Taksa e makinës, dy variantet që po shqyrtojnë Financat

Mar 21, 2011 | 9:50

Ndryshimi i ligjit që sanksionon taksimin për shitjen e makinave në vend, duket se po gjen miratimin e një drafti final nga ana e Ministrisë së Financave.Më herët, kjo Ministri ka konfirmuar se është duke shqyrtuar dy drafte, të cilat do të konkludohen në një final. Por cilat janë dy versionet që po diskutohen për të çliruar tregun e shitjes së makinave, i cili prej muajsh ka mbetur në vend.
Draftet
Të dy draftet që po diskutohen kanë në bazë dekurajimin e përdorimit të makinave të vjetra, në mënyrë që impakti në mjedis të jetë sa më i ulët. Varianti i parë rreth të cilit po diskutohet për taksën e makinave, në vija të trasha ka në thelb heqjen e taksës së shitjes, por vendosja e një takse që do të paguhet një herë në vit sipas vjetërsisë që ka makina. Pra, kur një qytetar e ble një makinë në vend, atij nuk do t’i duhet të paguajë taksën që zbatohet aktualisht, por do t’i duhet që të paguajë një taksë, sipas një formule që rrit në mënyrë progresive detyrimin sipas viteve të prodhimit të makinës. Sa më e vjetër makina aq më e lartë edhe taksa që do të paguhet nga ana e individit që e zotëron atë. Kjo në fakt do të çlironte tregun në aspektin e shitjes si proces, por ama nga ana tjetër do të ulte ndjeshëm kërkesat e atyre që do të duan të blejnë një makinë tjetër, për të cilën çdo vit do t’u duhet që të shpenzojnë më shumë. Ndërkaq, varianti i dytë është edhe ai i heqjes totale të taksës për shitjen e një automjeti. Ky variant në fakt u kërkua edhe nga vetë Kryeministri, por nga Financat u cilësua si i pamundur. Ministri i Financave u shpreh se kjo do ta kthente Shqipërinë në një varrezë makinash dhe kjo në fakt nuk është thjesht në ide, sepse në vendin tonë, jo më larg se tre vjet, ky ishte një fakt. Heqja e taksës së shitjes do të rriste shitjet, por në fakt me kontrastin tjetër ku taksa e importit është ulur, çka do të sillte më shumë makina të vjetra në qarkullim. Nga të dyja alternativat në diskutim, duket se në thelb të finalit, sërish do të mbetet një taksë. Drafti final i Financave do të ketë sërish në qendër një formulë e cila do të ketë si synim dekurajimin e përdorimit të makinave të vjetra dhe çlirimin e shitjes në tregun vendas, për të cilin jo pak herë është diskutuar se ka ngelur në vend. Shumë më herët nga ana e kryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana, u ngit si problem në mbledhjen e grupit të PD-së problemi i tregut të shitjes së makinave. Qysh në atë kohe, nga ana e Kryeministrit Sali Berisha u kërkua që pranë Financave të ngrihet një grup pune që të diskutojë lidhur me ndryshimin e taksës për të zgjidhur këtë çështje. Problemi në treg erdhi pas miratimit të formulës së taksës së makinës që aplikohet aktualisht në vendin tonë ku menjëherë shitjet e makinave brenda vendit ranë ndjeshëm. Këtë e konfirmojnë edhe noterët, të cilët shprehen se, nëse më herët bëheshin katër shitje në muaj, tani mezi mund të bëhet një. Ndërkohë që një pjesë e mirë e qytetarëve për të evituar këtë taksë e japin makinën me akt përdorimi.

Taksa aktualisht

Taksa e një makine në vend llogaritet sipas formulës së përcaktuar nga Ministria e Financave. Në këtë formulë përfshihet cilindrata, koeficienti fiks për çdo vit përdorimi si dhe taksa fikse për llojin e karburantit.

Nëse marrim si shembull importimin e një automjeti me cilindratë 2500 cm3 e prodhuar në vitin 2005 dhe që punon me naftë, përllogaritja e taksës do të ishte: 2500 cm3 x 6 (vite që nga prodhimi 2010-2005) x 0.5 koefiçenti fiks për çdo vit përdorimi x 25 taksa fikse për llojin e karburantit, taksa që duhet të paguhet në fund është 187,500 lekë.

Ndërkohë, nëse në vitin 2012 e njëjta makinë do të shitej brenda vendit, formula e përllogaritjes së taksës do të ishte: taksa  e mjetit të përdorur në vitin e shitjes – taksën e importit të mjetit në momentin e hedhjes në qarkullim. Konkretisht në shembullin tonë kjo është; 2500 x 7 x 0.5 x 25 – 2500 x 6 x 0.5 x 25 = 218,750- 187 500 është e barabartë me 31 250 lekë. Kjo do të jetë edhe taksa që do të paguhet në momentin e shitjes së makinës.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura