Akreditohen 5 institucione shëndetësore

Dec 21, 2011 | 12:26
Vasili dhe Kalo

Institucionet publike shëndetësore nuk shfaqin interes, për t’u akredituar sipas cilësisë së shërbimit që ofrojnë për pacientët. Nga 5 institucionet e para shëndetësore që kanë kaluar tashmë testin, vetëm dy i përkasin këtij sistemi, tre të tjerat janë private. Spitali publik i Durrësit, Qendra shëndetësore nr.4 në kryeqytet, një klinikë stomatologjike, një laborator dhe një farmaci, edhe pse nuk kanë marrë pikët maksimale, kanë arritur të kapin 80 indikatorët e cilësisë, nga 100 që është maksimalja. Sipas drejtorit të Qendrës së Sigurisë, Cilësisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo, ky proces duhet të zgjerohet më tej. “Janë disa probleme, që akreditimi nuk mbaron duke thënë që këto qendra janë të shkëlqyera. Këto qendra kanë mbushur një nivel të caktuar pikësh, mbi 80 për qind të pikëve, por grupi i vlerësuesve të jashtëm në çdo qendër lë një listë rekomandimesh për përmirësim të mëtejshëm”, tha Kalo. Sipas tij, interesi është i madh, sidomos nga sektori privat. “Dhe kjo përbën një shqetësim për ne, sepse sektori publik ende nuk ka  kuptuar dy gjëra. E para, nuk ka kuptuar që kjo është një kërkesë e ligjit, e cila e detyron t’i nënshtrohet këtij procesi. E dyta, ende nuk e kanë kuptuar që ky proces është për të mirë të tyre”, tha drejt. QKCSAISH. Ndonëse më e madhja në vend ende nuk është akredituar, as qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”. Sipas Kalos nuk është shprehur interes për të matur indikatorët, ndonëse është domosdoshmëri që të paktën kjo qendër të futet në këtë proces. “Nga ana cilësore, QSUT nuk është verifikuar. Ne do shikojmë se si QSUT do të shkojë në proces, do të akreditohet si QSUT apo do fokusohemi në spitale të caktuara të saj, të cilat mund ta nisin një nga një dhe pastaj QSUT në tërësi. Ende nuk kemi një kërkesë zyrtare”, tha Kalo. I pranishëm gjatë konferencës së djeshme ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Ky proces stimulon dukshëm një kompeticion mes institucioneve. Tashmë shëndetësia shqiptare ka hyrë në një rrugë pa kthim. Publiku dhe pacienti shqiptar tashmë e njeh qartë se cila është cilësia”, tha ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, akreditimi përfaqëson konfirmimin publik të kompetencës profesionale të pretenduar nga institucioni, e vlerësuar kjo përkundrejt standardeve paraprakisht të miratuara. Qëllimi final i akreditimit është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë, sigurisë dhe performancës së institucioneve shëndetësore nëpërmjet veprimtarisë të ndërgjegjshme të brendshme për të arritur dhe përmirësuar vazhdimisht standardet. Akreditimi i mbron pacientët, konsumatorët dhe qytetarët nga praktika e keqe mjekësore, ajo e rrezikshme, apo abuzive.  Akreditimi u dëshmon atyre që institucioni shëndetësor është në gjendje të bëjë çka duhet, ashtu siç duhet dhe atëherë kur duhet, në përmbushje të nevojave dhe pritshmërive shëndetësore të popullatës.

Institucionet e akredituara
– Spitali publik i Durrësit

– Qendra shëndetësore
Nr. 4 Tiranë

– Klinikë stomatologjike private

– Laborator privat

– Farmaci private

© Panorama.al

Te lidhura