Aksioni i Vetëvendosjes, policia “dyndet” në kufi

Jan 14, 2012 | 12:10

Nga konferenca për shtyp e Vetëvendosjes, dje në Prishtinë

Kurti: Protesta do të jetë plotësisht paqësore, nuk jemi kundër Policisë së Kosovës, por kundër Serbisë.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të ashpra sigurie për të përballuar protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse Albin Kurti insiston se kjo protestë do të jetë tërësisht paqësore. Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”, që fokusohet në sigurimin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve në kufi, duke shtuar forcat e policisë aty. Synimi i aksionit të Policisë së Kosovës është tërësisht i kundërt me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar të bllokojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Kjo mund të nxisë provokime. Vetëm një ditë më parë, nga Lëvizja Vetëvendosje u deklarua se është arritur marrëveshja me Policinë e Kosovës për ta mbajtur këtë protestë paqësore dhe për të bllokuar një aks të rrugës, atë të hyrjes së kamionëve serbë. Por ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tha se nuk ka kurrfarë marrëveshjeje me Vetëvendosjen dhe se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë bllokimin e rrugës. Lufta e deklaratave nisi që në media, ndërkohë që nuk dihet se çfarë do të ndodhë në rrugët e Kosovës sot, kur mijëra njerëz, siç është parashikuar, do t’i bashkohen zërit të Albin Kurtit për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë. Askush nga Vetëvendosja nuk ka folur për dhunë, por liderët politikë në Kosovë vazhdojnë të flasin për paralajmërime dhune. Fjala “dhunë” ka mbytur atë “reciprocitet”, e cila ndonëse u miratua në Kuvendin e Kosovës, nuk ka marrë asnjë vëmendje nga ekzekutivi kosovar. Eksperiencat e mëparshme të tubimeve të Vetëvendosjes kanë pasur goditje me vezë, gurë e shishe. Kësaj radhe është premtuar se nuk do të ketë, është kërkuar edhe ndihma e shqiptarëve në të gjithë rajonin. Por “Me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, Policisë së Kosovës në bazë të vlerësimeve nga aspekti i sigurisë, ligjërisht i lejohet dhe do t’i ndalojë të gjithë ata qytetarë që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje e që përmes veprimeve të tyre cenojnë sigurinë e vendit, si dhe të prishin rendin dhe qetësinë publike. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. Do të thotë se kështu nuk do të lejohen shqiptarët e rajonit të hyjnë në Kosovë për të protestuar me Kurtin, edhe pse Aleanca Kuq e Zi ka premtuar mbështetje të madhe nga Shqipëria. Albin Kurti garantoi dje se “protestat që do të organizohen, duke filluar nga ora 13:00, do të jenë paqësore dhe tërësisht të padhunshme”. Në një konferencë për shtyp, ai tha se “Policia e Kosovës nuk është kundërshtari ynë. Serbia është kundërshtari ynë. Asnjë protestues nuk do ta provokojë Policinë. Besojmë e shpresojmë që edhe policia të mos i provokojë protestuesit”.

Ambasadorët
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara të Vetëvendosjes për datën 14 janar, për të mbyllur pikat kufitare të Kosovës në portat 3 dhe 5. Edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në Kosovë, Fernando Gentilini, e ka quajtur të padobishëm aksionin e Vetëvendosjes për të ardhmen e Kosovës në BE.

Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh kundër veprimeve që pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke u bërë kështu thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bllokojnë rrugët dhe vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se paralajmërimi i Lëvizjes Vetëvendosje për organizimin e protestave paqësore ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve.

“Anuloni aksionin!”
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, ka kërkuar nga Vetëvendosja që ta anulojë aksionin e së shtunës. “Vërtet do të kërkoja nga Vetëvendosja që ta anulojë këtë aksion. Kjo nuk na ndihmon aspak ne në BE, që e duam Kosovën më afër BE-së dhe Serbinë me marrëdhënie të mira me shtetin e Kosovës. Ky aksion nuk na ndihmon aspak drejt këtij qëllimi. Aksionet si ai që Vetëvendosja planifikon të organizojë, e bëjnë Kosovën të shihet si një vend që prodhon trazira”, u shpreh Lunacek. Sipas saj, projekti “Serbia nuk kalon” dëmton rrugën europiane të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura