Aeroporti i Vlorës, Kulluri: Balluku duhet t’i japë shpjegim opinionit publik, se pse ka ndryshuar një aksioner

Oct 20, 2025 | 22:38

Analisti Edvin Kulluri foli sot në emisionin “Log.” në News24 për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe largimin nga projekti të një prej fituesve të fituesve të tenderit.
Kujtojmë se njëra nga kompanitë fituese të tenderit u largua nga projekti dhe i shiti aksionet me një vlerë minimale prej 4450 eurosh, duke ngritur paralelisht me shqetësimet mjedisore, edhe pikëpyetje të reja për projektin.

Kulluri tha se ministrja Belindja Balluku duhet t’i japi një shpjegim opinionit publik se pse ka ndryshuar një aksioner dhe se pse nuk është zëvendësuar me një aksioner të ngjashëm me të.

Sipas analistit, kompania turke që u tërhoq nga projekti nuk ishte në rolin e financuesit, por kishte një funksion teknik të rëndësishëm për ndërtimin e aeroportit. Ai theksoi se  mungesa e një zëvendësimi të përshtatshëm ngre pikëpyetje mbi seriozitetin e projektit dhe përmbushjen e kritereve të koncesionit.

“Çdo ndryshim aksionerësh duhet të marrë miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës. Këtë e përcakton qartë ligji,” shtoi ai, duke kërkuar transparencë të plotë për ndryshimet që po ndodhin në prapaskenë.

Edvin Kulluri: Ministria ka detyrim nëse shohin se nuk ndryshojnë kushtet e koncesionit. Ti kur i ke dhënë koncesionin ka dy aspekte, një aspekt financiar dhe një aspekt teknik. Pra kompania turke nuk ishte aty në rolin e financuesit. Problemi është kush do ta ndërtojë këtë gjë.

Zonja Balluku duhet t’i japi një shpjegim opinionit publik se pse ka ndryshuar një aksioner dhe nuk është zëvendësuar me një aksioner të ngjashëm me të që të merrte të njëjtat pikë që garantonte ai tjetri.

Çdo ndryshim aksionerësh, pra kur ndryshon aksioneri duhet të marri patjetër miratimin e ministrisë ndryshimi i aksionerëve. E ka përcaktuar ligji.

© Panorama.al

Te lidhura