Aksidentohen me kanoe mbi Vjosë turistët çekë, vdes 35-vjeçarja

May 25, 2011 | 9:48

PERMET- Një grup turistësh çekë janë përplasur me kanoen e tyre në lumin Vjosa, për pasojë, një 35-vjeçare gjeti vdekjen. Sipas Policisë, turistja çeke Mikaela Jonakova, së bashku me një grup miqsh të saj, kishin mbërritur në jug të vendit për të vozitur me kanoe në ujërat e Vjosës. Por, fatkeqësisht, 35-vjeçarja është përplasur me një shkëmb në xhiron me kanoe në kthesat e lumit Vjosa në Përmet, duke gjetur vdekjen. Burime të Policisë bënë të ditur se kanë qenë një grup turistësh nga Çekia prej tetë personash, të cilët kishin mbërritur dje në orët e drekës. Pasioni i tyre për sportin e kanoes në rrjedhat e lumenjve, i ka shtyrë ata të ndërmarrin një ekspeditë në jug të vendit, duke eksploruar rrjedhjen e egër të lumenjve. Rreth orës 12:00, grupi është nisur me tre varka në lumin Vjosë nga fshati Petran në drejtim të Këlcyrës, në pjesën jugperëndimore të Përmetit. Kanoa e fundit e kolonës vozitej nga një çift. Por rrjedha e lumit dhe mosnjohja e vendit ka bërë që çifti të humbë kontrollin. 35- vjeçarja është përplasur në shkëmb dhe trupi i saj është marrë nga rrjedha duke e çuar në thellësitë e një guve aty pranë. Pas dhjetë minutave, turistët e mbetur mbi ujë kanë mundur të nxjerrin trupin e pajetë të saj, ndërsa alarmi i dhënë nga turistët e huaj çoi në vend edhe Policinë e Përmetit.     p.n

© Panorama.al

Te lidhura