
Vdekja e dy punonjësve të policisë në aksidentin e ndodhur në rrugën nacionale Përmet-Këlcyrë ka tronditur kolegët e tyre. Dje, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës u nderua shefi i Rendit të Policisë së Përmetit, Nuri Kërçani, si dhe specialisti i hetimit dhe parandalimit të krimit, Petrit Lata. Në fakt, në ambientet e kësaj drejtorie u kryen homazhet për kryepolicin Kërçani, origjina e të cilit është nga Gjirokastra, ndërsa trupi i 43-vjeçarit Lata u përcoll drejt Tiranës, ku jeton familja e tij. Drejtues të lartë të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe banorë të qytetit të Gjirokastrës, kanë kryer dje homazhe pranë trupit të pajetë të shefit të Rendit, 40-vjeçarit Nuri Kërçani. Rreth orës 12:00, të parët që kanë nderuar Kërçanin, ishin nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rasim Boriçi, drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Emri Vata, prefektja e Qarkut Mimoza

Çomo, kryebashkiaku gjirokastrit Flamur Bime, si dhe drejtues të forcave të ndryshme politike. Në heshtje të plotë dhe larg fjalimeve, pjesëmarrësit kanë parakaluar përpara trupit të pajetë të Kërçanit, i cili u vendos në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Rasim Boriçi, nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka vlerësuar figurën e shefit të Rendit të Përmetit, duke u shprehur se Nuri Kërçani u nda nga jeta aksidentalisht, teksa po kthehej nga shërbimi. “Pjesëmarrja e banorëve për të nderuar kryepolicin e Përmetit, tregon se policia tashmë është një institucion i vlerësuar nga komuniteti”, u shpreh Boriçi për gazetën “Panorama”. Një ditë më parë, dy drejtues të lartë të komisariatit të Përmetit, u aksidentuan për vdekje në rrugën Këlcyrë-Përmet. Fatkeqësisht në këtë aksident humbi jetën Nuri Kërçani, shef i komisariatit të Përmetit, si dhe drejtuesi i automjetit Petrit Lata, 43 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist i hetimit dhe krimit. Sipas Policisë, aksidenti mendohet se mund të jetë shkaktuar nga rrëshqitja e mjetit në rrugë si pasojë e lagështisë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e ndonjë defekti të papritur të automjet.
GJIROKASTER/ PIRO NASE











