
I penduari: U kërkoj falje gjithë familjeve të viktimave.
Adriatik Coli, i penduari i Drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj “bandës së Durrësit” te Krimet e Rënda, u kërkoi dje falje familjeve të lënduara nga krimet e tij. Në seancën e radhës në ngarkim të të akuzuarve si “anëtarë” të “bandës”, gjykata i kërkoi të pandehurit të shprehej në lidhje me konkluzionet e tij të mbrojtjes. Ndryshe nga të bashkëpandehurit e tij dhe avokatët e tyre, të cilët për këtë fazë të gjykimit paraqitën qindra faqe konkluzionesh përfundimtare me argumentet e tyre, i pandehuri Coli shqiptoi vetëm pak fjali. Duke qëndruar në këndin e tij të përhershëm në sallë, jashtë kafazit dhe mbrapa tre punonjësve të Forcave Speciale të veshur me maska dhe antiplumb, Coli ripohoi pendesën e tij. “Të gjitha çfarë kam pasur i kam deklaruar gjatë gjykimi dhe gjatë hetimit. Jam thellësisht i penduar. Nuk kam kërkuar vetë mbrojtje gjatë gjykimit. Jam thellësisht i penduar për dhimbjen që u kam shkaktuar familjarëve. U kërkoj falje. Zoti ju ndihmoftë në dhënien e drejtësisë”, u shpreh Coli, duke iu drejtuar trupit gjykues. Në vijim, pas pasthirrmave të të pandehurve të tjerë apo të avokatëve mbi deklarimin e tij, Coli shtoi se “të gjitha deklarimet e mia para prokurorisë dhe para gjykatës janë të vërteta”. Adriatik (Dritan) Coli u pendua dhe fitoi statusin e “bashkëpunëtorit të Drejtësisë”, që në nisje të hetimeve ndaj “bandës së Durrësit”. Në kërkesën e saj përfundimtare, më 10 tetor 2011, Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi deklarimin e fajshëm të Colit dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, por për shkak të statusit, përfundimisht akuza kërkoi dënimin e tij me 10 vjet burg. Dëshmia e tij ishte prova “kyç” e Prokurorisë për provimin e akuzave ndaj të pandehurve të tjerë në proces. Për të pandehurit e tjerë të procesit, Prokuroria kërkoi katër burgime të përjetshme, shtatë dënime me 25 vjet burg, dy me 21 vjet dhe dy të tjerë me 20 vjet.
DOKLE
Pak para se Coli të fliste dje në sallën e gjyqit, i pandehuri Endrit Dokle i kërkoi Gjykatës për Krimet e Rënda pushimin e akuzave të Prokurorisë ndaj tij dhe shpalljen e tij të pafajshëm. Nëpërmjet avokatëve të tij mbrojtës, Dokle paraqiti para Gjykatës argumentet në të cilat mbështeste pretendimet e tij për pafajësi. Sipas avokatit, në hetimin e dosjes janë shkelur normat procedurale penale, si edhe procedimi penal ndaj klientit të tij ishte instrumentalizuar si rezultat i ndërhyrjeve politike. Po sipas avokatit, deklarimet e të penduarit Adriatik Coli për përfshirjen e Dokles në episode kriminale nuk provoheshin nga të tjera prova. “Coli nuk mund të bindë askënd përveç vetes me deklarimet e tij”, u shpreh avokati.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











