Administrata, asnjë punonjës i ri

Sep 29, 2011 | 10:58

Administrata shtetërore nuk do të rritet me asnjë punonjës të vetëm. Kjo ka qenë porosia e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar. Duke iu referuar një raporti të Bankës Botërore për lirinë ekonomike, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është një ndër 10 vendet me administratën më të vogël në botë. “Raporti lirisë ekonomike fakton se administrata shqiptare është një nga 10 administratat më të vogla në botë, dhe kjo përbën një arritje thelbësore të madhe, por kjo kërkon nga të gjithë ju, zotërinj ministra dhe nga drejtuesit e të gjitha agjencive, ta heqin nga mendja se mund të shtojnë edhe një njeri të vetëm në administratë. Natyrisht, koha dhe evolucioni, kërkesat bëjnë të domosdoshme krijimin e sektorëve dhe agjencive të reja. Të gjitha këto do të bëhen duke ridimensionuar, duke zvogëluar ato ekzistueset”, u shpreh Kryeministri. Më tej ai tha se rritja e administratës shton burokracitë në shërbimet ndaj qytetarëve. “Çdo përpjekje për të shtuar, për të fryrë organikat, dëshmon se po bëhen viktimë e burokracisë dhe ne nuk mund ta pranojmë një gjë të tillë, një arritje kaq të madhe që kemi realizuar, nuk mund ta kërcënojmë, përkundrazi, të shohim se si mund ta konsolidojmë më tej. Kjo administratë e vogël është promotore, projektuese, zbatuese e këtyre reformave, pra ka arritur eficiencën shumë herë më të madhe, sesa kur ishte një administratë e fryrë”, theksoi më tej Berisha. Sipas tij, “nuk ka gabim më të rëndë se sa të vendosësh njerëz palë më palë që e kalojnë ditën duke luajtur letra dhe duke parë filxhan. Por nuk është faji i tyre. Përgjegjësia kryesore është e drejtuesve të tyre, se në qoftë se ata e pozicionojnë nëpunësin në një vend pune, atëherë janë të detyruar t’u japin atyre vëllimin e mjaftueshëm të punës për orët që qëndrojnë në punë dhe kur nuk e bën dot këtë dhe kur noton vetë, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vrasin kohën duke luajtur letra ose në kafenera”.

Pronat e vendorëve
“Është detyrë e qeverisë qendrore të shkulë nga vetja e saj pushtetet që nuk i takojnë dhe t’ua japë qeverive vendore. T’u japë qeverive vendore pronat, ta kompletojë me shpejtësinë më të madhe, t’u japë qeverive vendore dhe t’i garantojë ato për çdo të ardhur që u takon mbi pasuritë që ndodhen në territorin e tyre, pra rentet. Të mendohen edhe njëherë për taksat që do t’u dërgohen qeverive vendore. I dërguam në Parlament, nuk u votuan, ndërkohë që ato mund të shqyrtohen dhe të votohen”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Ndërpriten kontratat me HEC që s’janë ndërtuar
Kontratat e hidrocentraleve që nuk kanë filluar ende nga ndërtimi do të anulohen nga qeveria. Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e kabinetit, se “duhet të shqyrtohen afatet kohore të licencave të marra shumë kohë më parë. Një numër kompanish janë përgjigjur dhe kanë filluar ndërtimin. Kompanitë, të cilat me gjithë zgjatjen e afateve nuk kanë qenë të afta të garantojnë financimin e projekteve të tyre, do të detyrohen të zbatojnë kontratën e firmosur, pra rrjedhimisht, do të humbasin të drejtën e saj në termat e kontratës”. Sipas tij, “duhet të ketë një mekanizëm që të parandalojë rikthimin e tyre në garë për së dyti. Ata patën një shans, nuk e realizuan dot, për herë të dytë nuk kanë të drejtë morale. Unë e kuptoj që ligji, ndofta ka ndonjë boshllëk dhe nuk i pengon, por me shkeljet që i kanë bërë kontratës, ata meritojnë të përjashtohen nga gara”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura