Aksident në Gjirokastër, një vdes, një tjetër plagoset

May 13, 2011 | 10:57

GJIROKASTER – Një punëtor i Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve humb jetën nga një aksident automobilistik. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës të së enjtes, kur një automjet tip xhip ka përplasur Hito Bezgon 60 vjeç dhe Hazbi Avdulaj 59 vjeç, të dy nga Gjirokastra. I pari nuk i ka rezistuar dot plagëve të rënda dhe për pasojë humbi jetën në ambientet e Spitalit të Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në të dalë të qytetit të gurtë, në lagjen periferike “Gërhot”, në pjesën veriore të Gjirokastrës. Sipas dëshmitarëve okularë, automjeti tip xhip i markës “Mitsubishi” me targa GJ 9958 A, që drejtohej nga Viktor Halilaj, 30 vjeç, nga Salarija e Tepelenës, ka dalë nga rruga dhe për pasojë përplasi dy punëtorët e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve, të cilët ishin në krye të detyrës. Xhipi ka ardhur rrufeshëm dhe ka marrë para dy të moshuarit, të cilët pastronin kanalin përbri rrugës nga barërat e këqija. Si Bezgo edhe Avdulaj u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës për ndërhyrje. Ndonëse mjekët kirurgë kanë bërë të pamundurën, nuk u arrit të shpëtohej nga vdekja 60-vjeçari Bezgo. Plagët e rënda që ai kishte marrë nga përplasja fatale me automjetin, ndikuan që ai të mos rezistonte dot e për pasojë hemorragjia e brendshme trupore solli edhe vdekjen e menjëhershme. Ndërsa punëtori tjetër, Hazbi Avdulaj, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia sapo ka mbërritur në vendngjarje ka marrë në konsideratë të gjitha provat dhe më pas shoqëroi drejtuesin e automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ka bërë të ditur për gazetën “Panorama” se shkaku i përplasjes së mjetit me fatkeqët ishte humbja e kontrollit të Viktor Halilaj. Materialet pas veprimeve proceduriale i janë përcjellë organit të akuzës për veprime të mëtejshme.             p.n

© Panorama.al

Te lidhura