“Afera e AKSHI-t hoqi çdo maskë!”- Blushi: Asgjë s’e shpëton Ballukun dhe Agasin! Vendimet i dikton mafia, u vu dorë në Thesarin e Shtetit dhe TIMS, u cenua siguria kombëtare (VIDEO)

Dec 23, 2025 | 16:08

Sistemi shtetëror nuk është vetëm i korruptuar, por edhe i kriminalizuar, ku mafia dikton vendimet e saj për të gjitha pasuritë publike dhe tenderimet.

tedi blushi

Kështu u shpreh nga selia e Partisë së Lirisë ditën e sotme me një deklaratë të radhës, Sekretari i Përgjithshëm i saj, Tedi Blushi.

Deputeti i PL akuzoi mazhorancën dhe vuri në dukje ndër të tjera se “afera e AKSHI-t hoqi çdo maskë dhe konfirmoi të vërtetën tronditëse të marrjes peng dhe rrëmbimit të shtetit nga mafia”.

Sipas Blushit, nuk bëhet më fjalë për korrupsion sporadik, por për një sistem kriminal ku dikton vetëm mafia.

“Ky rrjet kriminal ka vënë dorë mbi Thesarin e Shtetit, ka depërtuar në sistemet më të ndjeshme si TIMS-i dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga krimi i organizuar, i cili vepron i paprekshëm, i mbrojtur dhe i integruar në vetë strukturat e pushtetit”, u shpreh ai.

Deputeti nënvizoi se qeveria dhe kryeministri Rama tani janë nën panik dhe terror për fundin e pashmangshëm, pasi asgjë nuk e ndal më revoltën popullore që u shpreh edhe në protestën e djeshme të opozitës (22 dhjetor).

Ai denoncoi mazhorancën edhe për përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës nga Etika, si një tjetër fakt që dëshmon frikën e tyre.

“Akti i sotëm i përjashtimit të deputetëve të opozitës, nga Komisioni i Etikës së Krimit dhe Vjedhjes në Kuvend, është një tjetër atentat ndaj pluralizmit politik, që vetëm sa e motivon më shumë qëndresën dhe vijimin e betejës sonë të drejtë dhe të pakompromis për shporrjen e kësaj bande mafioze që ka marrë peng shtetin. Është e destinuar të dështojë çdo tentativë kriminale për të bllokuar drejtësinë, e ndërmarrë nga njeriu që e kapi për fyti drejtësinë dhe që sot dridhet edhe nga drejtësia që vetë krijoi, e aq më tepër nesër imagjinoni nga një drejtësi realisht e pavarur”, tha ai.

Video e deklaratës ë Blushit nga PL është shpërndarë edhe nga kreu i partisë, Ilir Meta, nga qelia, nëpërmjet rrjeteve sociale. Blushi paralajmëron se asgjë nuk do e ndalë ndëshkimin dhe llogaridhënien e Ballukut, Ramës dhe Agasit.

“Asgjë nuk do ta ndalë llogaridhënien dhe ndëshkimin e merituar të Edi Ramës, të Belinda Ballukut, Ergys Agasit dhe gjithë bandës së hajdutëve që kanë ndërtuar pushtetin mbi grabitjen, krimin dhe drogën”, tha Blushi”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura