Kompanitë që kanë ndërtuar një hidrocentral me kapacitet jo më të vogël se 5 megavat, i cili përdor lëndë djegëse, do të kenë procedura të reja sa i përket përfitimit nga rimbursimi i TVSH-së. Ndryshimet në vendimin e qeverisë për kushtet dhe procedurat e rimbursimit të TVSH-së, të miratuara dje në mbledhjen e fundit të Ekzekutivit, sjellin disa të reja. Së pari, subjektet tashmë nuk do të paraqesin dokumentet e nevojshme për këtë proces pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Tani aplikimi për sasinë e lëndës djegëse që nevojitet për prodhimin e energjisë për një muaj (nga tre muaj që ishte), së bashku me akcizën e paguar për këtë lëndë, do të paraqiten pranë drejtorisë rajonale ku është regjistruar ky subjekt. Përveç kësaj, ka ndryshuar edhe afati kohor në të cilin duhet të kryhet rimbursimi. Subjektet juridike duhet të paraqesin kërkesën për rimbursim të akcizës brenda datës 10 të muajit pasardhës dhe Tatimet duhet të përfundojnë me kryerjen e procedurave në një afat po 10-ditor, në të kundërt sërish qeveria ka gjetur një zgjidhje. Nëse rimbursimi nuk kryhet sipas afateve, atëherë subjektit i lind e drejta që të mos paguajë taksat në masën që duhet të përfitonte nga rimbursimi i pretenduar i akcizës, por kjo nuk vlen për taksa të tilla si sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ndryshimet në vendimin e qeverisë rritin verifikimet për subjektet që janë pjesë e rimbursimit të akcizës, sidomos sa i përket dokumentacionit që lidhet me deklarimet dhe me bilancet financiare të tyre.











