Adelina Tahiri, imazh i një pije energjike në Kosovë

Dec 3, 2011 | 13:21

Prania e madhe në media dhe në shtypin rozë me thashetheme të ndryshme, me sa duket e kanë ndihmuar shumë këngëtaren Adelina Tahiri. Ajo në shumë intervista ka thënë se nuk e pengojnë aspak thashethemet dhe fjalët të cilat fliten për të, pasi kur ka vendosur të zgjedhë këtë profesion, ka marrë parasysh se si fytyrë publike për të do flitet shumë. Dhe në fakt, ashtu po ndodh, por këngëtares nuk po i del aspak keq, sepse në adresë të saj përveç propozimeve të meshkujve, arrijnë dhe oferta nga kompani të ndryshme me shuma të majme parash. Ende nuk i ka mbushur të 20-tat, por tashmë ka shumë hite pas vetes, thashetheme të shumta, videoklipe të nxehta dhe seksi, një publik që e ndjek në koncerte, dhe Adelina ka qenë imazh për disa kompani të njohura, një e chipsave dhe një e aksesorëve Swarovski. Këto ditë në adresë të Adelinës ka arritur një ofertë shumë e leverdishme, që këngëtarja të jetë imazh zyrtar i një pije energjike në Kosovë. Pronarët e kompanisë kanë zgjedhur këngëtaren e re, për shkak të atraktivitetit që ka ajo, si dhe përfoljes në media. Kështu, kanë menduar se ajo zgjon interes, ndaj me siguri do ketë shumë sukses edhe gjatë reklamimit. Pas Elvana Gjatës, edhe Adelina Tahiri do të jetë imazh që do të shfaqet shumë shpesh me reklamën e saj nëpër televizionet shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura