive”, u shpreh kreu i qeverisë në fjalën para mediave. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur edhe shifrat zyrtare pas rreth shtatë muajve kur ka nisur procesi i amnistisë për rivlerësimin e pronave të paluajtshme. Kryeministri tha se deri tani kanë përfituar rreth 14 mijë familje dhe janë rivlerësuar shtëpi me vlerë deri në 700 milionë dollarë. “Është faktikisht krejt e pamundur përballimi i këtij vëllimi, ndaj dhe kemi diskutuar e vendosëm që t’jua sjellim aktin normativ për ta shtyrë deri në ditën e fundit të muajit shkurt këtë proces. Deri sot, vetëm banesa janë rivlerësuar në një shumë prej rreth 700 milionë dollarësh dhe kanë përfituar mbi 14 mijë familje, por janë në një dyndje reale në zyrat e regjistrimit të pasurive, kështu që ne gjykuam se janë edhe emigrantët që kthehen, dhe kjo do të ishte një lehtësim për ta, ndaj dhe ky akt është i domosdoshëm”, u shpreh kreu i qeverisë. Falë amnistisë së apartamenteve, qytetarët mund të paguajnë më pak para në arkën e shtetit kur të shesin pronën e tyre. Aktualisht, nëse një qytetar shet shtëpinë, i paguan shtetit 10 për qind të diferencës mes çmimit që e shet dhe çmimit që e ka blerë. Nëse ai do të bëjë rivlerësimin, do të paguajë vetëm një për qind të kësaj diference dhe pasi të shesë shtëpinë, nuk do të paguajë tatim mbi fitimin.
Bode: Amnistia dështoi, shkak konsensusi politik
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi pak ditë më parë se amnistia fiskale dështoi për shkak të qëndrimit të opozitës. “Nisur nga situata në të cilën u zhvillua, nga mungesa e një konsensusi politik, debati të fortë politik dhe nga kundërshtitë e shprehura të opozitës lidhur me këtë nismë, nuk u arrit maksimalisht objektivi”, tha dje Bode. Pjesa ku duket se amnistia dështoi ishte ajo e legalizimit të kapitalit nga ana e biznesit, i cili përgjatë gjithë procesit si të diskutimit të ligjit, edhe të zbatimit të tij, hodhi dyshime të forta nëse do të “përndiqej” pas këtij deklarimi apo jo. Gjithsesi, për ministrin Ridvan Bode amnistia, pa dyshim që u shërbeu qytetarëve dhe biznesit për t’i liruar “nga një sërë detyrimesh dhe nga mënjanimi i një sërë pagesave të rritura për shkak të dinamikës që ka pasur tregu i pasurive fikse në Shqipëri”.
Shembull i amnistisë
Në rast se një individ disponon një apartament, të cilin e ka deklaruar të blerë me një vlerë x, sot vlera e kësaj prone është disa herë më e lartë dhe individi mund të bëjë një rivlerësim të saj, të paguajë tarifën një për qind të diferencës dhe ta legalizojë pronën me vlerën reale.
Shembull
Një x individ ka blerë apartament të deklaruar me vlerën 2 milionë lekë në vitin 1999. Sot vlera reale e tij është 8 milionë lekë. Individit, për ta legalizuar, do t’i duhet që të paguajë një për qind të diferencës mes dy vlerave.
8 milionë vlera reale – 2 milionë vlera e deklaruar = 6 milionë lekë. 1% për qind është tarifa e legalizimit e vendosur në ligj.
1% e 6 milionëve është = 60 mijë lekë. Pra individit i njihet apartamenti në vlerën reale vetëm me 600 mijë lekë të paguar. Nëse individi nuk do ta bëjë rivlerësimin, kur të shesë pronën (për shembull 8 milionë lekë), do të paguajë 10% të diferencës mes vlerës së tanishme të tokës dhe vlerës kur e ka blerë (8 milionë – 2 milionë = 6 milionë. 10 për qind e 6 milionëshit = 600 mijë lekë).
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











