Ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi, është plagosur pa rrezik në një aksident rrugor, të ndodhur dje pasdite në autostradën Tiranë- Durrës. Bashkëshorti i saj, shtetasi Dashamir Uruçi, ka mbetur i plagosur rëndë në të njëjtën ngjarje të ndodhur dje rreth orës 17:40. Aksidenti ka ndodhur dje pas mesdite, në kilometrin e 12-të të autostradës Tiranë-Durrës, pak pa mbërritur në zonën e Vorës. Policia ka thënë se ishministrja dhe bashkëshorti i saj ishin duke udhëtuar me makinën tip “Benz” me targa TR 8580 J. Gjatë lëvizjes në autostradë, makina ku ndodhej ish-ministrja e Kulturës, mësohet se është përplasur me mjetin me targa TR 6058 K.
Sipas burimeve nga Policia, në vendin e ngjarjes shkak i aksidentit të rëndë ka qenë vështirësia në pamje dhe lagështira në rrugë, e shkaktuar prej reshjeve të dendura të shiut. Pas përplasjes së makinave, ish-ministrja dhe bashkëshorti i saj kanë mbetur në mjetin e tyre, ndërkohë që drejtuesi i makinës tjetër të përfshirë në aksident, është larguar nga vendi i ngjarjes, por është ndjekur nga policia, e cila e ka ndaluar atë disa orë më vonë. Sipas burimeve nga Policia, automjetet janë përplasur mes tyre, ndërsa po lëviznin në të njëjtin drejtim, nga Tirana në Durrës.
Shkak i përplasjes ka qenë në fillim një fërkim i vogël, i cili në kushtet e shiut të dendur dhe lagështirës ka sjellë manovrime të pakontrolluara nga drejtuesit e mjeteve. Për pasojë, automjeti ku ndodhej ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi dhe bashkëshorti i saj Bashkim Uruçi, ka dalë nga rruga dhe ka mbetur i përmbysur në njërin krah të saj, derisa aty ka mbërritur policia. Forcat e rendit u kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve nga aksidenti, ndërkohë që menjëherë kanë shpallur në kërkim drejtuesin e makinës tjetër që shkaktoi aksidentin. Sipas Policisë, ky person ka kryer parakalimin e gabuar, duke hyrë në korsinë ku po lëvizte makina e ish-ministres së Kulturës me anë të një manovrimi të rrezikshëm, që ka hequr fushëpamjen e drejtuesit të mjetit duke shkaktuar edhe aksidentin në autostradë. Mbrëmë nga Policia dhe burimet e Spitalit Ushtarak është njoftuar se shtetasi Bashkim Uruçi është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. tr.so
Spitali Ushtarak, 11 të aksidentuar brenda ditës
Pesë të aksidentuar vetëm pasdite. Dy prej të cilëve, në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore. Urgjenca e Spitalit Ushtarak ishte dje e supermbushur. Dhjetë persona të aksidentuar morën trajtim deri në orën 18:00. Mjekëve nuk mund t’u merrje shumë detaje, pasi gjatë gjithë kohës i shihje në lëvizje sa brenda në kirurgji sa jashtë, duke mjekuar plagët e personave të plagosur më lehtë. Brenda 20 minutave që qëndruam, dy autoambulanca mbërritën për të transportuar të aksidentuarit. Rasti i fundit nga Berati dukej qartë që ishte në rrezik për jetën. “Sot ka qenë një ditë vërtet e tmerrshme. Ndoshta për shkak të shiut. Nuk kemi kohë të marrim frymë, sepse nga ora 7 e mëngjesit dhe deri tani vetëm na kanë ardhur të aksidentuar. Disa prej kolegëve momentalisht vijojnë të jenë në sallë”, tha njëri prej mjekëve të urgjencës. Jashtë në korridore, dhjetëra familjarë me lot në sy. “Shyqyr që shpëtoi”, ishte shprehja që dëgjohej më shpesh.
Kamionçina godet maunen, një i vdekur, dy të plagosur në Tepelenë
TEPELENE- Një i vdekur dhe dy të plagosur, është bilanci i një aksidenti të rëndë që ndodhi dje. Arta Prendi, 54 vjeç nga Shkodra, por me nënshtetësi amerikane, humbi jetën, ndërkohë që bashkëshorti i saj Nush Prendi, dhe drejtuesi i mjetit me të cilin udhëtonin, janë plagosur. Ngjarja ndodhi në aksin nacional Memaliaj-Mallakastër, në vendin e quajtur Kthesa e Luftinjës, kur mjeti i tyre goditi nga pas një maune. Pas hetimeve paraprake ka rezultuar se shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia nga ana e drejtuesit të mjetit, me të cilin udhëtonte çifti me pasaporta amerikane. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30. Çifti Prendi udhëtonte me një automjet tip “Ford” kamionçinë me targa greke EMK 3874, që drejtohej nga Sokol Lepeja, 58 vjeç nga Shkodra. Ai e kishte marrë çiftin Prendi nga Athina për ta çuar në Shkodër. Mbilodhja e drejtuesit të kamionçinës, përfshirë këtu edhe kushtet e vështira atmosferike, dyshohet se shkaktuan edhe aksidentin. Të mbijetuarit e aksidentit kanë deponuar se kamionçina e tyre po ecte me shpejtësi normale dhe në momentin e ngjarjes ajo ka goditur në pjesën e pasme një maune me targë FR 49 74 C, që drejtohej nga shtetasi Subi Buzi. Goditja ka qenë e fortë, pasi kamionçina ka arritur të hyjë në pjesën e poshtme të maunes duke sjellë vdekjen e menjëhershme të Arta Prendit, plagosjen e bashkëshortit të saj Nush Prendi, si dhe të drejtuesit të mjetit. Mësohet se mjeti që vinte nga Greqia, po transportonte edhe materiale ndërtimi. Tubot metalike që ndodheshin në karrocerinë e saj kanë rënë, duke e qëlluar në kokë gruan 54-vjeçare. Burime nga Spitali i Tepelenës bënë të ditur se ajo kishte marrë dëmtime të rënda në kokë nga materialet e ndërtimit, që i shkaktuan edhe vdekjen e menjëhershme. Ndërsa dy të plagosurit, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, e kanë kaluar rrezikun për jetën. Policia e Tepelenës shoqëroi drejtuesin e kamionçinës për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Kjo është viktima e dhjetë brenda këtij viti, që vjen si pasojë e aksidenteve rrugore në Jug të vendit. Katër ditë më parë, dy oficerë të Policisë së Përmetit humbën jetën në një aksident automobilistik, në aksin nacional Këlcyrë-Përmet. p.n
© Panorama.al











