Adela Xhamani fillon punë te “Gazeta Shqiptare”

Dec 3, 2011 | 14:23

Vetëm pak javë më parë ju rrëfyem për impenjimin më të ri të Bjordi Mezinit, djalit simpatik pjesëmarrës në “Big Brother 2”. Një film thriller i realizuar në Itali nga një staf italo-shqiptar bëri realitet një nga ëndrrat e hershme të Bjordit për t’u marrë me kinema. Filmi ku merr pjesë edhe Çiljeta Xhilaga, pritet të shfaqet në kinematë shqiptare dhe europiane nga pranvera. Por duket se ky paska qenë një moment i mirë edhe për partneren e tij Adelajda Xhamani. Vajza e cila ka mbi dy vite që bashkëjeton me Bjordin, tashmë ashtu si i dashuri, ka bërë realitet ëndrrën e saj për t’u marrë me gazetari. E diplomuar për Gjuhë-Letërsi, Adela ka një javë që ka filluar punë në një nga gazetat më prestigjioze në vend, te “Gazeta shqiptare”. Adela vjen pas një eksperience në disa gazeta javore ku ka zbuluar se ajo dhe gazetaria shkojnë shumë mirë bashkë. Adela do të merret me intervista të personazheve Vip si dhe me tema sociale. Që nga koha kur Adela dhe Bjordi prezantonin forumin e programit “Dancing with the stars”, ata i shkëputën lidhjet me botën e televizionin, dhe ky është momenti që rrugët e tyre profesionale janë ndarë, mbase për t’u ribashkuar diku në të ardhmen. Ne të gazetës  “Panorama”, duke mos e fshehur paksa xhelozinë që Adela zgjodhi “Gazetën shqiptare”, gjithsesi i urojmë suksese në punën e re.

© Panorama.al

Te lidhura