Aksioni i SPAK ndaj AKSHI-t dhe arresti i Karçanaj, eksperti Semanaj: Cënuan sigurinë kombëtare! Përdornin mekanizma kriminal në prokurimet publike

Dec 16, 2025 | 22:19

Eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, i ftuar në emisionin “Studio 24”, ka komentuar aksionin e SPAK në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i cili çoi edhe në masën e arrestit shtëpiak për drejtoreshën Mirlinda Karcanaj, duke e cilësuar çështjen si shumë më të rëndë se raste të tjera të hetuara së fundmi.

semanaj

Sipas Semanajt, grupi kriminal i goditur brenda AKSHI-it ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, pasi përveç përfitimeve nga fondet publike, kishte në kontroll edhe të dhëna shumë sensitive të shtetit shqiptar.

“AKSHI është qeveria digjitale: 100% e ministrive, regjistri i bizneseve, transaksionet në thesar dhe sistemet IT të gjyqësorit. Nëse SPAK e konsideron grup të strukturuar kriminal, atëherë është cenuar siguria kombëtare”, deklaroi Semanaj.

Ai tha se prokurimet publike në AKSHI ishin kapur nga një mekanizëm kriminal, ku sipas tij, 95% e tenderave përfundonin tek dy persona, ndërsa kishte edhe kërcënime ndaj konkurrencës. Semanaj ngriti gjithashtu dyshime për lidhje të çuditshme mes operatorëve fitues dhe kryeministrit Edi Rama.

Eksperti theksoi se kjo çështje është “shumë herë më e madhe se rasti Balluku”, duke shtuar se AKSHI ka qenë prej vitesh objekt denoncimesh për mënyrën se si janë menaxhuar prokurimet dhe të dhënat shtetërore.

Duke komentuar edhe projektin “Diella”, Semanaj u shpreh se ai ka dështuar, pasi institucioni që duhej të garantonte integritetin e tij është i njëjti që, sipas tij, u kap “me presh në duar”.

“Diella do të ishte ministrja më e korruptuar globale, sepse inteligjenca artificiale vetëm përshpejton proceset. Nëse proceset janë të korruptuara, asgjë nuk ndryshon”, u shpreh ai.

Në fund, Semanaj theksoi se AKSHI ka varësi direkte nga Kryeministria dhe se drejtoresha Karcanaj raporton drejtpërdrejt te kryeministri, duke shtuar se pa ndryshime rrënjësore të proceseve, problematika do të vijojë.

Besmir Semanaj: Me grupin kriminal që SPAK goditi brenda institucionit të AKSHI-it është cenuar siguria kombëtare. Prokurimet publike kanë qenë në duart e një grupi të ngushtë njerëzish që kanë ndërtuar një mekanizëm kriminal: nga njëra anë përfitonin fonde publike dhe nga ana tjetër kishin akses te të dhënat më sensitive të shtetit shqiptar.

AKSHI është qeveria digjitale: 100% e ministrive, regjistri i bizneseve, transaksionet në thesar, kompani që kanë ndërtuar sistemet IT të gjyqësorit. Kjo është shumë herë më e madhe se çështja Balluku.

95% e tenderave merren nga dy personazhe, ka kërcënime ndaj konkurrencës dhe janë të çuditshme lidhjet e konkurrencës me Ramën. AKSHI ka vite që denoncohet për mekanizmin kriminal që ka kapur prokurimet publike: në një anë paratë e përfituara dhe nga ana tjetër, aksesi në të dhënat më sensitive të shtetit shqiptar.

Nëse SPAK e konsideron këtë një grup të strukturuar kriminal, atëherë unë mendoj se është cenuar siguria kombëtare.

Diella ka rënë, nuk ekziston më, sepse institucioni që do të duhej ta trajnonte Diellën që të mos vidhte, është pikërisht ky institucion që u kap me presh në duar. Diella do të ishte ministrja më e korruptuar globale, sepse përdor inteligjencë artificiale dhe procedon shkresat dhe informacionin shumë më shpejt. Për sa kohë nuk ndryshojnë proceset, nuk ndryshon asgjë.

AKSHI si institucion ka varësi direkte nga Kryeministria. Karcanaj raporton direkt te Rama. Për sa kohë nuk ndryshojnë proceset, nuk ndryshon gjë

© Panorama.al

Te lidhura