Aksidenti i Himarës, në sitë autobusët e linjës së Vlorës

Jun 4, 2012 | 13:18
Autobusi i tragjedisë së Himarës

Pas aksidentit të rëndë që ndodhi në Himarë, ku humbën jetën 13 studentë, Policia e Vlorës ka ndërmarrë një aksion për kontrollin e autobusëve të linjave të gjata, të cilët kryejnë transportin e qindra pasagjerëve. Dy autobusë u bllokuan, pasi njëri prej tyre nuk kishte kryer kolaudimin autoteknik të mjetit, ndërsa një tjetër kishte pasagjerë mbi normën e lejuar. Burime nga Policia bënë të ditur se shkak i këtij operacioni në shkallë të gjerë është bërë jo vetëm aksidenti tragjik në Qafën e Vishës, në afërsi të Himarës, por edhe rritja e sigurisë së udhëtarëve në stinën e verës, ku ngjarjet në rrugë shtohen. Për këtë qëllim janë ngritur disa postblloqe kontrolli, jo vetëm në hyrje-daljet e qytetit, por dhe në rrugët nacionale Vlorë-Fier dhe Vlorë-Sarandë. Kontrollet e autobusëve nga ana e uniformave blu kanë konsistuar në verifikimin e pasagjerëve, pra nëse numri i tyre është mbi kapacitetet e përcaktuara. Gjithashtu, kontrolli policor është përqendruar edhe në verifikimin nëse janë kryer aktet teknike të automjeteve, dokumentacioni në tërësi i autobusëve të linjave të pasagjerëve, pajisja e drejtuesve me leje drejtim të klasifikuar, kontrollin e shpejtësisë, si dhe të kushteve në tërësi të mjetit.
“Këto masa merren edhe në kuadër të sezonit turistik veror që tashmë ka filluar. Kjo me qëllim për të garantuar një siguri më të mirë në rrugë, për të eliminuar aksidentet e mundshme që ndodhin për shkak edhe të ngarkesës së lëvizjeve, shpejtësisë apo edhe të kushteve teknike të mjeteve që transportojnë pasagjerë”, bënë të ditur efektiva të Qarkullimit Rrugor, të cilët gjatë paradites së djeshme kishin kryer verifikimin e një sërë mjetesh me kapacitet të madh pasagjerësh. Nga kontrollet e ushtruara në disa autobusë të linjave jashtë Vlorës janë konstatuar disa parregullsi në disa mjete, duke bllokuar dy prej tyre në pikën e sekuestrimit që ndodhet në zonën e Pusmezinit. “Është kontrolluar autobusi me targë VL 4742 C, i linjës Vlorë-Himarë-Vlorë, të cilit iu bllokua dokumentacioni, pasi mjetit nuk i ishte bërë kolaudimi autoteknik, si dhe kishte 15 pasagjerë mbi kapacitetin normal të lejuar nga Kodi Rrugor. Më pas është bllokuar leja e qarkullimit si dhe bllokimi i dokumenteve për drejtuesin e mjetit”, bëri të ditur Policia. Gjithashtu po dje blutë bllokuan autobusin Vlorë-Kuçovë-Vlorë, me targë VL 6747 C, në të cilin ka rezultuar se kishte dy pasagjerë më tepër, me pronar Fatmir Capi, me patentë të klasit D. Policia u vendosi disa gjoba edhe drejtuesve të disa mjeteve, për thyerje të rregullave të qarkullimit rrugor, parregullsi në dokumentacion, si dhe për gjoba të prapambetura.
VLORE/ QEMAL BIRAKU

Shëngjin, policët uzurpojnë transportin
LEZHE – Transporti publik me zonën turistike të Shëngjinit kryhet nga automjete të cilat nuk disponojnë dokumente përkatëse, ndërsa një pjesë e mirë e tyre janë efektivë të Policisë së Shtetit. Këtë fakt e bëri të ditur edhe kreu i komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, gjatë një aksioni të përbashkët të ndërmarrë për këtë qëllim nga policia komunare në bashkëpunim me atë Rrugore. Kanë qenë ankesat e drejtuesve të mjeteve që paguajnë rregullisht detyrimet ndaj komunës së Shëngjinit, ajo që ka nxitur këtë aksion, duke kaluar në sitë të gjithë mjetet e transportit publik drejt Shëngjinit. Kreu i komunës u shpreh se nuk mund të tolerohet një situatë e tillë, ku disa paguajnë dhe disa jo, e për më tepër sipas tij, ata që duhej të kujdesen për mbarëvajtjen e këtij shërbimi janë edhe shkelësit kryesor. “Barazia para ligjit duhet të jetë për të gjithë qytetarët, pavarësisht pozicioneve të tyre. Për sa u përket drejtuesve të furgonëve që janë efektiva të Policisë në Lezhë, e kam bërë të ditur situatën në Drejtorinë e Policisë në Lezhë ku më pas kam marrë edhe mbështetje për të frenuar e penguar me çdo mënyrë këtë veprimtari të paligjshme. Kjo dëmton jo vetëm të licencuarit, por edhe vetë komunën e Shëngjinit, e cila do të shtonte disa të ardhura nga dhënia e regjistrimit të automjetit”, u shpreh kryekomunari Kaçaj. Ky aksion ndaj transportit publik të palicencuar në Shëngjin do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme përgjatë gjithë sezonit turistik, ndërsa kontrollet do të jenë të përbashkëta më Policinë e Qarkullimit Rrugor.                                                             gj.f

Rruga e Kombit, çahen e vidhen trafikndarëset

Dëmtimet e trafikndarëseve në rrugën e Kombit

KUKES – Vazhdon me intensitet të lartë dëmtimi i autostradës Durrës-Kukës, ndërkohë që afrohet dita kur mendohet që koncensionarët të marrin përsipër mirëmbajtjen e saj. Segmenti nga Rrësheni në drejtim të tunelit të Kalimashit është më i dëmtuari, jo vetëm nga aksidentet që kanë dëmtuar trafikndarëset dhe mbrojtëset e rrugës, por dhe nga banorët e zonës së Fanit, të cilët po improvizojnë vetë kalime të jashtëligjshme. Dita-ditës në Autostradën e Kombit po shtohen përkujtimoret, epitafet dhe lulet në vendet e aksidenteve. Firmat private që mirëmbajnë rrugën, më së shumti gjatë dimrit, thonë se po ndeshen me një fenomen të ri, atë të dëmtimit, prerjes së llamarinave dhe vjedhjes së tyre nga banorët. Edhe rrëshqitjet nga faqet e malit sipër rrugës janë të shumta, pasi firmat ndërtuese nuk e kanë çuar deri në fund brezin e sigurisë. Në fshatin Kolsh, si rezultat i kësaj neglizhence, përditë bien shkëmbinj dhe inerte në rrugë, dhe kjo kërkon ndërhyrje të specializuar, pasi mirëmbajtësit e rrugës nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. I vetmi riparim që po behët është në fshatin Përbreg, pasi 420 m autostradë në krahun e djathtë kur vjen nga Kosova ishte gati të përfundonte në lumë. Në këtë segment mungojnë plotësisht mbi e nënkalimet e për pasojë kanë humbur jetën në 17 km autostradë 7 udhëtarë e banorë dhe janë plagosur 20 të tjerë. Vetëm në këtë segment janë 32 prerje të trafikndarësve, të lëna bosh që gjatë montimit të tyre, për shkak se mungojnë mbikalimet e rregullta. j.h

© Panorama.al

Te lidhura