Në një tjetër lëvizje të debatueshme reformash, administrata e Donald Trump ka shpallur “luftë” ndaj shkronjës Calibri, të cilën zyrtarë republikanë e kanë cilësuar si “politikisht korrekte”. Sipas një telegrame të brendshme të Departamentit të Shtetit që ka siguruar Reuters, diplomatët amerikanë janë urdhëruar të rikthehen në përdorimin e Times New Roman në të gjithë komunikimin zyrtar.
Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio, e ka quajtur vendimin e administratës Biden për të kaluar te Calibri në vitin 2023 një “shpenzim të panevojshëm për hir të diversitetit”. Administrata e mëparshme justifikoi atëherë ndryshimin duke thënë se shkronja sans-serif ishte më e aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara dhe se ishte default në produktet e Microsoft.
Por në telegramën e 9 dhjetorit, e dërguar të gjitha misioneve diplomatike amerikane, theksohet se “tipografia përcakton profesionalizmin e një dokumenti zyrtar” dhe se Calibri nuk ka “karakterin formal” që ofrojnë shkronjat serif.
“Për të rikthyer seriozitetin dhe profesionalizmin në dokumentet e Departamentit dhe për të shfuqizuar një tjetër program të panevojshëm DEIA (Diversitet, Barazi, Përfshirje dhe Aksesueshmëri), Departamenti rikthehet te Times New Roman si shkronja default,” thuhet në dokument.
Më tej theksohet se ky standard i ri i formatimit “përputhet me udhëzimin e Presidentit për Marrëdhëniet e Jashtme ‘Një Zë për Amerikën’, duke nënvizuar detyrimin e institucionit për të paraqitur një komunikim të unifikuar dhe profesional”.
Kalimi te Calibri në vitin 2023 ishte propozuar nga grupe të diversitetit dhe ekspertë të aksesueshmërisë brenda qeverisë amerikane, ndërsa disa studime kanë sugjeruar se shkronjat sans-serif janë më të lehta për t’u lexuar nga personat me probleme të shikimit.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment të Reuters.
Që prej marrjes së detyrës në janar, Trump ka vepruar me shpejtësi për të eliminuar programet federale të DEI dhe për të dekurajuar përdorimin e tyre në sektorin privat dhe në arsim, përfshirë këtu shkarkimin e koordinatorëve të diversitetit në agjencitë federale dhe ndërprerjen e fondeve për një gamë të gjerë projektesh të lidhura me to.
© Panorama.al











