Aksidentet, një i vdekur, një i plagosur

Aug 8, 2012 | 12:53

TIRANE – Një person ka mbetur i vdekur mbrëmjen e djeshme në rrugën e Rinasit. Viktima po drejtonte një motor me të cilin i ka prerë rrugën një automjeti, duke shkaktuar kështu aksidentin e rëndë. Aksidenti me pasojë vdekjen ka ndodhur rreth orës 21:30 në Tiranë. Makina tip “Benz”, me targa AA 009KL, është përplasur me një motor në rrugën e Rinasit. Si pasojë e përplasjes mësohet se ka gjetur vdekjen drejtuesi i motorit, shtetasi Ilir Ndreu, 24 vjeç. Ai ka marrë plagë e dëmtime të rënda, por edhe pse është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nuk ka arritur t’i mbijetojë. Nga hetimet paraprake mendohet se viktima me motor i ka prerë rrugën makinës, drejtuesi i të cilës është shoqëruar në Komisariat. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme një tjetër aksident ka ndodhur në Kamzë. Atje një makinë tip “Benz”, me targa të huaja, e cila udhëtonte me shpejtësi, ka përplasur një biçikletë dhe për pasojë është plagosur shtetasi Ismet Kokalari, i cili është dërguar në spital për ndihmën mjekësore.

© Panorama.al

Te lidhura