Ah, sa t’u luta o ZOT!

Dec 5, 2011 | 11:07

MURAT BASHA
Ai iku… ashtu siç erdhi, madhështor. Bash sikur donte të na bindte se në varr, nuk mund të marrim asgjë, veç… NDERIT. Ne frymorët të gjithë vdesim, por jo të gjithë jetojmë. Në këndvështrimin tim, pamundësia e disave për të “jetuar” vërtet, kushtëzohet nga mungesa e thekshme e moralit, por çfarë është më e hatashme për ta, janë të zhveshur nga mbrojtja e hekurt, që garanton Nderi dhe Besa, dy shtylla të fuqishme mbi të cilat qëndronte morali i tij. Ai qëndroi i ndershëm, stoik deri në fund. Racë kreshnikësh. Ai, MBRETI im, ishte i fundit i racës së kreshnikëve. Eh, kreshnikët, sa kemi dëgjuar për ta, më pas lexuar e mësuar… Për ta këndohen këngë, thuren legjenda, e legjendat bëhen mite… Ai sot ka kaluar kufirin e legjendës, kurse e nesërmja i ka rezervuar mitiken. Fat kreshnikësh. Ai kishte një cilësi që të tjerët nuk e kishin, MADHËRINË, e cila tek Ai ishte shumëdimensionale. Eh, sa shumë “ëndërrojnë” disa të bëhen liderë, drejtojnë, udhëheqin, madje dhe rendin për të rrokur madhërinë, por, për të mos e mbërritur kurrë, pasi e kanë të pamundur, sepse i pengon vetvetja… Të drejtosh, do të thotë të përhapësh moralin. Të përpiqesh për njerëzit, të sakrifikosh për ta, të privosh vetveten… e për këtë duhet të jesh mëkuar me një dashuri të madhe për njerëzit, por mbi gjithçka për dy simbolet e mëdha, KOMBIN dhe ATDHEUN. Simbolikën në të folur, heshtazi, pandashmërisht e shoqëronte me këto dy simbole të mëdha, që tek Ai, MBRETI im, kishin marrë trajtën e shenjtërisë. Me Madhërinë e tij, Ai u mundua t’i mbrojë ato, i vetëdijshëm se këto simbole janë edhe shënjestra të përhershme të antishqiptarëve. Gjigant nga trupi, por mbi gjithçka shpirtërisht, shpesh i heshtur, por gjithmonë i sinqertë, i vërtetë. Dhe e vërteta nuk është asnjëherë më elokuente dhe më bindëse, sesa kur flet nëpërmjet heshtjes. Heshtja e tij kishte diçka të veçantë, ishte heshtje e “zhurmshme”… meditonte. Ndryshe nga ne, që merremi me vogëlsirat e përditshmërisë, me vështrimin e ngulur tej, larg, në një horizont të veçantë, ndoshta Ai projektonte ardhmërinë. Meditimi dhe horizonti e çonin në kufijtë e ëndrrës. Ai krijoi shpresë nga ëndrrat. Ai rrezikoi dhe sakrifikoi gjithçka për ëndrrën Shqiptare. Ai zgjodhi si gjithmonë më të vështirën, jetoi për Atdheun, sepse më vështirë është të jetosh për Atdheun sesa të vdesësh për të. Zakone të MADHËRISHMISH.
Dinte të donte bukur. Duhet ta duash bukur Kombin, Atdheun, nënën, babën, motrën, vëllain, gruan, mikun, na thoshte gjithmonë. Dashuronte, por edhe tek mënyra se si ai dashuronte ishte i veçantë, dashuronte njëkohësisht dy zonja, Shqipërinë dhe bashkëshorten Mbretëreshë. Jam i bindur më shumë donte të parën. Ky fakt, ndoshta i kushtëzuar edhe nga simboli i shqiponjës dy krenare. Ai jetoi me këto dy dashuri. E kishte të pamundur t’i shkulte nga shpirti i tij. Sepse gjëja më e vështirë për t’u qeverisur është zemra (Elisabeta I). Dashuronte heshtazi, fisnikërisht. Bëri gjithçka mundi për ta shpëtuar, shëruar dhe pastruar zonjën Shqipëri nga lëngimi, vuajtja dhe shëmtia gjysmëshekullore. Detyrim kreshnikësh, i ndihmuar nga përmasat trupore tentoi të pastronte edhe retë… Por të gjitha këto ishin projektuar dhe paravendosur nga të “mëdhenjtë”, ndoshta nga vetë ZOTI. Ai qëndroi stoik përballë të “mëdhenjve” duke iu lutur ZOTIT… me vetëdije pranoi sakrificën martirizuese.
I ftohtë, gati indiferent, qëndroi ndaj shpifjeve, fyerjeve, gënjeshtrave apo intrigave. Gjithë veprat e ndyra kutërbojnë, koha i nxjerr në shesh. Sepse besonte se nuk ka forcë në botë që të mund të ndalojë një ide së cilës i ka ardhur koha.
Prandaj dhe unë t’u luta aq shumë o ZOT për MBRETIN tim. Ah, sa kemi qarë, sa lutje dhe lot të kemi drejtuar për të. Burrat qanin për të, edhe unë. MADHËRISHËM qëndroi edhe në ditët e fundit… Aparaturat ia pamundësonin të folurën. Më 28 Nëntor vendosëm flamurin kombëtar tek dritarja e spitalit. Në vigjilje të festës kombëtare, në orën 24:04 minuta, princ Leka II i uroi “Gëzuar festën e Pavarësisë Naltmadhëni!”. Tej xhamave të reanimacionit, vështrimi ynë, mbushur me ankth dhe shpresë, ishte ngulur mbi të. Ngriti dorën, na përshëndeti të gjithëve, ktheu kokën nga dritarja ku ishte flamuri dhe… dy pika lot rrodhën nga sytë e tij. Çfarë burri! Deri në fund besnik i idealit, nderit, besës. Burra të tillë të bëjnë t’i adhurosh, të hidhesh në zjarr për ta. Prandaj t’u luta aq shumë o ZOT. Shumë shqiptarë e deshën MBRETIN tim dhe dje shumica e nderuan Atë, veprën e tij. Unë kam besuar në ëndrrën e Mbretit Leka I. Unë u rrita me ëndrrën për të. Më vonë ëndrra ime e vogël edhe pse në distancë, natyrshëm kishte hyrë në dimensionin gjigant të ëndrrës së tij. Unë kisha gjetur strehë në ëndrrën Mbretërore, për të shpëtuar nga ferri komunist. Ai projektonte ëndrrën e ardhmërisë. Ishte antikomunist, por donte shqiptarët pa dallim, sepse dashuronte Shqipërinë. Nuk urrente dot, sepse dashuronte shumë.
MBRETI im nuk është më mes nesh fizikisht, në një farë mënyre Shqipëria është vejushë, sepse nuk ka më mbi këtë tokë të bekuar atë që e deshi më shumë se gjithçka, MBRETIN tim. Por edhe atje lart nga parajsa, Ai do vazhdojë të kryejë detyrën, që ia kërkon Kodi i Nderit dhe Besa.
Teksa dua të mbyll këta rreshta më vijnë ndër mend fjalët e tij “Biri im, kësaj zonjës sonë të madhe Shqipëri, nuk mund t’i kërkojmë asgjë përveçse të na lejojë ta duam dhe t’i shërbejmë. Kjo zonjë e madhe, në ditë gëzimi dhe festash, të na lejojë të derdhim lot gëzimi mbi supet e saj. Të në falë gabimet. Po ashtu si një nënë e dhembshur, kur të na kërkojë krijuesi të na pranojë në dheun e saj të bekuar”.
Trupi i tij prehet në dheun e bekuar, kurse shpirti i tij është atje lart, në parajsë.
Ngjizur nga një baba patriot dhe inteligjent, lindur nga një nënë e virtytshme dhe besimtare, edukuar në shkollat më të mira. Ai u shërbeu me devotshmëri njerëzve, Atdheut, Kombit. Këto janë shkallët prej nga mund të ngjitesh atje lart dhe pastaj të vendosësh kokën qetësisht në prehrin e krijuesit. Ai la një djalë, princin Leka II, me fjalët e betimit na dha shpresë dhe besim, filiz dhe pasardhës kreshnikësh…
Thuhet se për çdo mendim kundrejt një personi të veçantë lind një yll. Jam i bindur se do lindin mijëra yje për të. Kurse unë do jem çdo natë me sytë drejt qiellit për të gjetur yllin tim, me fytyrën e MBRETIT tim. Ëndrra vazhdon…

© Panorama.al

Te lidhura