Afera me karburantet, arrestohen 8 zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë

Nov 18, 2011 | 8:58

Në pranga edhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta, ish-kandidat për deputet i LSI
Lejuan kundrejt ryshfetit përdorimin e peshoreve me hile në karburante, furra buke dhe supermarkete

Tetë zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit u arrestuan dje me akuzat e “korrupsionit”, “vje-dhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Një koleg i tyre i cili nuk u gjet në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Kalibrimi”, është shpallur në kërkim me të njëjtat akuza. Nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët e akuzuar kanë abuzuar pasivisht me kontrollin, regjistrimin dhe kalibrimin e peshoreve matëse në karburante, furra buke e deri te supermarketet, duke i ndihmuar këto subjekte që të mbajnë në përdorim peshore “me hile” në dëm të qytetarëve. Gjykata e Tiranës kishte caktuar në mungesë masat e sigurisë për nëntë zyrtarët e Metrologjisë dhe Kalibrimit pas kërkesës së njësisë Task-Force Antikorrupsion. Mes të arrestuarve janë Roland Çelmeta, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, ish-kandidat për deputet dhe Moisi Musabelliu, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit në Tiranë. Gjatë aksionit “Kalibrimi” u arrestuan edhe 6 inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë dhe Kalibrimit të Tiranës, Kristaq Thanasi, Hetem Basho, Armand Xhika, Armand Shuaipi, Agron Damzi dhe Sokol Lami.
HETIMI
Burime të Policisë thanë se fillimisht nga Seksioni i Antikorrupsionit ka nisur një procedim penal bazuar në kallëzimin e vetë Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Kjo drejtori dyshonte se disa punonjës të saj nuk derdhnin në arkën e shtetit të gjitha të ardhurat që përfitoheshin nga kalibrimi i njësive të ndryshme të peshëmatjes. Gjatë 7 muajve që janë kryer hetime, duke përdorur metodat speciale të hetimit, ka rezultuar se zyrtarët kryenin kalibrime fiktive të depozitave, distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, peshore të llojeve të ndryshme të supermarketeve, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjendarive, taksimetrat etj. Ata merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, duke vendosur pulla false, pa kryer asnjë veprim dhe një pjesë të konsiderueshme të parave nuk i kalonin në arkën e shtetit. Në shumicën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e TVSH-së dhe u kërkonin ryshfet subjekteve të ndryshme për të bërë kalibrimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes. Burime të Prokurorisë thanë dje se të arrestuarit pranonin aq para sa u jepeshin nga pronarët e karburanteve, marketeve e furrave të bukës për t’u lënë peshoret me hile që tregonin më shumë mall sesa shitej realisht.
SHKELJET E KRYERA
Në shumicën e rasteve kur qytetarët kanë furnizuar makinën me karburant, duke llogaritur shumën e parave dhe çmimin, realisht sasia ka qenë më e vogël nga ajo që tregon aparatura. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me sasinë e gazit, benzinës dhe me produktet tjera që shiten me peshë. Edhe në rastet e furrave të bukës, që supozohet të ketë peshën një kilogram, pesha reale, mund të ketë qenë deri në 200 gramë më pak, ndërsa çmimi njësoj sikur malli të jetë vërtet 1 kilogram. I gjithë ky abuzim në dëm të konsumatorit rezulton të ketë ndodhur nga shpërdorimi i detyrës dhe mashtrimi gjatë kalibrimin ose kolaudimin në njësitë e peshëmatjes, detyrë që kryhet nga inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë dhe Kalibrimit. Për këtë arsye dje u arrestuan 8 zyrtarë të kësaj drejtorie, që është në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Mes të arrestuarve është zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë.

TE ARRESTUAR
1. Roland Çelmeta, 40 vjeç, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë.
2. Moisi Musabelliu, 35 vjeç, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.
3. Kristaq Thanasi, 38 vjeç, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.
4. Hetem Basho, 45 vjeç, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.
5. Armand Xhika, 35 vjeç, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.
6. Armand Shuaipi, 36 vjeç, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.
7. Agron Damzi, 33 vjeç, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.
8. Sokol Lami, 28 vjeç, inspektor në Drejtorinë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Tiranë.

METE: Distancohemi nga korrupsioni
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është distancuar dje nga veprimet korruptive të çdo individi, i cili abuzon me detyrën e shtetit. Me anë të një deklarate, METE deklaroi dje pas arrestimit të tetë zyrtarëve se çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij. METE tha se do të nisë urgjentisht analizat e duhura jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të varësisë, duke marrë të gjitha masat e nevojshme, gjithmonë në mbështetje të një shteti ligjor dhe të së drejtës.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura