Bilanci i 9-mujorit të këtij viti ka reflektuar shifra të kënaqshme për ecurinë e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga TIA, rezulton që të kenë udhëtuar rreth 1.4 milionë qytetarë me linjat dhe destinacionet që ofrohen nga kompanitë e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Krahasuar me një vit më parë vihet re një rritje e dukshme me rreth 16.7 për qind të numrit të udhëtarëve. “Aeroporti gjithashtu regjistroi 17 652 lëvizje të trafikut ajror (ATM). Këto shifra tregojnë një rritje prej 9 përqindësh të ATM-ve”, thuhet në një deklaratë të TIA. Kjo performancë e 9-mujorit vlerësohet pozitivisht edhe nga drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken. “Viti që po lëmë pas ka qenë shumë i suksesshëm për TIA-n, i mbështetur ky dhe në arritjet e viteve paraardhëse. Ne shënuam një rritje mbresëlënëse në udhëtarë dhe ATM, kryesisht si rrjedhojë e liberalizimit të vizave. Edhe pse 2012-a nuk pritet të jetë një ndër vitet më frytdhënëse për kompaninë, ne mbetemi optimistë dhe jemi të sigurt se do të menaxhojmë më së miri sfidat, sepse mbështetemi në përkushtimin e stafit dhe bashkëpunëtorëve tanë. Puna dhe përkushtimi i tyre e kanë shndërruar TIA-n në një histori suksesi. Të gjithë duhet të jemi krenarë për aeroportin dhe për arritjet e tij gjatë periudhës së koncesionit”, shprehet ajo. Për vitin në vijim duket se situata po niset mbarë, pasi pritet që këto kohë destinacioneve të ofruara në t’i shtohet edhe destinacioni i Selanikut, ofruar nga “Olymbip Air”.
© Panorama.alTe dhenat e 9-mujorit
Kanë udhëtuar 1.4 milionë individë
Rritje 16.7 për qind
Sot operojnë 13 linja ajrore
Fluturime në 30 destinacioneFluksi i pasagjerëve
Belleair 45.8 për qind
Albanian Airlines 10 për qind
Alitalia 8.5 për qind
Austrian Airlines 6.4 për qind
Turkish Airlines 3.6 për qind











